E Diel, 1 Nëntor 2026

100-vjetori i Pavarësisë, qendra e Vlorës me fytyrë të re

VLORË- Projektet që janë në proces apo pritet të nisin, do ta shndërrojnë qendrën historike të qytetit të Vlorës në një mjedis bashkëkohor, të denjë për emrin e saj dhe vlerat shumëdimensionale ku përfshihen edhe ato turistike. Në prag të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, vendin e ngrehinës gërmadhë të dikurshme në Sheshin e Flamurit do ta zerë një kompleks hotelier dhe tregtar, i standardeve më të përparuara bashkëkohore.

Arkitekti Arben Meksi thotë se, objekti do të ketë një lartësi prej 13-14 katesh dhe do të plotësohet edhe me parkime nëntokësore, me një kapacitet mbajtës për qindra automjete. Ai është konceptuar në dy seksione, të cilat do të jenë të ndara në funksion, por plotësuese ndaj njera tjetrës në simbolikën arkitekturore.
Por, vetë objekti që në tërësi do të shtrihet në një sipërfaqe prej disa mijra metrash katrorë, është konceptuar si pjesë e një mjedisi me vlera historike e arkitektonike dhe në raporte plotësisht funksionale me to, ku përfshihen godina e Bankës Kombëtare Tregtare, Monumenti i Pavarësisë dhe Lulishtja e Flamurit, godina e Muzeut Historik, lagjia e vjetër e qytetit etj. Në këtë kontekst, ai nuk do të jetë një objekt i shkëputur, por plotësues ndaj këtij mjedisi.

Punimet për ndërtimin e këtij objekti kanë nisur dhe janë në një fazë të rëndësishme dhe me përfundimin e tyre do të rikthehen edhe vlerat e Sheshit të Flamurit, jo vetëm si një mjedis historik, por edhe funksional për vetë qytetin. Krahas kësaj, qendra historike e qytetit të Vlorës është bërë pjesë e një projekti që synon ruajtjen dhe rivitalizimin e vlerave të saj, duke realizuar investime konkrete për restaurimin e objekteve që ndodhen në të.

Ky projekt, që do të realizohet përmes një bashkëpunimi të Bashkisë së Vlorës dhe Universitetit privat “Pavarësia”, ku funksionon Departamenti i Arkitekturës, nën kujdesin dhe mbështetjen e Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, do të zgjasë për një periudhë 3-vjeçare në përfundim të të cilës, parashikohet që kjo pjesë e qytetit të ketë një profil ndryshe, gjë që do të shoqërohet edhe me një hartë arkitekturore ku të përfshihen këto vlera.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›