E Diel, 1 Nëntor 2026

Loredana Gjeçi: Të jesh një nënë që braktis fëmijën

Në jetë nuk e ka provuar ndjesinë e të qenit nënë. Silvia Plath e ka udhëhequr drejt një të vërtete që ndodh rëndom kudo dhe kujtdo. Loredana Gjeçi është zëri i tretë i femrës. Një vajzë e re. Salla e maternitetit për të është një plagë e madhe, në të cilën do të lejë diçka nga vetja. Një fëmijë. Disa orë për të janë një rrugëtim i gjatë mes brengash, mëdyshjesh, fajësimesh. "Unë e kam njohur Silvia Plath nga Ema. E kam lexuar në muajin maj, në një moment shumë delikat emocional timin. Kur e lexoja ishte nga të vetmet momente që ndihesha e lumtur. Një femër shumë ndjesore, shumë relaksuese, por edhe e thellë në të njëjtën kohë. Isha shumë e lumtur kur m‘u propozua ky rol. Më pëlqeu menjëherë personazhi i tretë. Ndoshta ngaqë ka përkime me procesin që ndodh në këtë moshë. Rrëfimi i saj është i rëndë. Unë akoma nuk arrij të kuptoj se si mund të mbahet për nëntë muaj në bark një fëmijë dhe pastaj të braktiset. Por sigurisht që ky është një fenomen që ndodh rëndom në të përditshmen tonë. Në sensin social është një femër e paragjykuar, por unë personalisht nuk mund ta paragjykoj nga jashtë këtë personazh", shprehet Gjeçi. Nëse një femër diku përulet për të mbajtur një fëmijë në krahë, për femrën e Silvia Plath ai kthehet në një fatkeqësi. Ajo nuk e ka "përuljen e duhur për ta mbajtur atë". "Personazhi im arrin të lindë një fëmijë, por nuk është gati ta mbajë. Nuk ndihet gati për procesin mëmësor. Një fëmijë duhet të rritet me dashurinë e nënës dhe në momentin që ajo nuk ia jep këtë dashuri, këtë përulje, është më e ndershme ta lërë aty", shprehet Gjeçi, e cila në këtë proces përpunimi të karakterit është ndier e trishtuar dhe e lumtur në të njëjtën kohë. "Kur mbaronin provat, nuk doja të mendoja më për këtë vepër. Ndikonte shumë emocionalisht tek unë. Nuk ka të bëjë vetëm me ciklin e shtatzënisë, e mbartjes së fëmijës. Shkon në dimensione më të mëdha. Në këtë vepër nuk është ngjarja konkrete ajo që të bën për vete, por procesi i brendshëm. Lindja, braktisja, dëshpërimi janë fenomene që të çojnë përtej femrës. Ishte një përvojë e bukur për mua dhe fat shumë i madh që të punoja me dy profesioniste". Çfarë ndjeu pas disa javësh "bashkëjetesë" me personazhin e Silvia Plath? "Dëshirën për të pasur një fëmijë".

Ajo është një ujdhesë e vogël, e përgjumur dhe e qetë.

Unë jam një anije e bardhë që fishkëllen: Lamtumirë, lamtumirë!

Dita është përshkënditëse. Është krejt në zi.

...të pakta janë gjërat për t‘u futur në valixhe.

Janë rrobat e një gruaje trashaluqe, që s‘e njoh.

Është krehri im, furça. Është një zbrazëti.

Papritur jam kaq e brishtë.

Jam një plagë që del nga spitali.

Jam një plagë që po e lënë të largohet.

Po e lë këtu shëndetin tim. Po lë dikë

Që do të donte të ngjitej pas meje, zgjidh gishtat

e saj si fasho: shkoj



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›