Zbulohen dy ikona mesjetare të shekujve X-XII në një kishë në veri
Jaho Brahaj*
Në kishën e lashtë të Arst-Miliskaut në rrethin e Pukës ruhen dy ikona të vjetra të gdhendura në gur. Gdhendjet e hershme në reliev, me subjekt fetar, dolën në dritë gjatë rindërtimit të kishës, e cila sot njihet me emrin Kisha e Shëngjonit. Dy ikonat, të cilat mendohet se përfaqësojnë figurën e Shën Nikollës dhe të një Shenjtoreje-Hyjneshë, janë të gdhendura në gur me modelin tradicional të punimit të drurit. Ikonat paraqesin dy shenjtorë të periudhës, kur ende nuk ishin kristalizuar rregullat e pasqyrimit të tyre me aeurolë (brerore). Ruajtja e këtyre dy figurave të lashta religjioze në gur është rast i veçantë, por kjo shpjegohet me kushtet dhe rrethanat historike dhe të pozicionit gjeografik të kishës në fjalë. Kisha ndodhet në një fshat, i cili asnjëherë nuk arriti të marrë titullin famulli; pra, ajo gjatë gjithë periudhave nuk pati një prift në krye të saj. Mbahej meshë, (ceremoni fetare me prift) vetëm në ditën e pajtorit të kishës, ose në ndonjë rast kur kishte mundësi të vinte prifti për ceremoni mortore. Rreth 4 kilometra afër këtij fshati në Apripë, në Mesjetë kemi një kuvend katolik (manastir), i cili që nga shekulli XV na rezulton i braktisur nga dokumentacioni që njohim. Aty në Aprripën e Keqe ruhen rrënojat e 5 kishave dhe tradita thotë se kanë qenë shtatë, të ndërtuara rreth këtij manastiri. Kisha e Arstit ka ndërruar të paktën tri herë emrin e pajtorit. Në fillim të shekullit XVII, na rezulton me emrin; Kisha e Shna Prendes, në fund të këtij shekulli me; Kisha e Shën Nikollit, ndërsa sot ajo i kushtohet Shën Gjonit. Ndërrimi i emrit të pajtori të kësaj kishe tregon për momentet e vështira që ka kaluar, duke mbijetuar sot ne këtë emër.
Shën Nikolla
Shën Nikolla, kështu është identifikuar njëra prej ikonave të zbuluara në Pukë. Kjo ikonë paraqitet me karakteristikat dhe atributet që kishte Hyjnia e Ujërave, sipas përfytyrimeve mitologjike iliro-arbërore, të cilën më vonë krishterimi e lidhi me Shën Nikollën. Shenjtori mban në dorën e majtë një "shtagë" (bastun), dhe sipas besimit dhe mitologjisë vendase, ishte ai që drejtonte lumenjtë në shtratin e tyre dhe ndalonte stuhitë shkatërruese të të korrave dhe sillte shiun në kohën e nevojshme për tokën dhe bimësinë. Nuk ka brerore, por ka shenjat e vizatimit të një kësule, e cila i mbulonte majën e kokës, e ngjashme me atë që mbanin banorët e zonës. Kjo duhet analizuar nëse është përfytyrim me karakteristika etnografike, apo me domethënie religjioze. Këtij objekti i dallohen në mes të gdhendjes të shtatit konfiguracioni i një brezi, i vizatuar me dy viza harkore. Shën Nikolla është një shenjt mjaft i hyjnizuar dhe i respektuar nga katolikët e Veriut, por edhe nga banorët muhamedanë të Veriut, të cilët deri në vitet ‘50 të shekullit të XX-të i ndiznin një qiri në natën e Shën Kollit, e cila bie gjithmonë më 5 dhjetor. Në këtë fshat ruheshin dhe praktikoheshin edhe zakone e rite të lashta ilire, që të kujtojnë kohët homerike në Ballkan. Sipas shënimeve të mbledhura dhe të botuara në vitet “30-të të shekullit të kaluar nga At Gjon Karma, në festën e Shën Nikollës dikur kryhej ky rit: “Nik Çuni ndigjue prej babgjyshit, se motit kishin pasë zakon me i ba kurban Shen Nkollit e Sh’Mhillit e me e djegë mishin e berrit krejtskrejti mbi lter (altar) të kishes së Shën Gjonit…” Po sipas këtyre shënimeve, Natën e Shën Nikollit çilen dyert e shtëpisë, per me mujt me hy lirisht edhe shpirtnat e të parvet të tyne e me marrë pjesë në atë Natë të Madhe…
Këtij shenjti i kushtohen shumë kisha katolike e ortodokse shqiptare. Mendojmë se relievi është gdhendje e shekujve X-XII pas Krishtit, periudhë kur kisha dhe katolicizmi në Shqipëri po kalonte kohë krize, pas lëvizjes bogomile, që u pasua me ndarjen e dy kishave. Në këtë periudhë, shqiptarët si përkrahës dhe besimtarë të Kishës Perëndimore, mbetën edhe pa klerikë, si rezultat i luftës fetare të pushtuesve dhe kolonizatorëve sllavë, ndërsa kjo formë tradicionale ikonografike tregon, se banorët vendas në faltoren e tyre të lashtë, sipas përfytyrimit të mëparshëm pagan dhe si përkrahës dhe katolikë me Perëndimin, ripërtërinë hyjnitë-shenjtorë me mjetet figurative dhe sipas traditës së tyre tradicionale artistike, mjaft të dallueshëm nga kërkesat ikonografike të Kishës Lindore.
Hyjnesha-Shenjtore
Gdhendja tjetër, ajo e Hyjneshës-Shenjtore, është shumë e vështirë të përcaktohet konkretisht se kujt shenjtore i kushtohet. Interes paraqet një yllth me 12 cepa, i vendosur në pozicionin trupor, aty ku janë organet e riprodhimit. Nga tradita, kemi hyjnizimin e lashtë për “Zojen Prende” dhe më vonë të përqafuar nga krishterimi tek arbërorët si “Zoja Shna Prende”, Zojë që mbart edhe atribute të hyjneshës së pjellorisë dhe kultit të gruas. Nuk kemi të dokumentuar një paraqitje të tillë grafike të ngjashme në Ballkan, as për periudhën e lashtësisë dhe as për mesjetën, prandaj është vetëm hamendësim mendimi i sotëm, se ajo mund të përfaqësojë Zojën Prende, e cila në kujtesën tradicionale njihet dhe si motra e Shën Nikollit. Në murin e kishës gjendet një galeri e tërë me gdhendje reliev të shenjave dhe simboleve të traditës pagane, të cilat paraqesin interes për studiuesit dhe botëkuptimin parakristian të etnisë sonë.
Dera e 1800-ës
Pranë kësaj kishe ruhej edhe një derë druri e gdhendur e viteve 1800 e kësaj kishe, e cila sot gjendet e hedhur pa kujdes, sepse nga vjetërsia nuk përdoret. Por, për vlerat që mbart është një objekt i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore shqiptare. Ajo paraqet mjaft interes për traditën e dekoracionit arkitektonik të faltoreve të lashta dhe të kishave në Shqipërinë e Veriut. Në vendin tonë ruhen vetëm dy dyer të objekteve fetare të kësaj periudhe. Në pjesën e sipërme, dera ka një diell me rreze, i cili haset shpesh në gdhendje në gur, qëndisje, në veshjet dhe në endjet tradicionale në vekë (avlëmend) nga shqiptarët. Motivi “dielli me rreze” është një motiv shumë i vjetër në Ballkan. Ai është shumë i ngjashëm me simbolin e Mbretit të Maqedonisë, Filipi II. Dera e kishës së fshatit Arëst të Pukës ruan në pjesët e tjera gdhendje të lehta me motive gjeometrike, të cilat janë modele të punuara tradicionalisht në gdhendjet e furkave, djepave dhe orendive të tjera prej druri në vendin tonë. Rikonstruksioni grafik i këtyre tre elementeve; dera, dy shenjtorët e gdhendur në gur dhe të simboleve të tjera të gdhendura gjithashtu në gurë, plotësojnë një “ikonostas” me shumë interes, në të cilin do të paraqiten objekte përfaqësuese pagane dhe të krishterimit katolik në fund të antikitetit dhe në mesjetë.
*Autori i shkrimit është studiues i njohur në fushën e heraldikës shqiptare dhe studimeve historike
5 Shtator 2008