Dreka në restorant përfundon në spital, helmohen 40 vetë
FUSHË KRUJË – Gëzimi i një dreke familjare ka përfunduar në spital, për shkak se të gjithë personat që kanë qenë të pranishëm në restorant janë helmuar. Të paktën 40 persona që drekonin në një lokal në afërsi të Fushë Krujës, janë shtruar në spitalin Ushtarak në Tiranë dhe në spitalet e tjera të qarkut të Durrësit, ku 5 prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë. Nëndrejtori i policisë së qarkut të Durrësit, Hamza Bodlli, konfirmoi se "të paktën 30 persona kanë marrë mjekim në qendrën shëndetësore të Fushë Krujës dhe në spitalin Ushtarak në Tiranë, pas një dreke familjare në një lokal në afërsi të rrugës Fushë Krujë- Tiranë”. Sipas tij, nga hetimet paraprake mendohet se shkaku i helmimit ka qenë ushqimi i ofruar nga lokali. Menjëherë pas ngjarjes, Ministria e Shëndetësisë ka ngritur dy ekipe pune për të zbardhur shkaqet e helmimit të dhjetëra personave që drekonin në një lokal pranë Fushë- Krujës, rreth 20 kilometra larg Tiranës. Drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazment Bejtja, tha se "një nga ekipet që ndodhet në vendngjarje po merr për analizë mostra të ushqimit, ndërsa grupi tjetër i specialistëve ndodhet në Spitalin Ushtarak, aty ku u dërguan disa prej të helmuarve". Sipas tij, grupi që ndodhet në spitalin ushtarak do të anketojë të sëmurët dhe do të marrë mostra prej tyre. Nga të dhënat paraprake, vijoi Bejtja, grupi i inspektorëve supozon se shkaku i helmimit mund të ketë qenë nga lëndë kimike ose bakteriale. Duke folur për numrin e të helmuarve, drejtori i shëndetit publik në MSH tha se "nga informacionet tona të paktën 40 persona u dërguan në spital, pas drekës së konsumuar në një restorant pranë Fushë Krujës". Ai sqaroi se qytetarët kishin shfaqur dhimbje koke, marrje mendsh, dobësi dhe të përziera, 30 minuta pas konsumimit të ushqimit. Me rëndimin e gjendjes së tyre shëndetësore, u lajmëruan autoritetet rajonale shëndetësore të zonës, të cilat raportuan në Drejtorinë Shëndetësore të qendrës, Institutin e Shëndetit Publik dhe Ministrinë e Shëndetësisë. "Një pjesë e të helmuarve morën ndihmën e parë në qendrën shëndetësore në Fushë- Krujë, pasi gjendja e tyre shëndetësore nuk paraqitej kritike, ndërsa të tjerët u dërguan për trajtim më të specializuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë”, tha Bejtja, ndërsa nënvizoi se gjendja e të gjithë të dëmtuarve aktualisht është normalizuar. "Vetëm 4- 5 prej të helmuarve që ndodhen në kujdesin e mjekëve të spitalit ushtarak në Tiranë janë në gjendje të fikti, ndërsa 10 të tjerë janë në observim", shpjegoi ai.
22 Prill 2008