100 vjetori do vijë bashkë me zbardhjen e të vërtetës historike për shqiptarët

Në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë, kryeministri Berisha ka bërë thirrje që kremtimet të përqendrohen në zbardhjen e të vërtetës historike, që nga pavarësimi dhe coptimi i vendit, e deri tek Lufta e Dytë Botërore, rrëzimi i komunizmit, pavarësimi i Kosovës si dhe anëtarësimi në strukturat euro-atlantike
Berisha: “Shqiptarët, i vetmi komb që kane pësuar falsifikime, gjatë shekullit XX”
Në mbledhjen e djeshme të Komitetit për 100 vjetorin e Pavarësisë, Kryeministri Berisha kërkoi nga historianët, studiuesit, por dhe nga institucionet zyrtare të vendit, që të kontribuojnë për të bërë të mundur që shumë akte madhore historike, momente dhe procese të rëndësishme, të marrin vlerësimin e tyre real e të vërtetë. Kryeministri u fokusua në kontributin e jashtëzakonshëm të shumë personaliteteve të huaja në Luftën Nacional Çlirimtare të shqiptarëve, veçanërisht kontributin e Britanisë së Madhe, përmes përfaqësuesve të saj elitë që ajo dërgoi në Shqipëri, në periudhën e Luftës së dytë Botërore. “Kjo është jetike, është e domosdoshme, sepse në 100 vjet, asnjë komb e asnjë vend tjetër, nuk pati, nuk përjetoi një deformim e falsifikim madhor të historisë, siç patën dhe përjetuan shqiptarët, nuk pati dhe nuk përjetoi një injorim, mohim, bllokim të momenteve kulmore në historinë e tyre, siç patën shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e kudo që janë. Diktaturat, pushtimet, bënë që ata të mos njohin të vërtetat historike të kombit dhe vendit të tyre. Është bërë një punë e madhe në këtë aspekt, por sërish janë akte madhore, janë momente dhe procese që presin nga historianët tanë, para së gjithash, nga studiuesit tanë, por edhe nga institucionet zyrtare të vendit, që të marrin vlerësimin e tyre real. Për të ilustruar këtë që po them, unë dua të ndalem këtu në një çështje të cilën e gjykoj të një rëndësie fondamentale për të vërtetat e Shqipërisë dhe shqiptarëve këto 100 vjet. Le të marrim rezistencën e Forcave të Armatosura në Luftën e Dytë Botërore. Nuk ka asnjë lëkundje në vlerësimin e saj. Ajo përbën një nga faqet më të ndritura, në mënyrë të padiskutueshme, të historisë sonë. Çdo njeri që mendon të vërë në mëdyshje rëndësinë jetike të rezistencës së armatosur të shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore, në 100 vjetorin e pavarësisë, bën një gabim fatal. E vërteta është se Shqipëria, me atë luftë, u rreshtua në anën e koalicionit antifashist, u rreshtua në anën e drejtë të historisë dhe bëri që çdo përpjekje e mëtejshme për copëtimin e saj, që ishte reale, të hidhej poshtë. Pra, jo vetëm që shqiptarët u renditën në atë anë të drejtë që duhej të ishin, por me atë luftë, me atë gjak, me ato sakrifica, ia dolën të bëhen zot të patjetërsueshëm të atyre territoreve. Ajo luftë, ajo qëndresë, imponoi që në kongresin e 5-të të Partisë Komuniste jugosllave, të votohej rezoluta “Kosova pjesë e Shqipërisë”. Ajo luftë, ajo përpjekje, bëri që në Bujan të firmoset akti madhor historik, sipas të cilit fati i Kosovës do të përcaktohej me plebishit, pas mbarimit të luftës”- tha kryeministri. “Dy çështje janë themelore në Luftën Nacional Çlirimtare, përveç vlerësimit të saj si një faqe ndër më të ndriturat në historinë tonë kombëtare, njohja e këtij aspekti vëllavrasës që nuk ishte dominues, por ishte reale. Lufta ishte një luftë çlirimtare dhe kjo nuk mund të ketë asnjë lloj diskutimi. Por, për fat të keq, kishte këto probleme që i ka pasur rezistenca e çdo vendi. Së dyti, dua të jap një aspekt tjetër zotërinj studiues, shumë madhor. Lufta si çdo luftë kërkon luftëtarë dhe këta ishin shqiptarët, kërkon armët dhe shqiptarët nuk kishin armë për t’u përballur, kërkon financën, shqiptarët nuk kishin financa, kërkon organizimin, por nuk kishte ndonjë organizim ushtarak, për vet situatën e krijuar. E vërteta e madhe historike është se shqiptarët kanë bërë luftën, para së gjithash e mbi të gjitha, të mbështetur në paundin e taksapaguesve britanikë, e vërteta historike është se brigadat e njësitë e para, lëvizja në tërësi, u organizua direkt nga misionarët britanikë. E vërteta është se ishte Britania e Madhe ajo që i armatosi luftëtarët e lirisë në Shqipëri, në një motiv; armë çdo burri e gruaje që del të luftojë për liri, me kusht që ata të zbresin në fushëbetejë. Këtë solli Billy McLean në misionin e tij në Shqipëri. Është në nderin e veteranëve të luftës të mos injorojnë këtë kontribut historik të taksapaguesve dhe te qeverisë britanike. Oficerë të të gjitha rangjeve, pilotë të forcave ajrore britanike, kanë rënë në tokat shqiptare, duke luftuar për lirinë e saj. Brigada e parë partizane shqiptare është themeluar në Vithkuq, është armatosur në Vithkuq, është financuar në Vithkuq, nga misione britanike. U ndala në këtë moment, sepse mohimi i këtij kapitulli është një nga faqet më të zeza të diktaturës komuniste. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuara bëri gjithçka për të mbështetur shqiptarët në rezistencën e tyre. E vërteta është se nuk i dha Mbretit Zog imunitet, por mbreti qëndroi në kryeqytetin e luftës, në kontakt e komunikim të vazhdueshëm me qeverinë britanike dhe ministrinë e Jashtme. Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe do të ishte i pari që do të deklaronte në Dhomën e Komunave, mbështetjen e plotë dhe totale për rezistencën antifashiste shqiptare. Në Shqipëri u dërgua elita. Në qoftë se Çërçilli dërgoi në shtabin e Titos djalin e tij, në Shqipëri erdhi gjithashtu një elitë e trupave SOE (trupat speciale të operacioneve ekzekutive), personalitete të jashtëzakonshme që do të bëheshin më vonë 7 herë ministra në qeverinë britanike si, Julian Amery, David Smiley, Dayrell Oakley-hill, Billy McLean, e shumë ë shumë të tjerë. Por le t’u shkojmë të vërtetave aty ku janë. Nuk ishin britanikët të cilët inkurajuan lëvizjen komuniste në Shqipëri. Kontaktet më të para për organizimin e rezistencë ata i kanë pasur me nacionalistët. Personat e parë të kontaktuar prej tyre janë vëllezërit Kryeziu, të cilët kanë një meritë historike. Ndonëse bënin përgjegjës Mbretin Zog për vrasjen e vëllait të tyre, ata u deklaruan fuqive aleate se Mbreti është personaliteti i vetëm që mund të bashkojë shqiptarët. Vëllezërit Kryeziu u kërkuan aleatëve që të takojnë një tribun tjetër legjendar, siç ishte Abaz Kupi. Ishte Kokoshi një tjetër, ishte Mustafa Gjinishi, i njohur atëherë si komunist. Pra, ishin këta që organizuan, ishin këta të cilët sillnin të gjitha materialet ushtarake e propagandistike kundër pushtuesit. Ishte Zogu që deklaroi nga Parisi; “luftë pushtuesit”. Nuk ka dyshim që lëvizja u dominua në tërësinë e saj nga Partia Komuniste shqiptare dhe ndaj ajo mori dhe mbështetjen më të madhe të Mbretërisë së Bashkuar”- theksoi ai.
Gjithashtu, Kryeministri kërkoi edhe një rivlerësim të shumë figurave historike shqiptare me kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimet në Shqipëri, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, që diktatura i la në harresë ose i shpalli “të ndaluar”, si vëllezërit Kryeziu, Abaz Kupi, Mbreti i Parë Princ Vidi, Luigj Bumçi, Jak Serreqi, Dom Nikollë Kaçorri, Veli Hoxha, Vehbi Dibra, Ndoc Çoba, Mitat Frashëri e shumë e shumë të tjerë. “Le të bëjmë ne të vërtetën historike për një kapitull shumë të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare, në 100 vjetorin e pavarësisë. Një kapitull tjetër që kërkon të dalë në dritën e së vërtetës. Nga viti 1908 deri në vendosjen e mbretërisë, por edhe më pas janë me dhjetëra personalitete të huaja, të cilët kanë dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme, kanë treguar një dashuri, respekt dhe përkushtim të madh për shqiptarët. Dhe këto të vërteta duhet të dalin. Pa ndihmën e tyre, pa këshillën e tyre, pa mbështetjen e tyre ka shumë mundësi që gjërat të merrnin rrjedha diametralisht të kundërta. Është shumë e rëndësishme që në këtë 100 vjetor këta burra dhe gra të vendeve mike sot, të vendosen në piedestalin e tyre. Mbreti i Parë Princ Vidi erdhi për të ndërtuar shtetin shqiptar. Bashibozukët e tjerë ia bënë të pamundur, por ai ka meritat e tij të padiskutueshme. Unë mora shembullin e Princ Vidit, por raste të tilla personalitetesh që kanë luajtur një rol thelbësor në historinë, në 100 vjetorin e pavarësisë, janë të shumta. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të dalë në pah roli i madh i Klerit Katolik, ortodoks dhe mysliman në pavarësi. Edhe këta zotërinj të nderuar kanë kontribute shumë të mëdha. Luigj Bumçi meriton të gjitha nderimet, Jak Serreqi meriton nderime të mëdha, Dom Nikollë Kaçorri ka një bust në Durrës, por edhe më shumë të nderohet, p.sh. me një shkollë, me një rrugë. Janë disa prej tyre, janë personalitet të kishës ortodokse, kryetari i Senatit, ishte Veli Hoxha, Vehbi Dibra. Pra duhet për disa prej tyre, veçanërisht duhet të merremi me ata që ishin të ndaluar dhe me ata që ishin të harruar se ky është qëllimi ynë. Është jashtë çdo lloj tendence dhe dëshire për ta shndërruar këtë në një panair lavdie, përkundrazi një përpjekje për të parë përpara, por për tu dhënë vendin e vet. Ka personalitete të cilat në mënyrën më të pamerituar janë ndryrë në banesën e harresës si, Ndoc Çoba, Mitat Frashëri. Duhet të përpiqemi që ata të zënë vendet e tyre të nderuara. Unë e kuptoj dhe kam respektin më të madh për Qemal Stafën, por nuk mund të jem kurrë dakord që një stadium, një gjimnaz, një bulevard të ketë vetëm emrin e tij. Kjo zotërinj, është një disbalancë e madhe në histori. Se cila është merita për të pasur stadiumi emrin Qemal Stafa, i cili do të shndrisë gjithmonë në altarin e lirisë së kombit shqiptar, unë këtë e kam pasur të vështirë ta gjej. Dhe këto disbalanca duhet të ekuilibrohen. Unë trajtova ketë shembull, por mund të ketë shembuj të tjerë. Ky 100 vjetor duhet të na frymëzojë dhe jo të bëhen diskutime të pabazuara, se ka zëra që i drejton shoqja Nexhmije. Shoh një ditë një titull në gazetë dhe gazeta thoshte atë që kurrë nuk e ka thënë një politikan dhe historian, sepse shkonte për oreks të shoqes Nexhmije. Por ne historinë nuk do ta bëjmë sipas Nexhmije Hoxhës, e cila shfrytëzon lirinë, për të mbrojtur barbaritë e të shoqit mbi kombin dhe vendin e tij. Natyrisht, fjala është fjalë dhe do të respektohet liria e saj. I ftoj dhe mediat që të hapin debat të shëndetshëm për 100 vjetorin sepse vimë në këtë 100 vjetor shumë të disbalancuar, vijmë duke qëndruar mbi falsitete të papranueshme”- tha Berisha.