E Diel, 1 Nëntor 2026

Mësues gjimnazi? Publikohen kriteret e reja për t‘u punësuar

Mësuesve që punojnë në arsimin e mesëm, gjimnaze, shkolla profesionale apo artistike, që të vazhdojnë të jenë pjesë e arsimit do t‘u duhen kualifikime për të mbajtur vendin e punës. Si për mësuesit me përvojë, ashtu edhe për stafet e reja do të ketë kritere për të cilat po merret mendimi i grupeve të interesit. Kushti që do të vendoset në mënyrë të domosdoshme do të jetë specializimi pasuniversitar. Kjo si për sistemin e Bolonjës, ashtu edhe për atë 4-vjeçar. Pjesa tjetër e kritereve që do të nevojiten për të mbajtur vendin e punës apo për të nisur në profesionin e mësuesit në shkollat e mesme do të qartësohet pas përfundimit të draftit nga specialistët e Ministrisë së Arsimit.

Kriteret

Mësuesit që do të punojnë në shkollat e arsimit të mesëm pritet që të kenë edhe kualifikime pasuniversitare, të cilat do të jenë ndër kriteret kryesore të punësimit për ta. Sipas një drafti të ri që po harton Ministria e Arsimit dhe Shkencës për punësimin e arsimtarëve në shkollat e mesme, përcaktohet se një mësues, veç diplomës universitare duhet të zotërojë edhe kualifikimin master për ata që janë diplomuar në sistemin e vjetër universitar 4-vjeçar, si dhe për ata të diplomuar sipas procesit të Bolonjës.

Drafti do të përcaktojë kriteret e reja për punësimin e mësuesve, të cilat do të jenë në vartësi të vjetërsisë dhe kualifikimit profesional. Rishikimi i kritereve të punësimit të mësuesve në tërësi është pjesë e reformës që po ndërmerret në arsimin parauniversitar, ku kualifikimi i mësuesve konsiderohet për të tretin vit si reformë arsimore, sipas përvojave profesionale që aplikohen në vendet perëndimore.

Reforma

Risi e reformës që zbatohet prej tri vitesh në arsim është dhe Portofoli i Zhvillimit Profesional të Mësuesve, sipas të cilës, në çdo vit gjithë mësuesit me vjetërsi 5, 10 dhe 20 vite pune i nënshtrohen procesit të vetëkualifikimit, i cili bëhet sipas standardeve dhe përvojave evropiane të trajnimit në punë të mësuesve. Ky vlerësim nxit mësuesin për të përmirësuar aftësitë profesionale, dhe nga ana tjetër e motivon atë edhe financiarisht. Sipas Arsimit, po zbatohet parimi i meritës përmes një testimi kombëtar të mësuesve me procedura mjaft rigoroze dhe sot mësuesit e suksesshëm përfitojnë ngritje në kategori profesionale dhe rritje page, pasi shpenzimi buxhetor për rritjen e pagës bazohet tërësisht në meritën profesionale të mësuesve.

Kualifikimin e stafeve mësimore, si dhe kriteret e herë pas hershme të vendosura për mësuesit në përgjithësi dhe arsimtarët e gjimnazeve në veçanti, kanë qenë në vëmendje të arsimit. Reforma në arsim, largimet nga puna, emërimet, kjo sipas kualifikimeve dhe performancës së secilit punonjës të arsimit, janë kryer nën sloganin "cilësi në sistemin arsimor". Pranë kësaj motoje, qëndron edhe iniciativa e një drafti të ri për kriteret e reja të mësuesve të arsimit të mesëm, të cilët që të vazhdojnë të jenë pjesë e trupës mësimore duhet të japin "prova" dhe dëshmi se janë të aftë në profesionin e tyre dhe mund të jenë efektivë në dhënien e dijeve dhe në punën me nxënësit.

Kualifikimi pasuniversitar

Rektorati: Së shpejti nis masteri i Juridikut

Së shpejti do të nisë masteri në Fakultetin Juridik. Lajmi është bërë publik dje nga Rektorati. Sipas rektorit Dhori Kule, masteri i Juridikut do të jetë një nga më të mirët. Aty do të japin mësim specialistët më të mirë që do të vijnë nga jashtë. Ndërkohë që studentët do të përfitojnë dhe do të kualifikohen në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo, pasi ata do të jenë më pas monitoruesit e reformave të Shqipërisë dhe integrimit në Bashkimin Evropian. Studentët e interesuar do të mund të ndjekin masterin për "Të drejtën Evropiane", ndërsa pedagogë do të kenë specialistë më të njohur të fushës. Masteri do të jetë dyvjeçar dhe do të mundësohet nga bashkëpunimi me GTZ.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›