Femra që nuk flet për meshkujt
Ajo është femra që Silvia Plath e ka nxjerrë nga skutat e strukura të ndjesive të saj. Është femra dhe nëna që i gëzohet fëmijës. Shkrimtarja amerikane ishte shumë e re kur lindi dy fëmijë. Ishin burim gëzimi, por edhe i një "burgosjeje" për të. Yllka Mujos i ka takuar të përjetojë procesin më pak të dhimbshëm mëmësor. Personazhi i saj është një femër e kënaqur, e lumtur në raportin e ngushtë me fëmijën. Ndryshe nga dy të parat, mashkulli nuk gjendet në mendimet e saj. Të gjitha ndryshimet që po ndodhin tek ajo, që nga dhimbja fizike e deri te vendosmëria për ta sjellë në jetë fëmijën, shpjegohen në kuadrin e një marrëdhënie me natyrën. Ajo është e qetë. Nuk ndjehet fatkeqe, as pjesë e ndonjë mëkati. Gjithçka që po i ndodh e sheh si një ridimensionim të saj si femër, një riciklim të jetës, të cilit duhet t‘i gëzohet sa më shumë. Nëse vajza e re që braktis fëmijën tenton të kapet pas çdo arsyeje që mund ta justifikojë veprimin e saj, ajo jeton në harmoninë që do të sjellë në jetë një krijesë. Kur e reja nuk pranon as në mendime të qarat e të bërtiturat e një fëmije, ajo mendon se do të kujdeset që ai ta dojë shumë, të rritet e të martohet ku dhe kur të dojë vetë. "Jam e ngadaltë si bota", thotë ajo. Procesi i lindjes për të rrok të tjera hapësira në krahasim me dy personazhet e parë. Dhoma e maternitetit është shtegu për një jetë të re, në të cilën ajo nuk është më një, është një e tërë e ndarë përgjysmë. Ajo nuk do një fëmijë të jashtëzakonshëm, sepse e jashtëzakonshmja tundon djallin. Fati i personazhit që merr jetë në zërin e Yllka Mujos është drita e shfaqjes, jo vetëm në sensin social, por edhe personal. Të vë në paqe me botën. Ndonëse e ka krijuar këtë personazh mes rreshtash, Silvia Plath rrallë ndihej e tillë. Ajo ishte nënë, por e braktisur nga i shoqi. Ishte femër, por që kërkonte përsosmërinë. Plath nuk kishte paqe me botën. Kishte provuar të abortonte, të lindte e në fund t‘i braktiste fëmijët e saj, e vetëvrarë brenda furrës së një sobe me gaz. Ishte pak nga të trija personazhet e poemës së saj.
...Do meditoj për djalin tim të vogël.
Ai nuk ecën dot. Nuk thotë dot asnjë fjalë.
Është ende i mbështjellë me pelena të bardha.
...Nuk e dua të jashtëzakonshëm.
Është e jashtëzakonshmja që zgjon kureshtjen e djallit.
Është e jashtëzakonshmja që ngjitet në kodrinën e dhimbjes
Ose ulet në shkretëtirë dhe plagos zemrën e së ëmës.
E dua të jetë i zakonshëm,
Të më dojë siç e dua unë
E të martohet me kë të dojë e ku të dojë.
...Do meditoj për djalin tim të vogël.
Ai nuk ecën dot. Nuk thotë dot asnjë fjalë.
Është ende i mbështjellë me pelena të bardha.
...Nuk e dua të jashtëzakonshëm.
Është e jashtëzakonshmja që zgjon kureshtjen e djallit.
Është e jashtëzakonshmja që ngjitet në kodrinën e dhimbjes
Ose ulet në shkretëtirë dhe plagos zemrën e së ëmës.
E dua të jetë i zakonshëm,
Të më dojë siç e dua unë
E të martohet me kë të dojë e ku të dojë.