E Diel, 1 Nëntor 2026

Koshtunica: Qeveria do ta njohë pavarësinë e Kosovës

 

Qeveria serbe do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Thënë nga lideri nacionalist dhe ish-kryeministri serb Vojisllav Koshtunica nuk është pak edhe pse nën tone akuze kundër ligjvënësve pro perëndimorë, që fituan zgjedhjet e fundit në Serbi. Ndërkohë, drejtuesit e Trupit Koordinues për Jugun e Serbisë në qeverinë e Tadiç, po bëjnë përpjekje të mos lënë aspirata separatiste edhe tek lugina e Preshevës dhe Bujanovcit, ku jetojnë shumica e shqiptarëve që kanë mbetur brenda territorit të Serbisë pas shkëputjes së Kosovës. Por çdo përpjekje e qeverisë së re duket tradhti për vendin nga Koshtunica. “Qeveria njoftoi se e njohu misionin EULEX, duke e bërë veten bashkëpunëtore në krijimin e pseudo shtetit në territorin e Serbisë”, tha Koshtunica. Ish-kryeministri serb tha për gazetën “Veçernje Novosti” se pranimi i Misionit evropian në Kosovë, në fakt do të thotë se Beogradi po njeh pavarësinë e Kosovës. “EULEX-i i Ahtisarit që kërkon të shkëpusë Kosovën nga Serbia ka muaj që është vendosur ilegalisht. Qeveria po fshihet pas vendimit të Këshillit të Sigurimit, por kjo nuk është asgjë tjetër përveçse mashtrim, pasi KS do të marrë vendimin vetëm nëse Serbia do të jetë dakord. As Rusia dhe as KS i OKB, nuk do tregohen serbë më të mëdhenj sesa vetë serbët”, tha Koshtunica. “Me propagandën e kushteve të vendosura nga Tadiç për EULEX qeveria po deklaron një fitore të madhe diplomatike. Dhe pas kësaj fitoreje, ka mbetur edhe një fitore tjetër pa u realizuar për ta, që pavarësia e Kosovës të njihet zyrtarisht”, theksoi ai. Ndërkohë, kreu i trupit koordinues për Serbin e Jugut, Milan Markoviç, tha se është shumë keq që serbët nuk marrin pjesë në formimin e qeverisë lokale në Bujanovc dhe Preshevë. Markoviç i ka dërguar mesazh edhe shqiptarëve të këtyre luginave, duke i ftuar si të mirëpritur në Trupin Koordinues. Pas zërave se nëse Mitrovica shkëputet nga Kosova edhe shqiptarët e Preshevës do të shkëputen nga Serbia, qeveria serbe po bëhet me mirë me shqiptarët që kanë mbetur brenda territorit të saj. Ministri serb i Arsimit Zharko Obradoviç, ka premtuar hapjen e universiteteve në jug të Serbisë, duke i dhënë mundësi shqiptarëve brenda territorit të studiojnë në gjuhën shqipe. Ai theksoi, se Beogradi nuk do t’i njohë diplomat me vulën “Republika e Kosovës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›