E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakti/Rama dje në Durrës, “muhabet në errësirë”

05-04-2013 / Gazeta 55

Agjitatorët e Partisë Socialiste me në krye kryetarin Rama zhvilluan dje në qytetin e Durrësit një seancë agjitpropi për të zbërthyer “programin” që kjo parti dikur me emrin Parti e Punës, mëton se do sjellë “rilindjen”. Krahas kryetarit që luante keq rolin e një pastori moderator, të pranishëm në seancë ishin deputetët K. Spahiu, M. Harito (Koleka), E. Gjermeni, I. Beqja që “zbërthyen” më mënyrat e tyre “rilindjen” e premtuar.
Gjatë muhabetit të mërzitshëm pjesa që mbushte sallën u shfaq e paduruar nga ajo që po shihte dhe kryetari i detyrua të ndërhynte me fjalët se “muhabetin në errësirë” nuk duhej ta prishnin pasi një tjetër në diell do zhvillonin më vonë. Kjo pasi ai tha se “këtë herë e kemi brenda” dhe se “herën tjetër do ta kemi përjashta”. I referohej kjo atij imazhi që i përngjiste kubeve mafioze të zhvilluara në errësirë, në të cilat heshtja është gjëja me serioze.
Në këtë “muhabet në errësirë” që siç e thanë edhe vetë e kishin brenda, deputetja aktuale Spahiu foli për shëndetësinë. Të njëjtat gjëra që ka recituar deri tani pa gjë konkrete. Deputetja aktuale Gjermeni foli për veteranët se do rritej kujdesi për ta, se do ndërmerreshin të gjitha masat për të përkujtuar “ngjarjet e mëdha”, etj. Një zot e di se kush quhet “veteran” akoma dhe a është e trashëgueshme veteranësia apo jo. Nëse marrim parasysh se lufta ka 70 vjet që ka mbaruar, minimalisht pretenduesit veteranë duhet të jenë të moshës 95 – 110 vjeç. Kësisoj pretenduesit si “veteranë” ose janë abuzivë ose premtimi që bën zonja deputete nuk i bazohet asnjë realiteti.
Zoti Beqja, mandat-humburi i kësaj legjislature që po mbyllet foli për punën e pensioneve. Ai u ndal te ushtarakët që do merrnin pensionet e tyre. Madje ai u shpreh se ushtarakët që kanë punuar në “shërbimet sekrete” do vlerësohen më shumë, duke nënkuptuar qartë se respekti i Partisë Socialiste për armën e dashur të Sigurimit të Shtetit mbetet e palëkundur.
E mori fjalën më tej një kandidate për deputete, mesa duket në Qarkun e Durrësit. Zonja Harito mbesë e familjes Koleka foli për të përndjekurit politikë.
Natyrisht ajo as kishte koncepte për të burgosurit, për të internuarit në tela me gjemba, etj, pasi nuk i përket kësaj shtrese. Partia Socialiste si pasardhëse e Partisë së Punës ka urrejtje patologjike për të përndjekurit politikë të regjimit komunist. Këtë e tregoi edhe me mosbotimin e ligjit të lustracionit, pasi oficerët e Sigurimit, të ushtrisë komuniste, hetuesit, gjykatësit, prokurorët e kësaj kohe, janë përbërësit dhe njëkohësisht votuesit themelore të PS-së. “Armiqtë e popullit” të dënuar në vitet e para nuk ishin gjë tjetër veçse kundërshtarë të regjimit komunist, pjesëtarë të bindjeve të tjera, të dënuar pikërisht nga këto “veteranë”, xhelatë, oficerë Sigurimi, prokurorë, etj. Partia Socialiste në këtë mënyrë kërkon të paraqitet edhe mbrojtësja e klasës së vet shoqërore (pjesa më e zezë e shoqërisë shqiptare), edhe e viktimave të tyre, të përndjekurve politikë.
Më qesharake duken akoma premtimet për dëmshpërblim, kur kjo parti për 8 vite në pushtet nuk dha asnjë lek për të përndjekurit politikë. Në fund, takimin mortor të Durrësit e mbylli “kompetenti”. Ky bëri një përmbledhje të çështjeve që u thanë. Në fund tha se herën tjetër “do ta kemi jashtë”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›