Stafi i Mekeinit kundër Pelin: Po luan divën
Gjatë ditëve të fundit të fushatës elektorale në SHBA, republikanët po përballen me shumë vështirësi. Përveç faktit që sondazhet e fundit në të gjitha shtetet edhe ato deri më tani republikane favorizojnë demokratin Barak Obama, kanë nisur edhe përçarjet brenda grupit. Stafi i Mekeinit ka shprehur hapur pakënaqësinë me sjelljen e të zgjedhurës për zëvendëspresidente, Sarah Pelin, duke e përkufizuar atë si ‘Palin insurgency’ (pushtimi i Pelin), i njëjti term i përdorur për rebelët në Irak. Guvernatorja e Alaskës, veç akuzave për abuzim me pushtetin dhe blerjen e veshjeve super të kushtueshme për veten dhe familjen me fondet e fushatës, tashmë po përballet me akuzat brenda grupit elektoral, se po përpiqet të bëjë divën, duke lënë në hije senatorin kandidat, Xhon Mekein. “Eshtë një divë, nuk dëgjon këshillat e askujt”, tha për CNN një nga këshilltarët e afërt të kandidatit republikan, ai shtoi se Pelin nuk i zë besë asnjërit prej tyre dhe po luan rrezikshëm, duke e parë veten si liderja e ardhshme e Partisë Republikane”, tha këshilltari. Pelin është bërë figurë e papëlqyer edhe në shtetin e saj ku është Guvernatore, në Alaska. Gazeta më e madhe e Alaskës ka mbështetur publikisht Barak Obamën.