Peshkarexha nxjerr në breg silurin ushtarak
VLORË - Pjesëtarët e ekuipazhit të një peshkarexhe, në qytetin e Vlorës, zbuluan dhe nxorën paraditen e së hënës një silurë që përdorej nga anijet ushtarake. Burime të policisë bënë të ditur, se siluri u zbulua dje paradite në zonën e Triportit, nga pjesëtarët e ekuipazhit të peshkarexhës "Linda", të cilët e nxorën atë më pas, në bregun e detit. Menjëherë në portin e Vlorës kanë mbërritur specialistë të policisë dhe të forcave të armatosura, të cilët po bëjnë ekspertizën e këtij mjeti luftarak. Pasi të përfundojë analiza për objektin e nxjerrë në breg nga peshkatarët, do të merret një vendim se çfarë do të bëhet me silurin ushtarak.
Depresioni, vetëhelmohet me fostoksinë 30-vjeçarja
ELBASAN - Një 30 vjeçare është vetëhelmuar në kushte depresive në orët e para të mëngjesit të së hënës. Burime të policisë, bënë të ditur se ''shtetasja Diana Shtogu, 30 vjeç, lindur e banuese në fshatin Katund i Ri të rrethit të Elbasanit, është vetëhelmuar me helm të llojit “fostoksinë”''. Edhe pse ajo është dërguar menjëherë në spitalin kirurgjikal të Elbasanit, nuk ka mundur të mbijetojë, pasi, sipas mjekëve, sasia e helmit që kishte konsumuar ishte shumë e madhe. Sipas burimeve të policisë dhe grupit hetimor të ndodhur në vendin e ngjarjes, bëhet e ditur se 30-vjeçarja është vetëhelmuar në kushtet e gjendjes së depresionit.
Durrës-Elbasan, 9 të plagosur për dy ditë
Përgjaken akset rrugore në vendin tonë gjatë 48 orëve të fundit. Burimet zyrtare të policisë raportojnë se në rrethet e Durrësit dhe të Elbasanit janë shënuar disa aksidente, me një bilanc me të paktën 9 persona të plagosur. Të shtunën në mbrëmje u rrëzua mjeti i drejtuar nga Sali Domi, 49 vjeç, lindur në Kukës e banues në fshatin Qerret, gjë që solli plagosjen e tij, të bashkëshortes dhe djalit. Të djelën është plagosur E.B si pasojë e përplasjes me mjetin tip motokarro “PIAGGIO” me targa DR 857 A, të drejtuar nga Gëzim Gjoka. Ndërkohë, një kamion benz dhe një golf janë përplasur gjatë një parakalimi në rrugën Kamëz-Fushë Krujë, duke sjellë plagosjen e P.M., 50 vjeç, nga Kurbini. Ditën e hënë u plagosen edhe pesë të tjerë, si pasojë e dy aksidenteve që ndodhën në intervale të ndryshme kohore në qytetin e Elbasanit; konkretisht në aksin Elbasan- Metalurgji dhe në vendin e quajtur “ Xhepa”.
Emigrantët, OSBE mbledh policitë e dy vendeve
GJIROKASTËR – Shtimi i fluksit të emigrantëve me rastin e festës së Pashkëve ortodokse këtë javë, si dhe lëvizja normale nëpër pikat kufitare të Shqipërisë dhe Greqisë ka nxitur OSBE-në të zhvillojë në takim me drejtuesit vendor të policive të dy vendeve. Me ndërmjetësimin e këtij institucioni, konsulli i Përgjithshëm shqiptar në Janinë (Greqi), Esheref Shehu, i shoqëruar nga drejtori i Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Hysni Burgaj, si dhe drejtori rajonal i Kufirit dhe Migracionit për Qarkun e Gjirokastrës, Vasil Valera, zhvilluan të hënën një takim të përbashkët pune me drejtuesit më të lartë të Drejtorisë së Policisë Rajonale të Greqisë së Veriut. Gjatë takimit dy palësh, që u organizua në fshatin Jergucat, rreth 20 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, pala shqiptare kërkoi bashkëpunim të ngushtë me autoritetet doganore shqiptare, për të përballuar me sukses fluksin e emigrantëve shqiptarë që lëvizin nga të dyja anët e kufirit.
“Punonjësit e shërbimit kufitar të doganës greke do të respektojnë me rigorozitet etikën e policisë së shtetit dhe asnjë emigrant shqiptar që dëshiron të qarkullojë nëpërmjet pikës kufitare nuk do të diskriminohet”, tha Paleopanos. i pranishëm në këtë takim ishte edhe konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër, Kristos Mandelos.
22 Prill 2008