100 deputetë dhe mazhoritar-Kjo është zgjidhja e Lesit
Lidhja Demokristiane kërkon që sistemi i ardhshëm parlamentarë të jetë tërësish mazhoritar. Kryetari i forcës më të re politike, Nikollë Lesi, propozoi ditën e djeshme një sistem krejt ndryshe nga ai që po përflitet në rangjet politike dhe që ka zënë vend në komente dhe debate mes forcave të ndryshme të përfaqësuara në Kuvend. Për Lesin, sistemi zgjedhor që duhet të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme parlamentare duhet të jetë një sistemi të pastër mazhoritar. Kreu i LDK-së duke bërë më konkret propozimin e tij, tha se zgjedhjet duhet të jenë me një raund dhe në to subjektet politike të garojnë në 100 zona zgjedhore. “Propozoj një sistem të pastër mazhoritar me një raund, me 100 zona zgjedhore dhe 100 deputetë”, ka deklaruar Lesi. Madje, kryetari i Lidhjes Demokristiane shkon edhe më tej, duke mbështetur propozimin e tij. Sipas tij, pakësimi i vendeve në Parlament nga 140 që është aktualisht në 100 vende, do të kursente dhjetëra milionë lekë. “Ky sistem do të ishte zgjidhja më e mirë, pasi deputetët do të zgjidhen nga votuesit dhe jo nga emrat që përcaktojnë kryetarët e partive”, deklaroi ai. Gjithashtu, drejtuesi i Lidhjes Demokristiane, Nikollë Lesi, propozoi që komisionet e votimit të mos përbëhen nga militantë partiakë të majtë apo të djathtë, por nga njerëz që kanë një lloj pavarësie, si gjyqtarë, prokurorë, mësues, për aq sa ata mund të jenë të pavarur nga politika.