E Diel, 1 Nëntor 2026

Ema Andrea: Kam zbuluar të vërtetën për veten

Ema Andrea është "ulur" dy herë mbi vargjet poetike të Silvia Plath. Ajo është një nga tri gratë, një nga tri femrat e një nga tri nënat. Është njëkohësisht brenda dhe jashtë këtij teatri poetik. Si regjisore i duhet të lidhë fatet brenda sallave të maternitetit, ndërsa si aktore të përthithë e të shpërfaqë gjithë ndjesitë e një nëne që pret vdekjen e krijesës së saj. Gjithë procesin trejavor të punës e quan një përmbushje e gjatë kësaj kohe është ndjerë e plotë. "Unë luaj rolin e gruas që dështon. Kur e perceptoj si një gjë që duhet të ndodhë, është dëshpëruese. Po ashtu kur e mendoj atë si një njeri që duhet të jetojë me vdekjen, të mjaftohet vetëm me faktin se duhet të jetë një bashkëshorte e mirë dhe jo diçka më tepër. Por është një ngjarje që ndodh ngado", shprehet Andrea. Ndonëse poema reflekton elementë autobiografikë të shkrimtares amerikane, jeta e së cilës u përmbyll në të 30-at me një akt vetëvrasjeje, nuk kemi të bëjmë me një pjesë dëshpëruese, ashtu siç mund të diktohet nga përshtypja e parë. "Është e lodhshme dhe një sfidë zbulimi varg pas vargu. Po në këtë mënyrë ti i afrohesh shumë të vërtetës tënde si femër. Nuk të krijon çekuilibër", thekson aktorja. Ndërsa përgatitej për ngjitjen në skenë, Ema Andrea ka marrë të tjera ndjesi nga ato kur ka zbuluar Silvia Plath si shkrimtare e ka shijuar vargjet e saj. Shprehet se poema ka marrë tjetër dimension që ia ka shtuar më shumë respektin për shkrimtaren. "Më vjen shumë mirë që e njoha dhe që po e eksplorojmë në teatër", thotë ajo. Por në këtë cikël natyral jete-vdekjeje, mëdyshje e brengash, Silvia nuk e përjashton gjininë mashkullore. Ai është prezent. Në karakterin e gruas që përfaqëson Andrea ai është shkaktar i gjithë dramës. Ajo e fajëson. Por nuk mund ta përjashtojë. "Nuk ka kode morale apo sociale. Me mashkullin ka gjithnjë shtytje dhe tërheqje, është gjithnjë përjashtim i asaj që të ndodh ose pjesë e saj", thekson Ema. Ndjehet pak e luhatur ndaj zgjedhjes që ka bërë për ta përcjellë këtë shkrimtare amerikane te publiku shqiptar. Një teatër poetik. "Në Shqipëri nuk është eksperimentuar shumë. E kam provuar më parë me disa pjesë të shkurtra të Harold Pinterit. Nuk e eksploroj se dua të them diçka për të, por sepse më pëlqen dhe mendoj se është gjëja më e bukur që mund të bësh në teatër dhe që të jep lirinë më të madhe. Jo gjithmonë teatri ka nevojë të japë mesazhe të qarta dhe të pastra. Shpesh herë, cikli i të menduarit për veten nis nga ndjesia që përfton", thekson Andrea.

Nuk i hodha sytë, por prapë fytyra ishte aty

Fytyra e të palindurit që i donte perfeksionet e veta

Fytyra e të vdekurit që mundej të ishte vetëm perfekte

Në paqen e saj të kthjellët, që vetëm kështu mund të mbetej e shenjtë

Dhe kishte mandej fytyra të tjera. Fytyrat e kombeve

Qeverive, parlamenteve, shoqërive

Fytyrat pa fytyrë të burrave të rëndësishëm



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›