100 vjetori i shkollës së parë në Vlorë
Ceremonia e përkujtimit në shkollën e konsideruar si pararendësja e arsimit shqip
100 vjetori i shkollës së "Muradies" e para shkollë shqipe në rrethin e Vlorës, u përkujtua të mërkurën në mbrëmje në një ceremoni të organizuar në ambientet e kësaj shkolle, që sot mban emrin "28 Nëntori". Drejtoresha e shkollës, Drita Shehu, tha se "shkolla e Muradies ishte pararendësja e arsimit shqip në rrethin e Vlorës. Kjo shkollë edhe sot është një nga shkollat më të njohura në këtë rreth, ku aktualisht mësojnë rreth 300 nxënës".
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, tha se "shkolla e Muradies përbën një nga aktet më të rëndësishme të fillimit të shekullit XX, në rrethin e Vlorës".
Sipas tij, kjo ngjarje krahas përpjekjeve të patriotëve dhe atdhetarëve të kohës çoi në përgatitjen e kushteve të nevojshme për shpalljen e Pavarësisë, në 28 nëntor të vitit 1912.
Ndërsa Prefekti Hasan Halili, e cilësoi këtë shkollë si një burim të dijes dhe të kulturës në të gjithë rrethin dhe më gjerë.
Shkolla e "Muradies" dhe roli i saj në përhapjen e vlerave atdhetare
Shkolla e "Muradies", e para shkollë shqipe e çelur në Vlorë në 19 nëntor 1908 u vendos në një nga lagjet më të vjetra, në lindje të sheshit të sotëm të Flamurit dhe për këtë arsye u emërtua "Shkolla e Muradies".
Ky insitucion i parë për mësimin e gjuhës shqipe dhe përhapjen e vlerave atdhetare me këtë emër njihet më shumë edhe sot, ndonëse në terminologjinë zyrtare ajo është quajtur shkolla "28 nëntori".
Historiani Bardhosh Gaçe, shprehet se çelja e kësaj shkolle cilësohet si një hap i guximshëm dhe atdhetar i patriotëve të kohës, të cilët shihnin tek përhapja e gjuhës shqipe, një nga faktorët vendimtarë që do të çonte në ruajtjen e identitetit kombëtar.
Nga ana tjetër, ky akt historik i rëndësishëm jo vetëm për Vlorën, por edhe më gjerë, u ndërmorr në një sfond të gjerë të lëvizjes patriotike në të gjithë vendin, e cila çoi më pas në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare.
Sipas historianit Gaçe, çelja e shkollës së Muradies, nuk mund të merret e shkëputur nga një varg ngjarjesh të rëndësishme të kohës, ku spikaste Kongresi i Manastirit.
Ndërsa studiuesja Drita Shehu, thotë se "hapja e kësaj shkolle ishte rrjedhojë e drejtpërdrejtë e aktivitetit atdhetar të klubit "Labëria", që është i njohur për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në përhapjen e vlerave patriotike dhe atdhetare, si dhe në aktin më të rëndësishëm historik, Shpalljen e Pavarësisë, në 28 nëntor të vitit 1912".
Drejtori i parë i shkollës së Muradies ishte Leonidha Naçi, ndërkohë që më pas u emërua patrioti i shquar "Mësuesi i Popullit", Jani Minga etj. Në këtë shkollë kanë mësuar patriotë të shquar si, Ali Asllani, poet dhe kryetar bashkie, Osman Haxhiu, komandanti i shquar i Luftës së Vlorës, Ibrahim Avdullai, Ceno Sharra, Hasan Sharra, Alem Mehmeti, Ibrahim Kushta, apo shkrimtarët Petro Marko, Fatos Arapi, patriotët Halim Xhelo, Hysni Lepenica etj.
Studiuesja Drita Shehu shprehet se në vitet e para të shekullit XIX, shkolla e Muradies, njihej si e vetmja qendër kulturore në Vlorë.
Sipas saj, për shkak të aktivitetit patriotik dhe të përhapjes së gjuhës shqipe, shkolla u mbyll nga xhonturqit në mesin e vitit 1909. Ky akt, u kundërshtua ashpër nga patriotët vlonjatë dhe prej tyre u bënë të gjitha përpjekjet që vendimi të kthehej mbrapsht e shkolla të riniste zhvillimin e mësimit. Në këto kushte "Shkolla e Muradies" u rihap sërish në mesin e vitit 1910, gjë që mund të cilësohet si një fitore e lëvizjes patriotike e atdhetare në qytetin e Vlorës. Madje, një nga të veçantat e këtij institucioni të arsimit shqiptar në qytetin e Vlorës, lidhet edhe me periudhën e shpalljes së pavarësisë, akti i të cilës u realizua në këtë qytet.
Në kushtet e mungesës së mjediseve të mjaftueshme për Qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali, Ministri i parë i arsimit, Luigj Gurakuqi, e vendosi fillimisht zyrën e vet në godinën e kësaj shkolle. Nga godina ku ishte vendosur ajo u nxorën edhe qarkoret e para për organizimin e sistemit arsimor në rrethin e Vlorës dhe në mbarë vendin.
Por, për historianin Bardhosh Gaçe, shkolla e parë shqipe në qytetin e Vlorës ishte rrjedhojë e natyrshme e përpjekjeve që u bënë për ruajtjen e identitetit kombëtar për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha shekullore otomane dhe për krijimin e shtetit shqiptar.
Ai thekson se "çelja e këtij institucioni ishte pjesë e atmosferës patriotike të krijuar në fundin e shekullit të XIX dhe fillimin e shekullit XX, në Vlorë dhe në mbarë trevat shqiptare. Në fillim të shekullit XX në qytetin e Vlorës u krijuan dhe funksionuan një numër i konsiderueshëm shoqërish atdhetare, kulturore, arsimore".
Një nga këto shoqëri dhe më e njohura, vijoi ai, ishte Klubi Atdhetar Patriotik "Labëria", që u krijua në tetor të vitit 1908. Nuk është rastësi, që vetëm disa javë pas kësaj ngjarjeje në qytetin e Vlorës u çel shkolla shqipe.
Gaçe nënvizon se krijimi i Klubit Atdhetar "Labëria" vlerësohet si një faqe e re e lëvizjes kombëtare në Vlorë e më gjerë në vazhdë të përpjekjeve që nisën qysh në vitin 1905, nga ana e Shoqërisë së Shqiptarëve të Bukureshtit, asaj të Manastirit, apo të Filatit, Selanikut etj, në aktivitetin e patriotëve të shquar si Ismail Qemali, Elmaz Xhaferri, Xhemil Bej Vlora, Hamza Isai, Abaz Mezini, Ibrahim Shyti, Ceno Sharra, etj
Përhapja e kulturës dhe arsimit shqip në trevat e Vlorës janë të lidhura me këtë klub dhe shtrirjen e aktivitetit të tij në Dukat, Himarë, Kurvelesh, Tepelenë, Sevaster, etj. Nga ana tjetër, shkolla e Muradies u pasua edhe nga një tjetër institucion arsimor në këtë qytet. Në godinën ku sot është vendosur Muzeu Etnografik në vitin 1909 u çel shkolla shqipe për vashat e këtij qyteti, që drejtohej nga patriotja, Marigo Posio.
Shkolla e Muradies, vazhdoi aktivitetin e saj në përhapjen e gjuhës shqipe. Ajo është edhe sot një nga shkollat më të njohura, në qytetin e Vlorës.
...