E Shtunë, 31 Tetor 2026

100 vjet për “Pikason shqiptar”, Ibrahim Kodra



Petrika GROSI
Para 100 vitesh, më 22 prill të vitit 1908, në Ishëm të Durrësit lindi piktori i njohur shqiptar Ibrahim Kodra. Që në fëmijëri talenti i Kodrës do të spikaste, ndonëse nën frymën e një varfërie dhe shumë problemesh sociale, me të cilat vendi përballej ato vite. Më 1928-1932, Kodra do të kryente studimet në shkollën teknike “Harry Fultz” në kryeqytet, për të ndjekur më tej degën e pikturës nën menaxhimin e mjeshtrit të madh, skulptorit të njohur Odhise Paskali. Pasi kalojnë 6 vite nga kjo periudhë, Ibrahimi do të fitojë një bursë studimi për në Itali, të akorduar nga Mbretëria e Shqiptare. E vetëm pak kohë më vonë, ai do të marrë të drejtën e një burse tjetër studimi për në Akademinë e Arteve të Bukura të Milanos, kësaj here të akorduar nga qeveria italiane. Rryma e parë me të cilën është ndeshur Kodra në pikturë ka qenë neoklasicizmi. Më 1939-n, piktori shqiptar studjon në Brera ku dhe hedh themelet e para të profilit të tij, duke nisur të afirmohet si një artist bashkëkohor. Viti 1944 do të shënojë një tjetër datë të rëndësishme për Kodrën; Ai hap studion e tij të parë artistike në qytetin e Milanos. Kurse vetëm 3 vite më pas, për piktorin e talentuar nga Ishmi i Durrësit do të vijë njohja nëpër botë, pra përtej Shqipërisë dhe Apenineve. Për artin e tij Kodra është vlerësuar madje edhe nga vetë Pikasoja, me të cilin flitet se ka pasur marrëdhënie të mira. Ai ka ccelur me dhjetra ekspozita ndër vite, si kolektive, ashtu edhe vetjake. Punët e tij sot mund të gjenden në galeri e mue të ndryshëm privatë e shtetërorë, apo edhe nëpër koleksione, duke nisur që nga Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia, Gjermania, Muzeu i Vatikanit, Danimarka, Zvicra, Greqia, Argjentina, Australia, Brazili, Britania e Madhe, Rusia, Irani, Gjeorgjia, Jugosllavia e Kosova. Nuk duhet harruar se Kodra ka qenë pjesëmarrës aktiv në bienalet ndërkombëtare të organizuara në ato vite, duke u renditur përkrah Leger-it, Pikasos, Chagallit, Modigliani-t, Matisses,etj. Për fat të keq, sot, vetëm tri vepra kanë mbetur si trashëgimi nga piktori i njohur në fondin e artë të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Ato u përkasin viteve ’38-’42. Mendohet se Kodra ka bërë deri më sot rreth 6 mijë piktura, të cilat ndodhen të përhapura në Europë dhe më gjerë. Gjatë kohës së diktaturës komuniste Kodra mundi të vijë në atdhe vetëm njëherë në vitin 1073, për t’u rikthyer sërish pas ardhjes së demokracisë në vitin ’96, vizitë që u quajt edhe si eveniment tepër i veccantë në kalendarin artistik e kulturor shqiptar. Kubizmi dhe nostalgjia ndaj vendlindjes, atdheut ishin ato detaje të cilat e karakterizojnë krijimtarinë e Kodrës deri në momentet e fundit të jetës së tij.

22 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›