Perse deshtuan britaniket dhe amerikanet per rrezimin e Enverit
Ahmet bej Zogu, i shpallur më 1928-n Mbreti Zog, ishte anëtar i një familjeje të fuqishme nga krahina e Matit në Shqipërinë e Mesme. Katër vjet më parë ai kishte rrëmbyer pushtetin, - disa raporte japin mendimin se kësaj ia arriti me ndihmën e Zbulimit Ushtarak Britanik, - duke përmbysur peshkopin ortodoks Fan Noli, i cili u përpoq të kryente reforma sociale, duke përfshirë rindarjen e tokës, që e kishin tjetërsuar bajraktarët, të cilët kontrollonin vendin. Duke sunduar me një luks të papërmbajtur, që ishte dukshëm në kontekst me popullin e tij, Zogu ndoqi, siç e quan Julian Amery, një diktaturë liberale të mrekullueshme, megjithëse të tjerë me përvojë e kanë konsideruar atë në fakt partizan i pushtetit absolut. Kur Italia pushtoi Shqipërinë në prill të 1939-s, mbreti u arratis (së bashku me një arkë me florinj të plaçkitur nga thesari kombëtar), për të mërguar në Francë, por me mundjen e Francës ai ishte i detyruar të shkonte në Londër, ndonëse jo si një monark i dëbuar nga fuqitë e boshtit prej një vendi aleat, por si një refugjat privat. Në mërgim nuk kishte asnjë qeveri shqiptare dhe nuk kishte asnjë perspektivë për ta formuar atë. Ndikimi i tij në Forin Ofisin mbështetej në trysninë që i bëhej nga njerëz privatë, siç ishte zonja Aubrey Herbert, burrit të së cilës dikur i ishte ofruar – si dhe mjaft politikanëve të tjerë perëndimorë - Kurora Shqiptare 1). Gjithashtu nuk kishte asnjë perspektivë për një revoltë të brendshme kundër italianëve. Çështja qëndronte se për Shqipërinë mungonin të dhënat zbuluese dhe ato që kalonin nëpërmjet M16-s pothuaj ishin të pabesueshme - një pakënaqësi e përgjithshme që zgjati edhe gjatë Luftës së Ftohtë. Ato pak të dhëna zbuluese kanalizoheshin nëpërmjet Kajros tek Margaret Feni’ Hallëk (Margaret Fani Hasluck), e cila bënte krahasimin e copëzave të informatave, të cilat pothuaj nuk kishin asnjë dobi. Nëpërmjet atyre që jetuan dhe punuan në kohën e mbretit Zog para lufte, ekzistonte pikëpamja e përbashkët se fati politik i Shqipërisë përcaktohej nga pronarët e mëdhenj të tokave gegë, sesa nga toskët e Jugut. Çelësi për ndonjë kryengritje kundër italianëve në Shqipëri në vitin 1941 mendohej se shtrihej në Veri, midis kryetarëve të fiseve gegë, të nxitur prej jugosllavëve. Sipas specialistëve për çështjet shqiptare, Sër Rexhinald Hebërt, i cili shërbeu në radhët e SOE-s gjatë luftës në Shqipëri dhe më vonë si diplomat në Forin Ofis: Përllogaritjet treguan se ishin të gabuara në të gjitha aspektet 2). Elizëbet Barker (Elizabeth Barker), në artikullin “Politika Britanike në Europën Juglindore gjatë Luftës së Dytë Botërore, shkruan se vendi i vogël i humbur malor”, në skajin veriperëndimor të Gadishullit Ballkanik, me popullsi diçka më pak se një milion banorë, dukej tamam vend i përshtatshëm për eksperimentimin e parë britanik për të inkurajuar një luftë guerile në rajon. Plani u drejtua nga Seksioni D i M16-s si dhe nga specialistë jo të mirëfilltë të luftës të udhëhequr nga Kolin Gabëns (Colin Gubbins) në MI(R). Agjentët e seksionit D, si Xhuliën Emeri në Beograd, rekretuan mërgimtarë në Greqi dhe Turqi, duke përfshirë dhe një nga përkrahësit më të fuqishëm të Zogut në veri, Abaz Kupin, i cili u rezistoi me armë invaduesve italianë për disa orë. Pastaj ata dislokuan depo armësh në kufirin me Greqinë. Më 7 prill 1941, një këshilltar në xhandarmërinë e Zogut dhe oficer në seksionin D Dejrëll Okli-Hill (Dayrell Oakley- Hill) udhëhoqi nga Kosova për në Shqipëri; kryetarët e fiseve veriore, Gani Kryeziu dhe vëllain e tij, së bashku me një forcë prej treqind vetash. Atyre nuk u premtoi askush për ndihma dhe furnizim edhe revolta e tyre shpejt u shua. Shqipëria provoi se ishte më pak e gatshme apo e përshtatshme për një gjë të tillë sesa fqinjët e saj. Rexhinëld Hebërt më vonë shkroi se problemi ishte se vendi ishte i prapambetur politikisht, nacionalizmi ishte i pazhvilluar dhe fshatarët nuk ishin në gjendje të shërbenin 3). I vetmi grup që kishte mundësinë reale për të organizuar një rezistencë koherente ishte Partia Komuniste Shqiptare, e cila u formua me ndihmën e dy komunistëve jugosllavë në nëntor 1941, ku Sekretar i Përgjithshëm u zgjodh Enver Hoxha. Hoxha u kthye nga Parisi, ku ishte student më 1936-n, tashmë një person shumë i zoti e i aftë në aspektin mafioz të politikës komuniste. Më 1942-shin PKSH formoi Lëvizjen Nacional Çlirimtare. Në të u përfshinë një numër nacionalistësh, më i shquari prej të cilëve ishte pronari i tokave Abas Kupi, megjithëse ai shpresonte të grumbullonte popullin rreth kauës monarkiste. Nacionalistët nuk donin të thellonin armiqësinë me komunistët në interes të frontit të rezistencës. Po ashtu, komunistët në interes të frontit të rezistencës. Po ashtu, dukej se Hoxha ishte më shumë i interesuar të siguronte epërsinë e PKSH-së në rezistencën shqiptare sesa të tërhiqte gamën sa më të gjerë të mundshme të ndjenjave nacionaliste kundër okupatorit 4). Në gusht të vitit 943, qeveria e Musolinit ra dhe kapitullimi solli në Shqipëri një revoltë kombëtare. Në përgjigje, gjermanët dërguan në Tiranë një divizion parashutistësh. Mbas marrjes së masave të rrepta, shumë shqiptarë u larguan në male dhe u bashkuan me partizanët e LNÇ. Gjatë vjeshtës ata udhëheqës nacionalistë të cilët qëndruan jashtë LNÇ, formuan partinë e tyre, Ballin Kombëtar. Balli Kombëtar, një organizatë pasive, donte të evitonte shkatërrimet e panevojshme duke pritur ditën e kryengritjes kombëtare në kohën që gjermanët do të përballeshin me disfatën përfundimtare. Balli Kombëtar, i udhëhequr nga një ish-diplomat, Mithat Frashëri dhe Abaz Ermenji, ishe kundër monarkisë dhe italianëve, por kërkonte që Shqipëria të mbante krahinat e aneksuara nga fuqitë e boshtit. Në nëntor Kupi u përjashtua nga LNÇ dhe formoi një lëvizje të tretë, Legalitetin, që shpalli besnikërinë e tij ndaj mbretit Zog. Gjermanët luajtën një taktikë të zgjuar në Shqipëri. Të pafuqishëm për të ruajtur më tej trupat e tyre, gjermanët vendosën të qetësojnë Shqipërinë me anë të pajtimit politik. Ata lejuan një grup politikanësh të vjetër të para luftës për të fshirë institucionet italiane dhe bënë thirrje për një Shqipëri të tipit nacionalist e republikan të përfaqësuar nga Balli Kombëtar. Për të qeverisur “Shqipërinë e Madhe”, gjermanët ngritën një Regjencë të përbërë nga tre persona, të cilët nuk kishin bashkëpunuar me italianët, ish-kryeministrin e paraluftës Mehdi Frashërin, i cili u caktua Regjent Madhor, Lef Nosi dhe Anton Arapi. Nga radhët e bajraktarëve dhe nacionalistëve asnjë udhëheqës nuk ngriti zërin për të protestuar kundër gjermanëve dhe të ashtuquajturës qeveri në Tiranë 5). Gjermanët krijuan një ushtri shqiptare të komanduar nga gjeneral Preng Previzi dhe një xhandarmëri në vartësi të ministrit të Brendshëm, Xhafer Dava, banor i Kosovës, krahinë e aneksuar nga Jugosllavia. Në Kosovë gjermanët krijuan një shoqatë me prijësit e fiseve vendase, që mori emrin “Lidhja e Prizrenit”, me president Xhafer Davën. Katër batalione me shqiptarë nga Kosova u zgjeruan dhe krijuan një divizion SS special, që mori emrin Skënderbeg, hero shqiptar i shekullit të pesëmbëdhjetë. Ai u përdor në operacione kundër LNÇ dhe partizanëve jugosllavë të Titos 6). Oficerët e parë ndërlidhës të SOE-s në Shqipëri ishin ushtarakët profesionistë, nënkoloneli Dejvid Smajli dhe Nil Meklein. Mbasi hynë nga Greqia, përfundimisht ata gjetën shtabin e Enver Hoxhës dhe vendosën kështu lidhjet me LNÇ. Tepër konservatorë dhe antikomunistë në pikëpamjet e tyre, ata kishin në mënyrë të padiskutueshme simpati për nacionalistët. Së bashku me një djathtist tjetër, Xhuliën Emeri, djali i Leos, sekretar Shteti për Indinë dhe një nga miqtë më të ngushtë të Uinston Çurçillit, ata formuan grupin e njohur me emrin muskëtierët, që ndihmuan Ballin Kombëtar dhe lëvizjen e Legalitetit me Abaz Kupin në krye. Kolegët e tjerë ishin Elën Heër, një Estone i vjetër dhe djali më i vogël i lordit Listouell Toni Nill, Xhon Hibërdin. Entëni Northrop dhe Piter Kemp, të cilët dukeshin se kishin antipati për të gjithë ata në SOE, që kishin pikëpamje progresive. Ata ishin në minoritet, por kishin influencë brenda SOE-s 7).
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi
1 dhe 7. Bethell, Betayal, f.12-16
2. Reginald Hibbert, Albëenia’s National Liberation Struggle: Thë Bitter Victory, (Lufta Nacional Çlirimtare e Shqipërisë) Pinter, 1991 f. 15, 31, 46, 54, 77 dhe 130-1; artikull recensionues nga Barry Baldëin, INS, 1992
5 dhe 6. Seton-Waston, f.142; Hibbert, f.64 dhe 145
Në numrin e së martës do të lexoni:
Si i përshkruante gjenerali i SOE-s, Dejvis, marrëdhëniet e ballistëve dhe zogistëve me gjermanët.
Çfarë përmbante raporti i gushtit 1944, i përpiluar nga Zyra amerikane e Shërbimeve Strategjike për Shqipërinë
Kush ishin politikanët që spiunuan anëtarët e Partisë Komuniste te Gjermanët dhe veprimtaria e tyre
Për më shumë na ndiqni në numrin e radhës
22 Prill 2008