E Diel, 1 Nëntor 2026

100 vjetori i Pavarësisë, e gjen Shqipërinë të dixhitalizuar – mbrojtja e mjedisit, detyrë prioritare e çdo drejtuesi vendor

29-03-2012 / Gazeta 55

Mjedisi dhe dixhitalizimi, Berisha takim me prefektët: Shtrirja e internetit në 1200 pika të Postës Shqiptare – ndjekje ligjore për ndotësit e mjedisit


Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar asot një takim në selinë e Këshillit të Ministrave, me prefektët e vendit dhe Kryetarët e Qarqeve. Në fillim të fjalës së tij, kryeministri Berisha është ndalur në nismën e rëndësishme të qeverisë për Shqipërinë Dixhitale. Duke e cilësuar këtë nismë si jetike për vendin, kryeministri Berisha ka kërkuar angazhimin total të vendorëve për bashkëpunimin në këtë drejtim ndërsa kërkoi nga ata hapjen e zyrave me internet falas në 1200 pika, shërbim ky që do të sigurohet nga Posta Shqiptare, në mënyrë që ky 100 vjetor i Pavarësisë të përkojë me një Shqipëri dixhitale. “Do të bëhemi një ndër vendet e pakta në botë që shpërndjamë internet falas. Nuk mund të jetë inerneti mollë e ndaluar për asnjë qytetar shqiptar. Nuk mund të jetë çmimi i internetit pengesë për ta përdorur atë. Duhet bërë ulje çmimi. Nisma është jetike për të realizuar shërbimet më të shkëlqyera për qytetarët shqiptare, transparencën më makismale të vëprimtarive tona”- u shpreh Berisha. Njëkohësisht, Kryeministri evidentoi pikërisht dy prioritetet e qeverisë, për të cilat është bërë çdo përpjekje për të sjellë realizimin e tyre. “Qytetarë shqiptarë do ta kuptojnë se do të krijojmë sportelin unik për të gjitha shërbimet ndaj tyre dhe ai nuk mund të jetë veçse dixhital, prandaj është jetik suksesi i njërës prej dy përpjekjeve më madhore, e premtimeve me madhore të qeverisjes, ta bëjmë realitet të plotë këtë 100 vjetor. Potencialet tona i kemi realuizar në infrastrukturën rrugore dhe dixhitale. Të dyja këto operojnë në atë faktor që është më i çmuar së çdo gjë tjetër. Është faktori kohë. Janë shqiptarët që vendosin se çdo të bëjnë me kohën e tyre, por ne u japim mundësinë makismale që në udhëtimin e komunikimin ta kenë më të shkurtër, të shpenzojnë më pak e të lëvizin sa më shpejt”, vuri në dukje Berisha. Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Arqile Gorea duke u ndalur në këtë nismë kërkoi që “për t’u bërë sa më e efektiva kjo nismë është më mirë që të shfrytëzohen ambientet e shkollave”. Nëse ky bashkëpunim do të japë rezultate, Gore premtoi se deri në fund të vitit ngrihen 1750 pika interneti. Nga ana e tij, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj u shpreh se “është tërësisht e mundur që aty ku është e nevojshme të hapet një klasë dhe të vihet në dispozicion. Njëkohësisht do të bashkëpunojmë me prefektet e qarqeve”.


Berisha: Mjedisi, problemi i mbetjeve të trajtohet me seriozitet


Gjatë takimi me prefektët e vendit, kryeministri Berisha u ndal dhe në një tjetër çështje jo pak e prekshme nga qytetarët, siç është ajo e mbetjeve. Sipas, shefit të qeverisë mbetjet janë një problem, i cili ka impakt tek qytetarët. Për këtë arsye, ai u kërkoi drejtuesve të këtij institucioni që në bashkëpunim me drejtuesit lokale në të gjithë vendin dhe me Ministrinë e Mjedisit të përcaktojnë vendet e posaçme ku do të grumbullohen mbetjet. “Vendi çdo vit vizitohet nga miliona turistë dhe për këtë arsye, mbetjet janë një problem, i cili duhet të trajtohet me seriozitet.  Mbetjet, praktikim ndërhyrjet emergjente. Zgjidhja e çështjes së plehut është me impakt në shëndetin e qytetarëve shqiptarë. Ose nuk kemi prodhuar lajme ose kemi prodhuar lajme të këqija. Kemi qenë të rrethuar nga një racizëm e albanofobi që ka gjeneruar shpifjet më të shumta ndaj shqiptarëve. Por sot jemi tjetër. Fatmirësisht vizitojnë në vit këtë vend miliona njerëz dhe absolutisht secili prej tyre thotë që gjejnë një vend tërësiht tjetër nga ai që kemi pasur në mendje. Erdhën 100 studentë austriakë, një nga ata tha se këtu gjen një vend totalisht të ndryshëm nga ai që kishte në kokën e tij. Gjen gjëra të rralla këtu tek ne, por vendin e damkosin plehrat”, vlerësoi Berisha. Gjithashtu, në fjalën e tij kreu i qeverisë drejtoi apelin e qartë për të gjithë vendorët. “Sot sasia e plehut që prodhohet në ditë është 15 herë më e madhe se ç’prodhohej më parë. Sot Shqipëria është në dritën e diellit në çdo skaj të saj nga Bjeshkët e Namuna në Butrint. Duhet të praktikojmë ndërhyrjet emergjente dhe më e emergjente janë përcaktimi me përparësi i vendodhjeve ku do hidhen mbetjet. Ripozicionimi i tyre. Nuk ka pamje më të shëmtuar që mund të krijojë kryetari i bashkisë që lejon hedhjen e mbetjeve në rrugën kombëtare që të çon në qytet. Ku po shkon në qytetin e plehut”, deklaroi Berisha. Sipas tij, krimet e mjedisit janë krime të rënda, ndaj kërkoi nga prefektët që “ndotësit të ndiqen penalisht”. Por nga ana tjetër, ndalur në taksën e mjedisit, veç apelit ndaj qytetarëve për shlyerjen e saj, Kryeministri paralajmëroi që “për një mjedis të pastër duhet një rritje e lehtë e taksës së mjedisit”. Ndërkohë, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu vlerësoi faktin se kërkohet ndërhyrje nga vendorët “Kemi gati projektet për vendgrumbullimet e plehrave, të cilat do të jenë larg banesave. Situata e plehrave nuk mund të pranohet, ndaj kemi ngritur një grup pune, për të bërë të mundur përmirësimin e situatës”, u shpreh ministri Mediu.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›