100-vjetori i pavarësisë, Berisha: Ti japim Tiranës frymën perëndimore
Kryeministri Berisha ka vizituar sot maketet e prezantuara në Galerinë e Arteve, njëri prej të cilëve do të shndërrohet në monumentin më të ri që i kushtohet 100-vjetorit të pavarësisë.
I shoqëruar nga kryebashkiaku Basha dhe ministri i Kulturës, Bumçi, kryeministri pasi ka parë të 60 maketet e prezantuara është shprehur se monumenti që do të ndërtohet e që i ka munguar kryeqytetit për 11 vjet me radhë duhet të ketë frymë perëndimore.
Kryetari i Bashkisë ka një shans të madh për të përzgjedhur këtë projekt për të pasuruar Tiranën me vlera historike që i mungojnë. 11 vitet e humbura të Tiranës në rrafshin europain, në të cilat nuk mund të gjenim vlera artistike europiane. Në ato 11 vite bëheshin beteja për të mbrojtur një trashëgimi që uroj ta harrojë Bashkia e Tiranës, duke filluar me Pallatin e Kulturës që përbën një shëmti të pamerituar për qytetarët. Çdo vendim që do marrë Bashkia e Tiranës për ta rivendosur kryeqytetin në platformën europiane në të cilin lindi, qeveria e mbështet. Ta shkëpusim Tiranën nga ajo periudhë që e çoi kryeqytetin drejt akullnajave ballkanike e lindore, ka nevojë për aromë perëndimore, tha Berisha. / G.N.