E Shtunë, 31 Tetor 2026

100 pemë për bulevardin "Bajram Curri"

Bashkia e Tiranës, në kuadër të përmbushjes së objektivave për përmirësimin e cilësisë së mjedisit, ka planifikuar gjelbërimin e disa akseve kryesore të qytetit. Pas mbjelljes së 50 pemëve të llojit rrap në bulevardin "Zhan D‘Ark", muaji i pyllëzimit do të vijojë sot me mbjelljen e 100 pemëve përgjatë bulevardit "Bajram Curri". Këtij aksi, përveç infrastrukturës së rehabilituar rishtazi, do t‘i shtohet dhe ky element dekorativ, i domosdoshëm për profilin e kësaj rruge. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i pranishëm në fillimin e aksionit për mbjelljen e pemëve në këtë aks rrugor, u shpreh: "Sot ne duam t‘u themi të gjithë prindërve se duhet të bëjmë shumë më tepër, të gjithë së bashku, për të pasur në Tiranën tonë të përbashkët më shumë pemë dhe duam t‘u bëjmë thirrje të gjithë sipërmarrësve të Tiranës, që t‘i bashkohen iniciativës sonë për të mbjellë nga një pemë për çdo njeri, nga një pemë për çdo punonjës të tyre, nga një pemë e cila do të simbolizojë bashkimin tonë për të mirën e fëmijëve tanë, për një të ardhme që të jetë me ajër të pastër, me shoqëri të shëndetshme dhe me jetë të gjatë".

E veçanta e kësaj radhe ishte se mbjellja e pemëve u shoqërua nga fëmijët e Kopshtit 24, të cilët së bashku me edukatoret e tyre morën pjesë në gjithë procesin e gjelbërimit. Kjo do t‘u japë mundësi të vegjëlve të kuptojnë dhe të ndërgjegjësohen mbi rëndësinë e mbjelljes së pemëve, e po ashtu mbi vlerat e jashtëzakonshme që ka dhe përcjell një mjedis i kuruar, për rritjen e cilësisë së jetës së komunitetit dhe veçanërisht të brezit më të ri. Janë rreth 3 mijë pemë dekorative të llojeve të ndryshme, si rrap, bli aromatik, gështenja, manjola, shkurre dekorative që do të mbillen në bulevardet kryesore të qytetit gjatë periudhës dhjetor 2008-janar 2009. Muaji dhjetor, i cilësuar edhe si muaji i mbjelljes së pemëve, është një traditë tashmë e konsoliduar prej disa vitesh në qytetin e Tiranës e që do të vijojë edhe këtë vit, duke sjellë një rritje dhe përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së ajrit në Tiranë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›