Çmimi i energjisë, Prifti: “Mekanizma kompensimi për CEZ”
Autori i Lajmit: RedaksiaPërgatitja e përgjigjeve për pyetësorin që Bashkimi Evropian i ka dërguar Shqipërisë do të kthehet në një stres të vërtet për administratën, pasi punonjësit duhet reduktojnë pushimet si dhe të harrojnë udhëtimet, qofshin këto edhe për arsye profesionale. Ministri, Dritan Prifti pasi ka mbledhur drejtuesit kryesorë të këtij dikasteri, i ka komunikuar urdhrin se brenda tre muajsh, i gjithë stafi do të punojnë në mënyrë intensive, për tju përgjigjur 1500 pyetjeve që janë kompetencë e Ministrisë së Ekonomisë. “Janë 8 kapituj, të cilat përbëjnë rreth 30% të totalit të punës që ne duhet të bëjmë. Janë 1500 pyetje të cilat në total kërkojnë rreth 450 përgjigje”- tha Prifti, përpara drejtuesve të ministrisë. Prifti e cilësoi prioritet mbi prioritetet përgatitjen e këtyre përgjigjeve, pasi sipas tij integrimi është objektiv kryesor i kësaj qeverie. Janë një sërë detyrimesh që ministria duhet të ndërmarrë në drejtim të ekonomisë, sektorit të energjisë apo industrisë për të plotësuar kriteret ekonomike, të cilat konsiderohen si më të rëndësishme pas atyre politike, në mënyrë që KE të përgatisë një opinion pozitiv për vendin tonë.
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti do të ndërhyjë për të zgjidhur ngërçin mes kompanisë CEZ dhe Entit Rregullator të Energjisë lidhur me rritjen në masën 13% të çmimit të energjisë. Në një intervistë për medien, ministri Prifti deklaron se nuk do të ketë rritje të mëtejshme të çmimit, por mund të gjenden mekanizma kompensimi për kompaninë, me qëllim mbulimin e një pjese të humbjeve. “Do të kërkoj një konsultim me Entin Rregullator për tu informuar më në detaje për ankesën që do të shkojë nga OSSH-ja atje, për të parë mundësinë se si ndonjë pjesë e ankesës së OSSH-së mund të rishikohet. Unë mendoj se ka mekanizma kompensimi dhe duhet të aktivizohen për të garantuar kompaninë. Ka disa mekanizma kompensimi dhe unë do të insistoj që të paktën pjesën që ka në dorë qeveria ne duhet të bëjmë maksimalen për të kompensuar në një mënyrë të drejtë kompanisë.” shpreh Ministri Prifti.
Garancia e Bankës Botërore
Kompania ceke, CEZ ka deklaruar se do të nisë procedurat ligjore për të prekur garancinë 60 milionë euro të dhënë nga Banka Botërore për procesin e privatizimit. Ndërkohë kreu i Energjetikës Prifti deklaron se është në interesin e të gjitha palëve që të gjendet një zgjidhje tjetër, me qëllim që privatizimi i OSSH-së të jetë i suksesshëm. “Në dëshirojmë që privatizimi të jetë i suksesshëm dhe OSSH të mos kërkojë të prekë garancinë që është vënë nga qeveria. Sipas Entit Rregullator CEZ nuk ka të drejtë ta prekë garancinë me vendimin që ata kanë marrë, por është një çështje, e cila duhet të interpretohet nga juristët” theksoi Prifti.
Vendimi
Enti Rregullator i Energjisë vendosi të rrisë me 13 për qind çmimin e energjisë elektrike për vitin e ardhshëm, ndërkohë që pronari i ri i OSSH-së kishte kërkuar një rritje në masën 23 për qind. Kompania thotë se e shikon këtë vendim si një sulm kundër investitorëve të huaj në vend. Sipas kompanisë është prezantuar gjithë dokumentacioni dhe provat e nevojshme për të mbrojtur propozimin për rritjen e çmimit të energjisë, duke i ofruar ERE-s gjithë shpjegimet e kërkuara shtesë. “Studimi mbi humbjet, i përgatitur nga një auditor i pavarur, i përzgjedhur nga vetë ERE dhe OSSH, për habi nuk u pranua nga ERE. Për këtë arsye ne e konsiderojmë që nuk ka një studim të saktë mbi këtë gjë dhe se vendimi i ERE-s mbi tarifat, i datës 15.12.09, nuk është në përputhje me Deklaratën Rregullatore”, kjo ka qenë deklarata më e fundit e kompanisë çeke CEZ, që u kundërshtua edhe nga krerët e ERE-s.
Kriza e OSSH, ekspertët:
“Privatizimi politik, jo teknik”
Përplasjet e forta mes pronareve çekë të OSSH-së dhe autoriteteve vendimmarrëse shqiptare konsiderohen nga ekspertët si të pritshme dhe pasojë e një privatizimi, i cili më shumë se sa një proces shitjeje, i bazuar në rregulla të mirëpërcaktuara, u trajtua si një proces politik. "Qeveria shqiptare bëri koncensione me kosto politike edhe në rastin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, kosto të paravendosura nga CEZ. Veçse një vendim politik mund të merret kështu, në kushtet e një realiteti komercial nuk ndodh“, thotë eksperti i energjisë, Gjergj Simaku. Disiplinimi financiar i sektorit të energjisë mbetet ndoshta një nga problemet më të mprehta të ekonomisë. Pas 20 vitesh dështime dhe keqmenaxhimi, që bëjnë përgjegjëse qeveri të djathta dhe të majta, tashmë pikëpyetjet bien edhe mbi administratorin privat. “I ndodhur, besoj, në një situatë ku nuk mund të arkëtojë dot, i ndodhur në kushtet pas një viti elektoral, i ndodhur në kushte politike të disfavorshme CEZ nuk është në gjendje të përballojë këtë situatë dhe kërcënon”, tha Simaku.
Ky lajm është publikuar: 19/12/2009