E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rigjallërohet krimi, 4 viktima në 3 atentate



Vapa e dy ditëve të fundit ka ndezur gjakrat e njerëzve, ku të paktën dy persona janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur në disa atentateve misterioze të ndodhura në disa rrethe të vendit. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se në orët e para të mëngjesit të djeshëm kanë mbetur të plagosur dy persona në një restorant në Vlorë, një 18 vjeçar është therur me thikë në Durrës nga një i mitur pas një konflikti për shkaqe banale dhe një emigrant nga Kolonja është gjetur i vrarë në rrethana misterioze. Këto tre ngjarje kriminale ndodhin vetëm 24 orë pas krimit që ndodhi në periferi të kryeqytetit, ku mbetën 5 persona të plagosur gjatë një konflikt për çështje pronash.
Atentat në mes të lokalit
Dy persona mbetën të plagosur të hënën teksa ndodheshin në një lokal në afërsi të qendrës së qytetit të Vlorës. Burime zyrtare të policisë lokale, bënë të ditur se 49-vjeçari, Roland Zijai dhe 52-vjeçari, Hysni Kalemi, u qëlluan me armë zjarri rreth orës 01:30 në një lokal. Sipas policisë, persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri nga jashtë lokalit, ku gjendeshin edhe 3 shtetas të tjerë. Zijai dhe Kalemi u transportuan me urgjencë për në spital, ku janë nën kujdesin e mjekëve. Policia nuk ka dhënë ende motivet e kësaj ngjarjeje, ndërkohë që nuk ka sqaruar faktin se cili ishte objektivi i autorëve.
Loja përfundon në vrasje
Një 14 vjeçar është zënë me një person, i cili po transportonte një sasi tullash drejt banesës së tij, por ndërhyrja e djalit për të shuar konfliktin, ka bërë që ngjarja të përfundojë tragjikisht. Burimet zyrtare të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se Xh. Hajrullai, banues në lagjen Nr. 16, ka qëlluar me thikë Oltjon Muca, 18 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në qytetin bregdetar. I mituri ka tentuar të vrasë babain e 18-vjeçarit, por kur është përballur me Oltjonin, i nga ngulur një thikë në trup, duke e plagosur rëndë. Sapo është dërguar në spital, Oltjon Muça gjeti vdekjen. Brenda disa orësh forcat e rendit bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit për kryerjen e vrasjes. Sipas policisë, babai i 18-vjeçarit, është ndjerë i shqetësuar nga loja e fëmijëve, të cilët e pengonin teksa ai po sistemonte disa tulla për një shtesë ndërtimi në banesë. Për këtë shkak ai i ka qortuar fëmijët. Në moment ka ndërhyrë 18-vjeçari në ndihmë të të atit, duke bërë që të nisë konflikti. Një goditje me thikë drejt tij nga 15-vjeçari Hajrullai drejt zemrës, ka qenë me pasoja fatale. Megjithëse është dërguar me urgjencë në spital, nuk ka mundur të mbijetojë.
Vrasja e emigrantit
Një banor i rrethit të Kolonjës, emigrant prej vitesh në Greqi, i ardhur prej dy ditësh në vendlindje, ka humbur jetën pasi është qëlluar me armë zjarri në orët e natës duke gdhirë e hëna. Burime zyrtare të policisë rajonale thanë se " në vendin e quajtur Qafa e Qarit, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar për vdekje me armë zjarri shtetasin Medi Laho (ndryshuar në gjendje civile në Spiro Kristo), 49 vjeç, nga fshati Starje i Kolonjës. Burimet e policisë thanë se viktima ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij me targa greke në rrugën nacionale Korçë-Ersekë, kur është qëlluar me armë zjarri. Policia po heton për një plagosje me pasojë vdekje të emigrantit dhe për motivet që çuan në këtë akt të rëndë. Dyshimet e policisë janë hedhur në pistën e grabitjes. Dy ditë më parë mbeten të plagosur 5 persona në një lokal në periferi të Tiranës, ku si motiv shërbeu një konflikt për çështje pronash mes dy familjeve.

22 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›