E Diel, 1 Nëntor 2026

100 vjetori i Pavaresise Kryetari i Bashkise se Tiranes ne tryezen e biznesit

“Ne, këtë muaj, siç kam premtuar inagurojmë sportelin me një ndalesë, shërbimin me një ndalesë, për të gjithë lejet e liçencat. Nëse sot, mesatarja e dhënies së lejeve të ndërtimit në rajon është 75 ditë, qyteti i Tiranës do ta presë këtë në 35 ditë, duke shtuar këtu edhe 20 ditë, të periudhës së detyrueshme për konsultim, nga ligji i ri i Urbanistikës”. Kështu u shpreh kryebashkiaku, Lulzim Basha, lidhur me një nga problemet më shqetësuese, kohëzgjatjen për marrjen e një përgjigjje për lejet e ndërtimit, ku kohëzgjatja nuk do të jetë më shumë se 55 ditë, më e shkurtër se mesatarja e rajonit, që është 75 ditë. Një deklaratë të tillë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha e bëri publike në tryezën e zhvilluar për lançimin e projektit: 100 biznese kombëtare, 100 produkte kombëtare, 100 ditë aktivitete, për 100 vjetorin e Pavarësisë. “Javët e biznesit kombëtar” është konceptuar si panair i produkteve shqiptare, i cili do të nisë në Tiranë, më datë 14 dhe 15 mars, për të vazhduar më pas në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë, Preshevë. Sipas kryebashkiakut Basha theksoi ky është një moment i mirë, për të nisur planifikimin për 100 vitet e ardhshme të kombit shqiptar. “Nuk mjafton vetëm vullneti i mirë, nuk mjafton vetëm dëshira e mirë, nuk mjafton vetëm patriotizmi i shprehur me fjalë apo me mënyra të tjera. Mënyra më e mirë për të nisur rrugëtimin tonë drejt 100-vjetorit tjetër të kombit shqiptar, në rrethana krejtësisht të tjera nga 1912-a, është t’i përvishemi punës, gjithsecili në fushën e vet”, vuri në dukje Basha. Po kështu, zoti Basha bëri të ditur se “sot, Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim konfirmoi një grant prej 500 mijë eurosh, kontribut i qeverisë italiane, si një nga partnerët e BERZH-it, për fizibilitetin e Stacionit të Ri Multimodal të Pasagjerëve në Tiranë”. Ndërsa më datë 8 mars do të zhvillohet konkursi ndërkombëtar për bulevardin e Tiranës, ku 7 prej 20 studiove më të mira arkitekturore të botës, më datë 8 mars do të prezantojnë maketet e tyre. “Hapet jo thjesht një kapitull i ri në urbanistikë, por një shans i jashtëzakonshëm për biznesin shqiptar, për të marrë pjesë në një vepër, që edhe kjo është për 100 vitet e ardhshme, sikundër bulevardi që kemi trashëguar provoi të ishte një vepër për 100 vitet e kaluara, apo 80 vitet e kaluara. Ky konkurs do të jetë i hapur për publikun, do të jetë i hapur për mediat, por ky konkurs duhet të shikohet me mendje të hapur nga kushdo që beson tek energjia dhe optimizmi i qytetit të Tiranës, pavarësisht nëse jeton në Tiranë apo jo dhe duhet të besojë se Bashkia e Tiranës do i kosiderojë të gjithë ata partnerë potencialë, për zhvillimin e kësaj ndërmarrjeje historike, faktikisht dyfishimit të qytetit të Tiranës, në kuptimin urban të fjalës, si aleatë të vetë, në përmbushjen e kësaj axhende ambicioze”, vlerësoi kryebashkiaku Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›