Ditari i një konference
Konferenca shkencore, detyra dhe mundësia e akademikëve, mbledh nën një çështje apo temë kryesore, studimet, përpjekjet, qasjet dhe analizat e atyre që shpesh janë intelektualë, pedagogë, studiues, apo kandidatë për tituj shkencorë. Objektivi i konferencës është sigurimi i një kanali të rëndësishëm për shkëmbimin e informacionit mes studiuesve. Një konferencë shkencore është me rëndësi për faktin se kërkon të kombinojë mendimet dhe studimet e aktorëve të sferave të ndryshme, duke nxitur kërkimin shkencor, mes dhënies së fakteve, analizave, hulumtimeve të reja dhe dokumenteve.
Edhe konferencat shkencore nuk i kanë shpëtuar prirjeve të tilla si p.sh. tendenca për ‘masterifikim’ (term i shpikur për të përcaktuar marrjen e pamerituar të diplomave universitare dhe titujve shkencorë), ndaj dhe konferencat ndonjëherë ndërtohen mbi bazën e simbiozave të interesave: duke u parë si përfitim akademik apo financiar, ose si një detyrim formal për të plotësuar numrin e nevojshëm të punimeve shkencore për t’u quajtur Doktor, apo Profesor, etj. Kur përmend këto tendenca e bëj për t’i veçuar ato nga përpjekjet vërtet serioze dhe të suksesshme për të realizuar dhe grumbulluar punime të mirëfillta kërkimore e shkencore me impakt real në shoqëri. Tek konferencat shkencore – ato seriozet dhe angazhueset – do veçoja forcën dhe ndikimin që ato mund të kenë në sajë të aspektit të tyre joformal – joshkencor, por human dhe social.
“Ballkani, dje, sot dhe nesër”, titullohej konferenca e zhvilluar në Tetovë dhe Shkup, më 29-30 qershor, organizuar nga Instituti i Studimeve Politike dhe Ndërkombëtare (Shkup). Në fokus të studimeve, analizave dhe diskutimeve ishin fatet e këtij rajoni në 100 vjet histori, që nga Luftërat Ballkanike e deri në ditët e sotme. Bazuar në faktet historike, sociale, gjuhësore, etnokulturore, e në trajtesat studimore, mediatike e deri tek ato politike, studiues dhe personalitete nga i gjithë Ballkani trajtuan ngjarjet, problematikat dhe sfidat me të cilat përballen vendet e këtij rajoni, si dhe diskutuan zgjidhjet e mundshme për to. Evropianizimi i Ballkanit Perëndimor, çështja kombëtare shqiptare, bashkëpunimi rajonal dhe deballkanizimi i plotë i Ballkanit, ishin çështjet më shqetësuese dhe më të debatuara në konferencë.
Për të marrë pjesë në këtë konferencë, janë dashur muaj të tërë përgatitje, përveç njohurive tashmë të marra lidhur me Ballkanin dhe integrimin evropian. Por ajo që nuk mësova dot, duke lexuar libra, disertacione apo artikuj gazetash, është ajo ç’ka merr dhe përfiton nga kontakti social – gjatë dhe pas konferencës. Një gazetar nga Kosova, një profesoreshë nga Rumania, një pedagoge filozofie nga Tirana, një biznesmen shqiptar i Maqedonisë, një zëvendës/ministër i qeverisë së Kosovës, një aktivist i një Forumi Paqeje, si dhe vetë organizatori i konferencës, patën më shumë ndikim tek vlerësimet e mija mbi çështjet e trajtuara në konferencë, sesa çdo kumtesë që dëgjova dhe çdo punim që lexova para dhe gjatë sesioneve të konferencës.
Edhe pse konferenca ishte shumë serioze dhe angazhuese, kumtesat ishin interesante dhe referuesit të përgatitur, diskutimet ishin të ndezura dhe aspak formale; mikpritja e organizatorëve, dashamirësia e shqiptarëve të Maqedonisë, këshillat dhe sugjerimet e akademikëve të Kosovës, problematikat e diskutuara nga gazetarë të shumë trevave të Ballkanit, skenarët dhe tezat e ngritura nga politikanë shumëngjyrësh e shumëgjuhësh, ishin shija e vërtetë e takimit shkencor. Ajo që mësova nga aspekti joformal i konferencës, nga shkëmbimet e mendimeve dhe eksperiencave, nga kritikat, sugjerimet, apo lëvdatat, ishte bindja se shqiptarët e çdo treve, se shoqëritë e vendeve të Ballkanit dhe jo vetëm, kanë nevojë për më shumë kontakte sociale, për më shumë humanizëm, dashamirësi, interaktivitet. Projekti i integrimit evropian, apo ideja e Beneluksit Ballkanik, konfliktet etnike apo nacionalizmi frustrues, me gjithë impaktin që ato kanë në prosperitetin apo ballkanizimin e këtij rajoni, nuk mund të kenë më shumë vlerë në jetën e përditshme të një politikani, gazetari, pedagogu apo biznesmeni, sesa mikpritja, bujaria, bashkëjetesa, mirënjohja, harmonia, bashkëpunimi, apo fqinjësia e mirë.
Këto janë vlerat që shoqëritë e Ballkanit nuk i kanë harruar, as në momentet e tyre më të vështira, vlera të cilat m’u riprezantuan gjatë punimeve të konferencës shkencore “Ballkani, dje, sot dhe nesër”.
*autorja është Pedagoge gazetarie