E Diel, 1 Nëntor 2026

100 vjet pavaresi Nishani Te bashkuar ne flamur Gjika Bashkim kombetar

Shqipëria mbush sot 100 vjet pavarësi. Abc News uron të gjithë shqiptarët Gëzuar Festën e Flamurit!

Ceremonia zyrtare e festimeve nisi në sheshin e Flamurit në Vlorë, atje ku 100 vjet më parë Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar.
Me mijëra shqiptarë të ardhur nga Kosova, Maqedonia dhe diaspora kanë zbarkuar në këtë shesh për të kremtuar 100 pavarësi të Shqipërisë. Presidenti i Republikës Bujar Nishani, Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjga, kryeministri i Kosovës HashimThaçi, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe politikanë dhe personalitete të tjera të vendit dhe rajonit janë mbledhur në këtë qytet.
E gjithë politika shqiptare u bashkua në kryeqytetin e pavarësisë në këtë ditë historike për kombin shqiptar duke lënë mënjanë problemet dhe retorikat. Kryeministri Sali Berisha shtrëngoi duart me kryesocialistin Edi Rama.
Pas ceremonisë së ngritjes së flamurit personalitete të Shqipërisë e Kosovës kanë bërë homazhe duke vënë kurora me lule te varri i burrit të shtetit, Ismail Qemali, për të vijuar më tej me prerjen e tortës 12 metër të gjatë nga presidenti Nishani dhe kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika në qendër të sheshit.

Nishani: Ta mbajnë të paprekur flamurin tonë
10:35. Presidenti i Republikës Bujar Nishani në fjalën e tij në ceremoninë e zhvilluar në sheshin e Flamurit ka shprehur nderim dhe mirënjohje për sakrificat e atyre që bënë të mundur krijimin e shtetit shqiptar.
Edhe kreu i shtetit e ka vënë theksin tek bashkimi në flamurin kuq e zi në këtë 100 vjetor të shqiptarëve, duke e mbajtur të paprekur flamurin kombëtar.
“Sot kemi shpresa të mëdha ne shqiptarët. Ne dhe Flamuri ynë jemi të pandarë dhe të pandashëm si materia dhe lënda, si toka dhe qielli jemi një me flamurin. Ta mbajnë të paprekur flamurin tonë”- theksoi Nishani.

Duke uruar të gjithë shqiptarët për këtë ditë të madhe presidenti falenderoi në mënyrë të veçantë mesazherët e Kosovës, që sjellin mesazhin e bashkimit kombëtar.

Gjika: Bashkim vëllazëror në të gjitha dimensionet
10:25. Kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e pavarësisë dhe ka shprehur falënderimet për të gjithë ata që kanë nderuar Vlorën, kryeqytetin historik i shqiptarëve. Në fjalën e tij Gjika theksoi se ky 100 vjetor të jetë një moment reflektimi për të celur perspektivën e së nesërmes për të përmirësuar projektin e firmëtarëve të pavarësisë. “Misionarët e politikës kanë detyrë të punojnë më përkushtim të madh, të shkruajmë historinë e re të shqiptarëve, pa pasur nevojë ta rishkruajmë atë”- theksoi Gjika.
Ai apeloi për një bashkim kombëtar dhe vëllazëror në të gjitha dimensionet,si ajo që po ndodh sot në Vlorë. “Bashkim vëllazëror në të tëra dimensionet, bashkim kombëtar si proces kombëtar, vullnetesh e fuqish të pashterura. Shembull i këtij bashkimi është edhe ajo që po ndodh sot në Vlorë.
Një falënderim të madh ai shprehu për Vlorën që ia doli të jetë sërish në lartësinë e detyrimit historik për ta festuar me dinjitet këtë 100 vjetor.

Ceremonia e ngritjes së Flamurit
10:05. Nën tingujt e himnit kombëtar dhe në praninë e mijëra njerëzve të mbledhur në Sheshin e Flamurit është zhvilluar ceremonia e ngritjes së flamurit nga Presidenti i republikës Bujar Nishani. Më pas ceremonia vijoi me homazhet e kryera në Monumentin e Ismail Qemalit.

Berisha dhe Rama shtrëngojnë duart
10:00 Pavarësisht ndasive politike, politika shqiptare duket e bashkuar në festimet për 100 vjetorin e Pavarësisë në Vlorë. Në momentin e mbërritjes në qytetin e Vlorës kryeministri Sali Berisha ka shtrënguar duart me kreun e opozitës Edi Rama, duke i uruar festën e Pavarësisë.

Vlorë, mbërrin koka e “Ismail Qemalit’
Ora 09:52 – Kur ende pa nisur ceremonia zyrtare në Vlorë, një element shumë i bukur i festës është edhe mbërritja e një busti me kokën e Ismail Qemalit, që transportohej me një karrocë. Nuk dihet ende se ku do të vendoset ky bust. Mësohet se është sjellë nga disa tregtarë me origjinë nga Skrpari, dhuratë për ditën e Pavarësisë!

Personalitete shqiptare dhe kosovare në Vlorë
Ora 09:51 Vlora në festë, mbërrijnë personalitetet nga Shqipëria, Kosova. Ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, Bexhet Pacolli kanë shkuar mëngjesin e sotëm në Vlorë për të marrë pjesë në festimet e Pavarësisë. Ndërkohë që forca të shumta politike shqiptare ndodhen atje tashmë. Kreu i shtetit shqiptar Bujar Nishani i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Personalitete të huaja mbërrijnë në Tiranë
Ora 09:30- Kryetari i Parlamentit italian Gianfranco Fini është ndër të parët personalitete të lartë të ftuar në Shqipëri me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Kryeparlamentari Italian Fini mbërriti në orët e para të mëngjesit të Tiranë dhe pritet të marrë pjesë në aktivitetet që do mbahen në kryeqytet me këtë rast.

Personalitete të tjera të cilët kanë mbërritur në Tiranë kanë nënkryetarët e parlamentit Austrisë, Bullgarisë, nënkryetarët e parlamentit Polonisë, Marokut, parlamentarë nga Franca, Pakistani, Jordania

Parlamentarët kanë mbërritur në Tiranë me ftesë të kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli për 100 vjetorin e Pavarësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›