Berisha me anëtarin e Byrosë së PK të Kinës: Partia Komuniste Kineze dhe PD, forca transformuese
Kryeministri Berisha është takuar sot me anëtarin e Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës Liu Çi. Në këtë takim, kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi ekonominë e Kinës, si një prej vendeve më ritme më të larta zhvillimi. Duke folur për situatën ekonomike në vend, Berisha ka theksuar se raporti i Bankës Botërore jep vlerësime pozitive për situatën. Në këtë linjë ai ka ftuar biznesin kinez që të investojë në Shqipëri, si një vend i sigurt.
Kryeministri theksoi se investitorët kinezë janë të mirëpritur të investojnë në Shqipëri si dhe të përfitojnë nga investimet në infrastrukturë dhe punë publike, qoftë në sektorin publik dhe atë privat. Ai inkurajoi investime në infrastrukturën portuale, në energjetike, miniera, në turizëm, etj dhe siguroi se qeveria shqiptare do të krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme për to.
Duke vënë në dukje pozicionin e favorshëm gjeografik të Shqipërisë, Kryeministri u shpreh i gatshëm të mbështesë krijimin e një zone të lirë për investimet kineze që mund ta shfrytëzojnë këtë pozitë të favorshme për penetrim të mëtejshëm në tregjet evropiane bën të ditur zyra e shtypit e Kryeministrit.
Anëtari i Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës zoti Liu Çi falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen miqësore dhe i përcolli përshëndetjet e Sekretarit të Partisë Komuniste të Kinës Hu Jintao dhe të Kryeministrit kinez Ëen Jiabau. Ai e cilësoi si shumë të suksesshme vizitën e Kryeministrit Berisha në vitin 2009, në Republikën Popullore të Kinës dhe vlerësoi lart angazhimin e të dyja palëve për konsolidimin dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale, si dhe e falënderoi Kryeministrin për rolin e tij themelor në këtë drejtim. Ai shprehu gjithashtu, falënderimet për rolin e rëndësishëm që Shqipëria luajti në anëtarësimin e Republikës Popullore të Kinës në OKB, si dhe për politikën konstante të qeverisë shqiptare për njohjen e një Kine të vetme.
Zoti Liu Çi ndau të njëjtin mendim me Kryeministrin se Partia Komuniste Kineze dhe Partia Demokratike e Shqipërisë janë dëshmuar forca transformuese të shoqërive në të dy vendet dhe ftoi që një delegacion i lartë i Partisë Demokratike të vizitojë Kinën. Në mënyrë të posaçme ai shprehu interes për vizitën e një delegacioni politikanësh të rinj si një mjet shumë i mirë për forcimin e bazës shoqërore të marrëdhënieve ndërpartiake.