Java XV Besa-Tirana bëjnë “detyrën”, e çojnë Dinamon +14
Autori i Lajmit: RedaksiaKavajë - Besa dhe Tirana ndanë nga një pikë në barazimin 1-1 në ndeshjen përmbyllëse të javës së 15-të, një takim i mbyllur me dhjetë lojtarë për bardheblutë, pas largimit me të kuq pas dy të verdhave të mbrojtësit Ditmar Bici. Edhe në fazën e parë ndeshja midis tyre në Tiranë kishte përfunduar po 1-1. Një barazim që më shumë i shkoi për shtat Dinamos kryesuese (41 pikë), që tashmë e sheh veten me 14 pikë më shume se Besa e vendit të dytë, 17 se Apolonia (vendi i tretë) dhe 18 se Tirana (vendi i katërt). Ndeshja në fjalë u luajt në një terren mjaft të rënduar të stadiumit kavajas, i cili u bë pengesë e madhe për zhvillimin e një loje normale. Madje Besës i mohoi një gol balta, sepse topi i goditur nga Daniel Xhafaj mbeti në llucë, teksa ishte drejtuar rrjetës së Nallbanit. Të parët që kaluan në epërsi kanë qenë verdhezinjtë, me anë të durrsakut Dritan Babamusta, në minutën e 23-të. Më tej loja është zhvilluar me luftë të fortë sportive, ku të dyja palët kërkonin të shënonin, Besa për të siguruar e dyfishuar epërsinë, ndërsa Tirana për të barazuar. Megjithatë, deri në minutën e 88-të, do të mbetej në fuqi goli i Babamustës, që u duk se do tu jepte verdhezinjve 3 pikë të çmuara, gjë që në fakt u ka ikur nga duart, kur nuk pritej. Një goditje dënimi, në minutën e 88-të, e ekzekutuar nga Julian Ahmataj, ka përfunduar në trekëndëshin e portierit Orges Shehi, i cili nuk kishte asnjë mundësi të reagonte. Kësisoj, barazim 1-1, pikërisht në atë kohë kur Besa nuk kishte mundësi të reagonte për të ndryshuar asgjë në favor të saj. Një barazim, që nuk i shërben shumë asnjërës palë, por distancon më shumë Dinamon kryesuese, tashmë në +14 pikë.
Kronika
Ishte sulmuesi kryesor i Besës, Daniel Xhafaj, që çeli ndeshjen me një gjuajtje tokazi në minutën e parë, por portieri i Tiranës, veterani 38-vjeçar, Blendi Nallbani, reagoi mirë. Dy minuta më pas, mesfushori bardheblu, Jetmir Sefa, vuri në provë kapitenin Orges Shehi, por durrsaku 32-vjeçar tregoi reflekset e tij. Në minutën 9-të, Bicaj gjuajti me të majtën, por topi përfundoi përmbi traun e portës së Besës. Në minutën e 16-të, Tirana bëri një ndërrim të detyruar, kur në vend të mbrojtësit Andi Lila, të dëmtuar, trajneri Alban Tafaj hodhi në fushë Tefik Osmanin. Goli i Besës u realizua në minutën e 23-të, kur pas një harkimi nga Artion Poçi, topi mbërriti te Meglid Mihani, ky i fundit pasoi drejt Dritan Babamusta, dhe mesfushori i verdhezinjve shënoi me kokë, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Goli i parë sezonal i durrsakut Dritan Babamusta. Në pjesën e dytë, Daniel Xhafaj i pati të gjitha mundësitë për të dyfishuar rezultatin, por topi i goditur nga vlonjati 32-vjeçar ngeci në baltovinën e zonës së vogël të portës së Tiranës, duke u shndëruar lluca në një “lojtar të 12-të” bardhbelu. Kapiteni Orges Shehi priti gjuajtjet e Sefës, por jo atë goditje të lirë e të kalibruar të Jualian Ahmatajt në minutën e 88-të, një top i përfunduar në trekëndëshin e portës. Goli i dytë sezonal i elbasanasit Julian Ahmataj. Kavajasit protestuan në mënyrë normale ndaj vendimit të gjyqtarit durrsak, Erion Dobi, për dhënien e goditjes së lirë. Dy minuta më pas, mbrojtësi Ditmar Bici, një nga lojtarët më të mirë të Tiranës në këtë takim u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë e rrjedhimisht të kuq.
Nën sytë e Kuzhes
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, ndoqi takimin Besa-Tirana (1-1), ndeshja përmbyllëse e javës së 15-të e Kategorisë Superiore, për të ndjekur në aksion disa nga lojtarët kandidatë për zborin e Antalias që pritet të zhvillohet në muajin e parë të vitit 2010. Në tribunën “VIP” të stadiumit “Besa” ishin të pranishëm edhe zëvendësministri i Sporteve në MTKRS, Dashnor Bajaziti (2 herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë me fanellën e Besës: 1980-1981, 12 gola; 1982-1983, 16 gola), këshilltari i sporteve të ministrit Ferdinad Xhaferri; legjenda e Tiranës, Indrit Fortuzi (2 herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë me fanellën e Tiranës: 2000-2001, 30 gola; 2001-2002, 24 gola) si dhe drejtori i Sportive në MTKRS, Vasil Bici (ish-trajneri i disa ekipeve në Shqipëri). Bici “shijoi” dhe daljen me karton të kuq të djalit të tij, Ditmar Bici, lojtari i Tiranës.
Ky lajm është publikuar: 18/12/2009