Nisi sot në Shkodër trajnimi punonjësve të gjendjes civile për regjistrin elektronik
28 punonjës të zyrave të Gjendjes Civile në qarkun e Shkodrës nisën sot një trajnim 3 ditor në kuadër të projektit të kompjuterizimit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Të ndarë në disa grupe pune, trajnuesit u sistemuan në laboratorët kompjuterikë të shkollës së mesme "Don Bosko" në qytetin e Shkodrës, e cila po kontribuon në zbatimin e këtij projekti të ndërmarrë në të gjithë vendin nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. "Me zbatimin e këtij projekti në të gjitha zyrat e gjendjes civile të vendit, duke përfshirë edhe atë të qarkut të Shkodrës, do të instalohet një softëare i ri, i cili do të bëjë të mundur lidhjen on-line me qendrën në Tiranë, e cila ka Regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile", tha gjatë këtij trajnimi, prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu. Ai theksoi se Qeveria shqiptare është shumë e interesuar për përfundimin me sukses të këtij projekti, i cili do t’i sjellë vendit një standard bashkëkohor dhe do të japë ndikimin e tij edhe në procesin zgjedhor të vitit të ardhshëm. Duke vlerësuar punën që po bëjnë specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile së bashku me ekspertët e trajnimit, prefekti Cungu tha se "instalimi i këtyre softëareve pritet të përmirësojë ndjeshëm shërbimet e zyrave të gjendjes civile në të gjithë territorin e qarkut të Shkodrës". Programi i dixhializimit të Zyrave të Gjendjes Civile është austriak dhe po zbatohet në kuadër të bashkëpunimit mes OSBE-së dhe Ministrisë së Brendshme....