E Hënë, 2 Nëntor 2026

Forumi për një konsensus politik në Kosovë

09/05/2005  Ajo që sot mund të konsiderohet si pengesa më e madhe që ekziston në faktorin e brendshëm politik në Kosovë, në lidhje me bisedimet që do të hapen për çështjen e statusit përfundimtar të saj, është protagonizmi. Pasoja të tij, janë mosmarrveshjet mes veti, përçarjet, sherret, tensionimi i situatës politike dhe më pas, problematika të krijuara artificialisht në administratën qeverisëse. Por pasoja më e dukshme, e rrezikshme të themi, do të ishte ulja e garancisë para komunitetit ndërkombëtar, se Kosova i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme politike dhe burimet njerëzore të mjaftueshme, për t’u qeverisur si shtet i pavarur. Në këtë kuptim, duke rendur pas asaj se, kush duhet të shkruhet në ditar se firmosi për statusin përfundimtar të Kosovës, rrezikohet vetë statusi, d.m.th., zvarritet akoma më tepër, aq sa mund të thuhet se shumë më mirë do të ishte që politikanët e Kosovës t’a firmosnin së bashku këtë gjë, se sa të mos e firmoste asnjëri prej tyre.

Pikërisht, në këtë këndvështrim, duhet vlerësuar edhe propozimi më i fundit i rëndësishëm i Kryeadministratorit Petersen, për krijimin e një Forumi jo formal politik, në të cilin përveç presidentit, do të marrin pjesë edhe liderët e partive kryesore politike shqiptare në vend. E para gjë që do të vihej re në rast të rakordimit për një strukturë të tillë, do të ishte përmirësimi i atmosferës politike në Kosovë, (kjo nuk do të thotë aspak që qeveria dhe opozita të mos e luajnë rolin e tyre), dhe potencimi politik i faktorit shqiptar në prezantimin e projektit të tij për çështjen më kapitale, pra për statusin përfundimtar. Natyrisht, që kur bëhet fjalë për propozime të tilla me kaq rëndësi, ekziston vështirësia e konvergjimit të menjëhershëm, për shkak se jo vetëm opinionet por dhe interesat e çastit janë të ndryshme. Pika më delikate, më e diskutueshme, është ajo që çfarë do të jetë ky forum në raport me institucionet e zgjedhura (dhe të tjerat që burojnë prej tyre) dhe se çfarë roli do të ketë në të vërtetë ky forum?

Prej disa ditësh, Petersen e ka dorëzuar draftin e propozimit të tij, tek vetë protagonistët e politikës kosovare, dhe ka publikuar qartë, se çfarë do të jetë ky Forum në raport me institucionet e Kosovës. Sipas tij, forumi nuk do të zëvendësojë dhe as nuk do të dublojë institucionet legjitime, por nga ana tjetër, për çështjet më të rëndësishme, ai do të jetë një organizëm joformal politik. Reagimet e disa përfaqësuesve të partive kryesore politike në Kosovë, kanë ardhur menjëherë. Përfaqësues nga Partia më e madhe në pushtet LDK-ja, ndonëse jo zyrtarisht, kanë shprehur kontestin për ngritjen e këtij forumi, i cili sipas tyre, mund të paralelizojë ose anashkalojë institucionet e Kosovës. Me një këndvështrim tjetër e kanë vlerësuar këtë gjë përfaqësues nga partia më e madhe e opozitës, PDK-ja, sipas të cilëve, ky forum do të duhej të kishte të drejtë vendimmarrëse në raste të veçanta, përndryshe do të ishte e kotë të ngrihej. Nga ana e tij, kryeministri Kosumi, e ka vlerësuar si ide të mirë këtë gjë, dhe si një tendencë për të gjetur mekanizmin që do ta bashkonte faktorin politk shqiptar në Kosovë, për një çështje shumë të rëndësishme, e cila ju përket të gjithëve.

Pavarësisht se reagimet e para të politikanëve shqiptarë në Kosovë rreth propozimit të Petersen-it, nuk duken shumë optimiste, kam përshtypjen se ideja për ngritjen e Forumit, ka më shumë mbështetje se sa kundërshtime. Petersen, tani po pret reagimet zyrtare të përfaqësuesve të partive kryesore në vend, dhe nëse kjo ide do të gjejë mbështetje zyrtare, me siguri që modalitetet e ngritjes së Forumit do të jenë të kapërcyeshme. Por ajo që është më e rëndësishmja dhe që duhet theksuar, është fakti se më e lehtë është gjetja e mirëkuptimit për ngritjen e këtij organizmi, se sa për funksionimin normal të tij. Përvoja ka treguar se shpesh, palët janë të prirura më shumë për t’i shkelur marrëveshjet se sa për ti zbatuar ato.

***

Në logjikën e zhvillimeve politike në një vend si Kosova, e cila është mes varësisë dhe pavarësisë, jo aq nga Serbia se sa nga ndërkombëtarët (por deri diku dhe nga ajo), vendime shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë më statusin politik, pra me të ardhmen e vendit, duhen marrë me një konsensus sa më të gjerë. Nuk do të kishte asnjë të keqe sikur disa proceduara të shkurtoheshin, që do të thotë që të ngrihej Forumi Petersen, i cili do të ishte shumë më funksional dhe shumë më racional se sa institucionet burokratike ekzistuese (institucionet janë burokratike dhe në vendet e zhvilluara, pra nuk duhet të keqkuptohemi, e jo më në Kosovë), të cilat duhet të paguajnë shumë dhe të prodhojnë pak, ose shumë pak. Kosova nuk është një vend i pavarur dhe sovran, me institucione të konsoliduara, ku gjërat i vendos shumica, ose shpesh herë kryeministri apo presidenti, siç ndodh p.sh. në Amerikë apo në Britani e Gjermani etj. Jo vetëm kaq, por Kosova madje nuk është një vend që qeveriset drejtpërsëdrejti nga vullneti i popullit të saj, por nga një njeri i deleguar, që nuk ka asnjë mandat të brendshëm dhe që asnjë ligj, apo, me nder politikanët kosovarë, as në hale nuk mund të shkojnë pa lejen e tij. Në vende të tilla të mbikqyrura, ku nuk funksionon vullneti i qytetarëve për gjërat më të rëndësishme, më shumë duhet parë realiteti se sa letrat. Asnjë parti e vetme, qoftë edhe në pushtet, nuk mund t’a marrë përsipër barrën e rëndë të hedhjes së firmës për një pozicion të ri dhe përfundimtar të Kosovës, nëse pjesa tjetër do t’a kundështonte. Këtu nuk po flitet për vendime me karakter të brendshëm dhe as nuk po bëhen ligje, si fjala vjen, për peshkimin, apo për gjuetinë në mal, por po flitet për statusin politik të vendit, pra për të ardhmen e të gjithë qytetarëve të këtij vendi.

Forumi i propozuar nga Petersen, nuk ka të bëjë as me injorimin e institucioneve dhe as me ndonjë formë kanunore të vendimmarrjes, tek synon shkurtimin e disa rrugëve, bashkimin e disa ideve dhe një fleksibilitet më të madh në veprimin politik, në mënyrë që Kosova të marrë sa më shpejt trajtën e një vendi sovran demokratik. Pavarsisht nëse Forumi do të ngrihet apo jo, një gjë është e sigurtë: në bisedimet që priten të fillojnë në vjeshtën e këtij viti, do të përfshihen të gjithë faktorët kryesorë politikë, gjë që e bën të nevojshme një formë të funksionimit të një konsensusi. E mira do të ishte që këtë lloj konsensusi ta arrinin vetë faktorët politikë shqiptarë në Kosovë, pa imponim nga jashtë, pra që protagonistët e politikës të ngriheshin mbi protagonizmat, mbi xhelozitë. Por, nuk ka asnjë të keqe edhe nëse do të pranoheshin propozime si ky i Petersenit, në kushtet dhe rrethanat e tanishme. Kosova është në prag të një ngjarjeje të madhe historike. Dhe historinë askush nuk mund ta bëjë i vetëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›