100 mijë euro për ditëlindjen e vëllait të Papës
Kush është pjesë e një familje me emër të pushtetshëm mund të realizojë të gjitha fantazitë e dëshirat e veta, qofshin këto edhe në kurriz të së tjerëve. Kështu në Gjermani, nisja e përgatitjeve nga Kisha, që tani për festimin e ditëlindjes së vëllait të Papa Ratzingerit ka ngritur shumë diskutime e kritika. Në fakt, kritikuesit duket se kanë të drejtë, si mund të nisin organizimet që në tetor për një ditëlindje në muajin janar dhe për më tepër, që do të marrë nga fondet e Kishës (që në parim ndihmon njerëzit në nevojë), jo pak por 100 mijë euro. Dalja e informacionit ka ngritur shumë polemika. Vendimin për shumën e ofruar e ka marrë Peshkopi i Ratisbonës, Gerhard Ludwig Muller për të festuar ditëlindjen e Georg Ratzinger, vëllai i madh i Benediktit XVI. Për të festuar 85-vjetorin e tij, më 15 janarin e ardhshëm, vëllai i madh i atit të shenjtë, edhe ai prift, por edhe muzikant, ka në plan të shkojë në Vatikan me 127 orkestrues dhe të zhvillojë një koncert në Cappella Sistina. Për këtë ngjarje, sipas lajmit të njoftuar nga Jakob Schotz në të përditshmen gjermane “Focus”, Peshkopi i Ratisbonës ka njoftuar financimin e udhëtimit në Romë të 90 koristëve të “Regensburger Domspatzen” dhe 37 muzikantëve të orkestrës baroke të Linz, në Austri. Kjo është vlerësuar ai një shuplakë për varfërinë, sipas organizatës katolike “Kisha jemi ne”, që duke cituar krizën aktuale globale, e kanë kritikuar këtë vendim duke akuzuar peshkopin se po rrëmben pjesën më të madhe të financimeve nga fondet për veprat fetare. “Peshkopi Muller duhet t’i paguajë shpenzimet nga llogaria e vet personale”, ka deklaruar zv/presidenti i shoqatës fetare, Sigrid Grabmeier.