Një falënderim besimtarëve për mbështetjen e dhënë edhe në kohë krize
Paraqitet bilanci i Selisë së Shenjtë
Përfundoi dje në Vatikan mbledhja dy ditore e Këshillit të kardinajve për studimin e çështjeve organizative dhe ekonomike të Selisë së Shenjtë, kryesuar nga Sekretari i Shtetit, kardinali Tarçizio Bertone. Sot u bë i ditur bilanci përfundimtar i Selisë së Shenjtë dhe i Guvernatoriatit. Bilanci i konsoliduar i Selisë së Shenjtë për vitin 2011 mbyllet me një deficit prej gati 15 milionë euro. Kapitujt apo zërat e shpenzimeve më të mëdha janë ata që kanë të bëjë me koston e personelit që, deri më 31 dhjetorin e kaluar, numëronte 2.832 njësi, dhe ai që ka të bëjë me mjetet e komunikimit shoqërorë, konsideruar në tërësinë e tyre. Është fjala për një rezultat – nënvizon deklarata shtypi – në të cilin ka ndikuar ecuria negative e tregjeve financiare botërore, çka nuk ka mundësuar arritjen e objektivave të caktuar paraprakisht. Bilanci përfundimtar 2011 i Guvernatoriatit të Vatikanit – që ka një administratë autonome e të pavarur nga kontributet e Selis së Shenjtë, i cili, përmes Drejtorive të ndryshme, kujdeset për nevojat që kanë të bëjnë me menaxhimin e Shtetit – është mbyll me një bilanc aktiv me gati 22 milionë euro. Deri më 3 dhjetor të kaluar rezultonin 1.887 njerëz të punësuar. Posaçërisht domethënëse del ndihma që vjen nga Muzetë e Vatikanit, që kalojnë nga 82 milionë euro në mase 92 milionë euro fitim, për një numër të mase 5 milionë vizituesve, shifër kjo që, sipas specialistëve, i rendit Muzetë e Vatikanit ndër më prestigjiozët e më të rëndësishmit në nivelin botëror. Lëmosha e Shën Pjetrit, do të thotë ofertat dhuruar nga besimtarët në mbështetje të veprimtarisë bamirëse të Papës, ka kaluar nga 67.704.416 dollarë deri më 2010, në 69.711.722 dollarë. Pastaj është kontributi në bazë të kanunit 1271 CIC ( të së drejtës kanonike), që do të thotë mbështetja ekonomike ofruar nga dioqezat kishtare të mbarë botës për mirëmbajtjen e shërbimit të Kuries Romake pranë Kishës universale, që ka kaluar nga 27.362.258 dollarë në vitin 2010, në 32.128.675 dollarë. Kontributet tjera dhënë Selisë së Shenjtë nga Institutet e Jetës së Shuguruar, Shoqëritë e Jetës Apostolike e Fondacionet kanë kaluar nga 747.596 dollarë në vitin 2010, në 1.194.217 dollarë. Përgjithësisht, është një rritje prej 7,54% në krahasim më vitin 2010. Së fundi, drejtori i Institutit për Veprat Fetare (IOR), Paolo Cirpiani, ka paraqitur situatën ekonomike të Institutit që drejton, e pas fjalimit të tij është zhvilluar një debat, në kuadrin e të cilit kardinajve të pranishëm u janë dhënë sqarimet përkatëse.
Koncili i Jeruzalemit, parë nga Benedikti XVI/Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme kushtuar Shën Palit, më 1 tetor të vitit 2008, u ndalua posaçërisht tek Koncili i Jerusalemit, si çast vendimtar për jetën e Kishës në fasha, objekt i emisionit tonë të kaluar, duke kujtuar se në të gjithë historinë e Kishës Krishterimi nuk ka qenë liri për të bërë si të duash, por liri për të pranuar Ungjillin e për t’i shërbyer. Në Kishë ekzistojnë karizma të ndryshme, por më e rëndësishmja është që çdo i krishterë t’i qëndrojë besnik së vërtetës së Ungjillit e të vihet në shërbim të të varfërve, me atë çiltërsi e liri, që ishin tipike për bashkësitë e para të krishtera. Papa ndalohet tek dy çaste-kyçe të jetës së Shën Palit: Koncili i Jerusalemit dhe i ashtuquajturi ‘aksidenti i Antiokisë’. Është një fjalë, në përvojën njerëzore, që hap gjithnjë horizonte të pakufishme e që merr kuptime edhe më të thella, në dritën e mesazhit të Krishtit. Kjo fjalë e bekuar është ‘liria’. Liria, ashtu si kuptohej në kohët e largëta, kur u mblodh Koncili i Jerusalemit, e si kuptohet në çdo kohë, ka karakteristika të mirëpërcaktuara. Lind nga Shpirti Shenjt, përkon plotësisht me të vërtetën e Ungjillit e nuk i harron kurrë të varfrit. Dy episodet ndriçojnë plotësisht mënyrën si e kuptonte Pali ‘Ungjillin e lirisë, të parë në lidhje me ligjin”. Kur, aty rreth vitit 50, Dymbëdhjetë Apostujt e edhe Pali u mblodhën në Jerusalem për Koncilin e parë në historinë e Kishës, u paraqit çështja, që kërkonte sqarim të ngutshëm: paganët e kthyer në krishterim duhet t’i nënshtroheshin apo jo Ligjit të Moisiut e, prej këndej, edhe rrethprerjes, ashtu si të krishterët që vinin nga hebraizmi? Pali, personifikim i apostullit ndërmjet paganëve, nuk ka asnjë dyshim. Në dritën e takimit me Krishtin e ngjallur, ai kishte kuptuar se në çastin e kalimit tek Ungjilli i Krishtit, nuk ishte më e nevojshme që paganët të rrethpriteshin, t’u nënshtroheshin rregullave që kishin të bënin me ushqimin e me të shtunën, për t’u dalluar si të drejtë: Krishti është drejtësia jonë, prandaj është ‘e drejtë’ gjithçka përkon me Të. Nuk është nevoja për shenja të tjera dalluese, që të jesh i drejtë.
Por, na kujton Benedikti XVI, liria e krishterë nuk mund të identifikohet kurrë me liberalizmin apo shthurjen e as me dëshirën për të bërë si të duash; ajo realizohet në përkim me Krishtin e, prej këndej, në shërbimin ndaj vëllezërve, sidomos të atyre që kanë më shumë nevojë. Mbledhja e lëmoshave, si formë e ndihmës për të varfrit, kujton Papa, ishte tipike për të gjitha Kishat që ndoqën porositë e Koncilit të Jerusalemit: nuk ishte e detyrueshme, por e lirë, e vetvetishme, dëshmi që tregon se dashuria për të varfrit e kulti i brendshëm i Kishës shkojnë krah për krah. Ishte fjala për një nismë krejt të re në panoramën e veprimtarive fetare (…). Mbledhja e lëmoshës shprehte detyrimin e bashkësive për Kishën e tyre nënë të Palestinës, nga e cila kishin marrë dhuratën e parrëfyeshme të Ungjillit. Aq e madhe është vlera që i jep Pali këtij gjesti të ndarjes së përbashkët të pasurisë, sa rrallë herë e quan thjeshtë ‘lëmoshë’: për të ky është ‘shërbim’, ‘bekim’, ‘dashuri’, ‘hir’, madje ‘liturgji”. Edhe në rastin e dytë, është përsëri ligji i Moisiut ai që kushtëzon sjelljen e Kryetarit të Apostujve. Pjetri, vëren Benedikti XVI, për të mos i shkandulluar të krishterët, që ndiqnin rregullat e pastërtisë së ushqimit, nisi të mos hajë më me paganët. Pali i kundërvihet me çiltërsi, duke e akuzuar Pjetrin për hipokrizi. Në të vërtetë Pali e Pjetri nuk kishin të njëjtat shqetësime e ngjarja e Antiokisë është një mësim që duhet ta nxëmë të gjithë. Me karizmat e ndryshme, që iu besuan Pjetrit e Palit, ta lemë të gjithë veten të udhëhiqemi nga Shpirti Shenjt, duke u përpjekur të jetojmë në lirinë, që orientohet nga besimi në Krishtin dhe konkretizohet në shërbimin ndaj vëllezërve. Themelore është të jesh gjithnjë më shumë në përkim me Krishtin. Kështu njeriu mund të bëhet vërtetë i lirë e kështu mund ta shprehim thelbin kryesor të ligjit, që është dashuria për Hyjin e për të afërmin. Papa e quan ‘ngjarje e Shpirtit Shenjt’ koncilin e Jerusalemit, si dhe çdo koncil e çdo sinod të Kishës!