100 vjet me MIgjenin. Studiuesit: Ishte i madh, por jo komunist
TIRANE-Sot mbushen 100 vjet nga lindja e Migjenit. Një datë e tillë ka rëndësi përkujtimore, por modeli dhe përmasat e konferencës që po organizojmë janë një shtysë për më shumë vëmendje ndaj një autori të rëndësishëm të letërsisë shqiptare. Vetë autori me jetën dhe sidomos me vdekjen e hershme, por më shumë rrethanat jashtëletrare që shoqëruan botimet e leximet e veprës së tij kanë mbizotëruar shpesh këndvështrimin më shumë kontekstual e jashtëletrar sesa atë thjeshtë letrar e estetik të veprës së Migjenit. Megjithëse jemi mbledhur për të përkujtuar 100 vjetorin e lindjes së Migjenit, në fakt në fokus do të jetë më shumë vepra e Migjenit, teksti i tij letrar, analiza, gjykimi e vlerësimi i poetikës së tij. Ndoshta duket pak provokues titulli i konferencës sonë dhe duket sikur janë shumë 100 vjet me Migjenin, por për fat të mirë, shumë të mirë, nga njëra anë e për fat të keq nga tjetra këto nuk kanë qenë 100 vjet vetëm me Migjenin. Rrethanat jashtëletrare të procesit letrar shqiptar që nga koha kur Migjeni botoi poezinë e parë e deri vonë e kanë deformuar veprën e tij. Pranohet dhe parakuptohet që një kontekst e modelon tekstin, por në rastin e Migjenit modelimi është bërë deformim aq sa i është larguar ndonjëherë krejt tekstit. Gjatë komunizmit vepra e Migjenit u lexua si pararendëse e realizmit socialist, si për të pohuar zanafillat letrare të një metode joletrare, por propagandistike, siç ishte realizmi socialist. Nxënësit në shkolla, studentët në universitet, mësuesit, por edhe studiuesit mësuan dhe u mësuan me Migjenin "socialist" duke "harruar" e shpesh "anashkaluar" letërsinë e vërtetë të Migjenit. Më pas, pas rënies së diktaturës, për faj të modelit të leximit të deformuar të diktaturës, Migjeni u ndje i padëshiruar, i papërshtatshëm me modelin e ri, ndonjëherë shpallej si antimodel. Për të gjitha këto arsye kjo konferencë është një ftesë për të lexuar veprën e Migjenit, veprën e skandalit e të blasfemisë, të ekzistencializmit e kundërshtive, vetmisë e të dëshpërimit, të poetit ndoshta më të vetmuar në letrat shqiptare. Vepra e tij është në kërkim të lexuesit, ndaj ndjehet e vetmuar.
Migjeni ishte i "madh", por nuk ishte komunist
Ky qe një nga këndvështrimet e konferencës shkencore të mbajtur në 100 vjetorin e lindjes së poetit të madh. Studiuesit e pranishëm u përqendruan tek vepra e këtij autori dhe deformimi ideologjik që iu bë Migjenit përmes leximit dhe interpretimit të tekstit letrar nga komunizmi. Sipas dekanes së Fakultetit të Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin e Tiranes, Dhurata Shehri, zhveshja e Migjenit nga ideologjia e realizmit socialist si dhe nxjerrja në pah e vlerave të vërteta të tij mbetet ndër synimet kryesore të kësaj konference. Pas saj, drejtori i Qendrës së studimeve Albanologjike Ardian Marashi tha se, përveç homazhit që i bëhet kësaj figure të madhe të letrave shqipe, do të shikohet pozicionimi i autorit dhe vlerave letrare të tij në ditët e sotme, në kohën kur në lëmin e letrave shqipe janë futur autorë të tjerë me vlera që realizmi socialist i kishte dënuar dhe përjashtuar. Më poshtë po botojmë të plotë fjalën e Dhurata Shehrit, të mbajtur dje në konferencën shkencore.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)