Familjet e pastreha në Kukës përfitojnë 28 milionë lekë nga buxheti i shtetit
Një fond prej 28 milionë lekë është dhënë nga buxheti i shtetit për blerje të banesave në tregun e lirë për familjet e pastreha në qarkun e Kukësit. "Akordimi i këtij fondi për të pastrehët e këtij rajoni është i pari pas 10 vjetësh dhe mundëson zgjidhjen e problemit për disa nga familjet më në nevojë dhe që nuk kanë asnjë mundësi për zgjidhjen e problemit të strehimit përmes të ardhurave të veta", tha përgjegjësi i zyrës rajonale të entit të banesave, Naim Palushi. Sipas tij, po bashkëpunohet me pushtetin vendor me synimin e blerjes së 12 banesave në qytetin e Kukësit dhe 3 banesave në qytetin e Bajram Currit. "Blerja e apartamenteve në tregun e lirë po kryhet nga një komision, ndërsa të interesuarit që duan të shesin apartamentin e tyre janë informuar përmes medias lokale", sqaroi Palushi. Ai theksoi se në tregun e lirë në qytetin e Kukësit çmimi i një apartamenti luhatet nga 1,5 milionë lekë në 1,9 milionë lekë, ndërkohë që në qytetin e Bajram Currit ai është rreth 20 për qind më i ulët. Apartamentet do t'u jepen familjeve më në nevojë të përzgjedhura nga këshillat bashkiakë me kredi për 25 vjet me interes 2 për qind, ndërsa shpërndarja e tyre përfundon brenda muajit dhjetor të këtij viti. Në kushtet kur mbi 40 për qind e familjeve jetojnë me ndihmë ekonomike ka bërë që nga viti në vit numri i familjeve të pastreha të rritet. Kështu aktualisht në qytetin e Kukësit numri i familjeve të pastreha arrin në 600, në qytetin e Krumës 220 dhe në qytetin e Bajram Currit 415....