Pas krahëve të LSI-së
Pavarësisht deklaratave të kryetarit të PS-së, Edi Rama, Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ndryshon mendje, përkundrazi vazhdon akuzat. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, referuar deklaratës së Ramës, tha se vetëm sa ishte konfirmuar veprimi, puna pas krahësh. “Kreu i PS-së konfirmoi atë të vërtetë të madhe që denoncoi LSI-ja dhe shumë parti të tjera parlamentare, se lidershipet PD-PS prej kohësh po punojnë në mënyrë të fshehtë për të realizuar një komplot të ri ndaj zgjedhjeve në Shqipëri. Ky mentalitet nuk është i ri, por një qëndrim prej 17 vjetësh i këtyre dy forcave të vjetra për t'u imponuar shqiptarëve një regjim dypartiak të ndërtuar mbi monopolet politike, ekonomike dhe mediatike, si dhe për të uzurpuar institucionet”. Sipas Vasilit, dy partitë e mëdha kërkojnë të realizojnë një reformë për të kënaqur interesat e ngushta të tyre. Sipas tij, kjo do të ishte goditje ndaj demokracisë. Sipas LSI-së, socialistët kanë braktisur qëndrimet e përbashkëta për reformën zgjedhore të shprehura në marrëveshjen e majit 2006, ndërkohë që një tjetër aleat, PSD-ja, mendon të kundërtën, që LSI-ja e ka bërë këtë që nga 2006-ta deri tani. Ndërsa akuzat e kundërakuzat janë pjesë e debatit, LSI-ja ritheksoi se nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj.