E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 vjet Guantanamo, 779 të burgosur

SHBA - Më 11 janar u bënë 10 vjet nga hapja e kampit ushtarak të paraburgimit për të dyshuarit terroristë, në bazën detare të Shteteve të Bashkuara, në Guantanamo Bej. Një total prej 779 të burgosurish kanë qëndruar në këtë burg, që nga mbërritja e robërve të parë më 11 janar të vitit 2002.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara, nën udhëheqjen e ish-presidentit Xhorxh Bush, e themeloi këtë burg për të mbajtur dhe marrë në pyetje të burgosurit që dyshohej se kishin lidhje me Al Kaedan, talebanët dhe grupet e tjera që nga SHBA-ja konsiderohen si terroriste.

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, në konferencën e 22 janarit 2002, në Pentagon, tha: “Ajo çfarë ndodh në Guantanamo, është e rëndësishme, është humane, është ligjore, është e duhur dhe është në përputhje me konventat e Gjenevës”.

Por, grupet për të drejtat e njeriut kanë akuzuar Uashingtonin për shkelje të të drejtave të njeriut në Guantanamo Bej.

Presidenti Barak Obama, i cili nga 2009-ta pasoi ish-presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë, premtoi mbylljen e kampit në janar të 2010-ës, por ky premtim nuk u mbajt.

(er.nu/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›