E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, shpikësi i katastrofave

29-03-2012 / Gazeta 55

Pasi tha në Londër se shqiptarët s’janë anglezë, s’dinë të bëjnë zgjedhje e s’kanë të ardhme, në Tiranë paralajmëroi dje një katastrofë financiare. Kur s’i doli gjë me përmbytjen dhe borën, tani i është turrur idesë së rënies së shtetit nga borxhi publik. Shpikësi i katastrofave i legjitimon kataklizmat, përpara tryezave ku ai flet dhe të tjerët tundin kokën, apo edhe duke nxjerrë nëpër media, për të amplifikuar legjitimitetin e katastrofave e kataklizmave, ekonomistët e tufëzave e të arëzave

Tryeza e djeshme e thirrur prej Edi Ramës, e paralajmëruar për diskutime mbi infrastrukturën rrugore, u shfrytëzua prej kreut të PS-së për lëshimin e “alarmit” të radhës, për rrezikun virtual që vetëm ai e sheh “të falimentimit të Shqipërisë nga borxhi publik”.
“Alarmi” i djeshëm i Edi Ramës erdhi pas vizitës kryqëzuese nga shqiptarët që jetojnë, punojnë e studiojnë në Londër. Pikërisht, pasi tha në Londër se shqiptarët s’janë anglezë, s’dinë të bëjnë zgjedhje e s’kanë të ardhme dhe mori përgjigjet e merituara në auditorin e “London School of Economics”, me rikthimin në Tiranë ju rikthye paralajmërimit për rrezikun virtual që vetëm ai e sheh, për “një katastrofë financiare”.
Sikur Edi Rama të ishte një tip Nostradamusi, paralajmërimi i tij “për krizë financiare” edhe mund të merrej seriozisht.
Dhe jo vetëm kaq.
Por, sikur Eid Rama vërtetë të ishte një tip Nostradamusi, dje, ai nuk do të mblidhte tryezën e radhës e të diskutonte për infrastrukturën rrugore, por më e pakta do të dërgonte Ilir Beqjan me gjithë përqeshjen e stampuar në surratin e tij, të shpërndante ca bidonë me ujë, në zonat e mundshme të përmbytura prej shkrirjes së borës, rrezik që Edi Rama megjithëse e ka para vetëm ai virtualisht, nuk nguroi ta artikulonte me zë të lartë në ditët e izolimit të zonave veriore e verilindore nga bora... Ndërsa më e shumta, Edi Rama do ti hipte vetë ndonjë varke të mundshme në zonat e përmbytura prej tij virtualisht dhe do të vetëkënaqej me përmbytjet, sepse beson se prej tyre vjen pluskimi i tij drejt qeverisë.
Por dje, pasi nuk i doli gjë me përmbytjen nga shkrirja e borës, ju turr idesë së rënies apo rrezikut virtual që vetëm ai e sheh “të falimentimit të Shqipërisë nga borxhi publik”.
Shpikësi i katastrofave i legjitimon kataklizmat, përpara tryezave ku ai flet dhe të tjerët, tundin kokën, pse kuptojnë që ndërsa janë thirrur për të diskuar për infrastrukturën rrugore, janë të detyruar të dëgjojnë për borën dhe përmbytjet që pritet, por s’po vijnë prej shkrirjes së saj, apo të dëgjojnë për rrezikun virtual që vetëm Edi Rama e sheh “të falimentimit të Shqipërisë nga borxhi publik”.
Ndërsa të ftuarit e Edi Ramës, specialistë e njohës të problemeve të infrastrukturës rrugore, shihnin njëri-tjetrin në sy, pse nuk bëjnë dot lidhjen e asaj për të cilën ishin thirrur dhe asaj që dëgjonin nga Edi Rama, janë të tjerë “specialistë”, që flasin jashtë tryezave të kryesocialistit. Shumë apo pak, numri i këtyre “specialistëve” është relativ, por për më tepër nuk ka edhe shumë rëndësi, për deri sa ata kanë të gjithë një të përbashkët... Sepse ndërsa detyrohen të dalin nëpër media për të legjitimuar problemet e Edi Ramës me virtualitetin, apo e thënë ndryshe për të amplifikuar legjitimitetin e katastrofave e kataklizmave virtuale që i sheh vetëm ai (Edi Rama), vetë ata (“specialistët”), s’janë asgjë më shumë se ca ekonomistë të tufëzave e të arëzave, të themi, pse jo, të tipit Pajtim Bello.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›