E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia, imazhi bizantin i nje demokracie evropiane

Përhapja e demonstrimeve antiqeveritare edhe jashtë territorit të Republikës Greke, përpara përfaqësive diplomatike, tregoi se vrasja e 15-vjeçarit ishte vetëm pika e ujit që derdhi kupën e zemërimit. Në një situatë normale, një vrasje e tillë, pavarësisht dramës që mbart për vetë moshën e re të viktimës, do kishte kaluar në hullinë e zakonshme, me kronika televizive dhe pjesëmarrje në ceremoninë mortore të autoriteteve e mijëra sehirxhinjve. Mirëpo, si rrallëkush e priste, ngjarja shërbeu si Causus Belli për nisjen e një guerilje të vërtetë urbane, ku asnjë personalitet ose formacion politik nuk merr përsipër të jetë organizatori ose të vihet në krye të lëvizjes. Ashtu siç ndodh rëndom në këto anë, nevoja për ndryshim shprehet nëpërmjet lëvizjeve shoqërore kaotike, ku së bashku me popullatën marrin pjesë anarkistë, hajdutë të rrugës e mafiozë të zonës.

Disa manifestime të PASOK-ut ose partive të ekstremit të majtë për të vendosur protestën nën flamujt e tyre nuk ka pasur impaktin e duhur, ashtu siç nuk ka mundur partia në qeverisje të gjejë mirëkuptimin për humorin e keq popullor ose të shtypë protestat me mjetet që ka në dispozicion. Të gjitha institucionet shtetërore, fetare dhe shpirtërore të shoqërisë greke janë të shokuar nga përmasat që mori revolta dhe ende nuk propozojnë një rrugëdalje nga kriza. Propozimi i Kryeministrit për marrjen e masave të jashtëzakonshme mund të ishte i rrezikshëm. Qoftë edhe një viktimë tjetër nga radhët e protestuesve, do shkaktonte daljen tërësisht jashtë kontrollit të protestave.

Rrënjët e kësaj etheje dhe të shumë periudhave me temperaturë që kalon fqinji ynë janë në vetë strukturimin e etnitetit modern grek. Greqia e sotme, e lindur në vitin 1830, ishte rezultat i një lufte dhjetëvjeçare për pavarësi. Simpatitë e personaliteteve angleze që e identifikonin vendin si trashëgimtar të helenëve dhe përkrahja e Rusisë që kishte marrë përsipër mbrojtjen e ortodoksëve në Ballkan, ishin faktorët vendimtarë që bënë të mundur njohjen e pavarësisë, në kohën kur në Evropë mbizotëronte statuskuoja e vendosur nga "Lidhja e Shenjtë e Vjenës". Por pavarësisht emërimit të mbretit Othon nga shtëpia mbretërore bavarese dhe ushtrisë prej 3500 gjermanikësh që mbreti pruri me vete, shteti i ri shumë pak gjëra do kishte evropiane. Shoqëria greke vazhdoi të ruante të njëjtën piramidë hierarkie sociale, ku popullata përfaqësohej nga agallarët, njerëz me pushtet ekonomik dhe politik në zonë. Ashtu si gjatë sundimit turk, kisha mbarte identitetin kombëtar dhe ishte institucioni i referimit për grekët. Kalimi i viteve solli lindjen e institucionit të ushtrisë dhe në mes të viteve ‘40 të shekullit të kaluar, Jorgo Papandreu (gjyshi i kryetarit aktual të PASOK), riformuloi Greqinë e copëtuar nga lufta, me moton "një atdhe, një qeveri, një ushtri", duke treguar se çfarë rëndësie kishte ky institucion në doktrinën kombëtare greke.

Paslufta e dytë botërore solli në dhjetëvjeçarin e parë të saj një bjerrje të vendit nën peshën e luftës civile. Vetëm përkrahja e hapur angleze bëri të mundur mbajtjen e vendit në kampin perëndimor. Në vitet në vijim, qenia në kllapën gjeografike nga vende të atëhershme komuniste në Ballkan, si dhe simpatitë si vend trashëgimtar i Greqisë së lashtë, solli pranimin në Komunitetin Evropian, duke mos i kontrolluar fare letrat e provimit të nxënësit, nga frika se mos ngelej në klasë. Rënia e komunizmit dhe vërshimi i kërkesave për anëtarësim në Komunitetin Evropian, si dhe zhvendosja e vëmendjes në Evropën Qendrore dhe Veriore, bënë që Greqia të humbiste asistencën perëndimore për reformimin e institucioneve, duke e lënë ta bënte ashtu siç dinte ose i vinte për mbarë asaj. Shpesh Bashkimi Evropian është penduar për anëtarësimin e Greqisë, e cila vazhdon t‘i hajë para dhe hapë probleme të shpjegueshme vetëm sipas mentalitetit të saj ballkanik, por presioni në kufijtë lindorë e bën shumë shpejt ta harrojë thembrën e tij.

Të gjitha këto do ishin histori të harruara, nëse herë pas here vendi nuk do përfshihej në protesta të dhunshme. Nëse bëjmë një fotografi të jetës sociale të këtyre viteve, do sodisim se nuk do ndryshojë shumë nga një shkrepje e bërë dekada më parë. Vendi i lindur mbi një pjesë të vogël toke në krahasim me atë çka ne njohim sot, vazhdimisht kërkonte zgjerimin e tij në tokat e ish-perandorisë osmane, duke shfryrë kështu tensionet e grumbulluara, ndërsa sot ngjashmërish vepron me fqinjët e tij, duke ju vënë stërkëmbësha në integrim dhe vënë në diskutim kufijtë dhe identitetin. Pas dhjetëra vitesh, konstaton se deputetët grekë i konsiderojnë zonat e tyre elektorale një feud politik vështirë të kontestueshëm deri ditën e vdekjes. Familjet e mëdha janë karakteristikë e jetës politike dhe emrat Papandreu, Karamanlis e Micotaqis, kanë mbi 70 vjet që sundojnë në skenën. Rekrutimet e personelit në institucionet e vendit shpesh ndërtohen mbi rekomandimet e këtyre deputetëve dhe familjeve, çka e afron vendin më shumë me Bizantin se Evropën. Kisha ka vite që po humbet besimin e njerëzve dhe vdekja e patriarkut të fundit nxori në pah se ortodoksia greke është po aq e prekshme nga sëmundja tokësore e babëzisë, sa dhe vdekatarët e zakonshëm në politikë. Fenomenet e konstatuara në ushtri, ku rekrutët frymëzohen që të çajnë barqet e fqinjëve, tregon se ky institucion e gjen ende frymëzimin në shekullin e IXX. Rastet e dhunimit të emigrantëve shqiptarë në stacionet e policisë dhe njerëzve me ngjyrë në rrugët e Athinës janë simptomat se këto struktura janë psikologjikisht më afër organizatave raciste se një organi të shtetit demokratik. Në kushtet e mbulimit të fenomeneve negative dhe të mungesës së transparencës, plaga vetëm se mahiset dhe nuk vonon dita që armët të kthehen edhe kundër vetë shtetasve grekë, siç dhimbshëm ndodhi.

Pamja evropiane e Greqisë është më shumë rezultat i tualetit sesa i ndryshimit thelbësor të psikologjisë së saj. Aktualisht shteti dhe shoqëria greke kanë nevojë urgjente për modernizim. Duhet ta harrojë se janë kërthiza e qytetërimit, kufiri i fundit i krishterimit dhe karakoll përballë vërshimit islam. Është shumë e vogël për të marrë përsipër rolin e paladinit, ndaj edhe në sytë e bashkëgadishullasve duket më tepër si një kokoroç province, sesa kalorës lirie. Vendi është ndër popullsitë më të plakura të Evropës dhe ka nevojë për reforma të dhimbshme ekonomike. Koha tregoi se qeverisja aktuale, pavarësisht objektivit të saj për reformim, e kishte konceptuar ndërhyrjen sipërfaqësore dhe nuk u tregua në lartësinë e duhur për të vazhduar punën e administratës së Simitisit, e cila e futi të paktën ekonominë greke në parametra të pranueshëm evropianë. Reforma e saj duhet të jetë në superstrukturën e vendit, por më tepër në brendësinë e shoqërisë. Vendi ka nevojë për një shkëputje të kishës nga shteti, demokratizim real të jetës së vendit, dhënies hov të ekonomisë, ndaljes së diversionit ndaj fqinjëve dhe shndërrimit të tensioneve sociale në tensione nacionale. Pa një reformë të gjithanshme të shtetit dhe shoqërisë greke, nuk do vonojë dita të shohim betejën e radhës në rrugët e qyteteve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›