Berisha: Bashkëpunim me opozitën për BE, s’ka kompromis që rrëzon gjykatat

Kryeministri deklaron për BBC-në se përsërit thirrjen drejtuar opozitës për miratimin me marrëveshje të ligjeve që kërkon Brukseli për afrimin e vendit me BE-në, por e cilëson si paradoksal qendrimin e Edvinit, për hapjen e kutive të votimit, edhe pse deklaron se e njeh rezultatin e zgjedhjeve.Berisha: “Hapja e kutive do të na kthente mandatin e Fierit, por nuk mund të dalim mbi vendimin e gjykatës”Shefi i ekzekutivit Sali Berisha paralajmëron palën opozitare që të pranojë rrugën e kompromisit dhe të rikthehet në sallën e kuvendit, për aspiratat integruese të Shqipërisë dhe të mirën e shqiptarëve. Një ditë pas dorëzimit të Pyetësorit të KE për Shqipërinë, kryeministri Berisha e konsideron jetike bashkëpunimin parlamentar ndërsa apeloi opozitën shqiptare që të heqë dorë nga qëndrimet paradoksale dhe jo politike. Gjatë një prononcim për BBC nga Kopenhagën, ku mori pjesë në Samitin për Klimën, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Beirsha, i ka dhënë fund përfundimisht çdo aludimi tekanjoz të opozitës për hapjen e kutive, teksa deklaroi se në këtë vend ekzistojnë institucionet e pavarura vendimmarrëse dhe kurrsesi nuk do të shqyrtohet politikisht një vendim gjykate. Kryeministri tha shprehimisht se nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi me opozitën lidhur me vendimet e gjykatave. Në këtë kuadër, Berisha i bëri thirrje opozitës të lerë menjanë qëndrimet e saj të pa precedentë, paradoksale dhe jo politike dhe të rikthehet në sallën e parlamentit. Shefi i Ekzekutivit Sali Berisha tha se ai e inkurajon opozitën që të punojnë së bashku për të çuar përpara afrimin e Shqipërisë me BE-në. “Opozita ka vendosur të bëjë opozitë jashtë parlamentare duke deklaruar se e njeh rezultatin e zgjedhjeve, ky është qëndrimi më paradoksal”, u shpreh kryeministri Berisha. “Qeveria ka bërë ofertën e saj dinjitoze për rikthimin e opozitës në parlament dhe e mirëpret”, shtoi Berisha. Ai tha se pas marrjes së pyetësorit nga BE-ja ai i ka bërë, “publikisht thirrje zotit Rama që të dalim në një konferencë të përbashkët shtypi e ta përshëndesim dhe të shprehim gatishmërinë për të punuar së bashku”. Kryeministri Berisha tha se shumica është e gatshme për bashkëpunim me opozitën, por e përjashtoi mundësinë e një kompromisi të mundshëm për kërkesën e opozitës që një komision parlamentar të hapë kutitë e votimit si pjesë e hetimeve për parregullsitë në zgjedhje. “Kushtetuta nuk e lejon këtë, ligji organik i komisioneve parlamentare nuk e lejon këtë, pra unë nuk mund të them se do të jetë çështje kompromisi shqyrtimi politik i vendimeve të gjykatave”, tha Berisha. Shefi i ekzekutivit deklaroi në këtë kuadër se në qoftë se hapen kutitë dhe rinumërohen votat, Partia Demokratike do të fitonte një tjetër mandat në Qarkun Fier. “Jam i sigurt se, në qoftë se hapen kutitë dhe rinumërohen (votat), unë do të fitoja një mandat në Fier, por nuk më lejon mua, nuk ka ndodhur kurrë, që politikisht të shqyrtohet një vendim gjykate”, konkludoi kryeministri Berisha....