E Diel, 1 Nëntor 2026

KSHH: Politika penale Bashkëkohore për zbutjen e mbipopullimit në Burgje

Problemi i mbipopullimit në burgje në Shqipëri mund të ulet përmes zbatimit të një politike penale bashkëkohore, ështe rekomandimi i bërë ditët e fundit autoriteteve më të larta shtetërore si Parlamentit, Presidentit dhe Qeverisë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, bënë të ditur sot burime nga ky Komitet. Sipas të dhënave të marra në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, aktualisht në këto institucione gjenden 4666 persona të privuar nga liria dhe mbipopullimi ka arritur shifrën 900 persona. Ndërkohë që, disa seksione në burgje kanë dyfishin e kapacitetit krahasuar me mundësitë dhe me infrastrukturën e tyre. Nisur nga kjo situatë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), në bashkëpunim me përfaqësues të Agjencisë Holandeze të Institucioneve të Korrektimit (AHIK), kanë parë të nevojshme paraqitjen e disa rekomandimeve për zgjidhjen e saj. Sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit, është e nevojshme që aktorë të ndryshëm, si përfaqësues të sistemit gjyqësor, të konferencës gjyqësore, të Ministrisë së Drejtësisë, Zyra e Prokurores së Përgjithshme dhe DPB-ja të diskutojnë dhe të hartojnë një strategji gjithpërfshirëse për zbutjen e mbipopullimit. Po ashtu, duhet të vlerësohet mundësia e një amnistie ose faljes së dënimeve për kategori të caktuara të të dënuarve ose veprave penale që nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore të theksuar. Në këtë drejtim, KSHH rekomandon miratimin sa më shpejt nga Kuvendi të ndryshimeve të dispozitave përkatëse të Kodit Penal dhe të ligjit “Për ekzekutimin e vendimeve penale” dhe atij “Për shërbimin e provës”, me qëllim që të zbatohen më mirë dënimet alternative të dënimit me burgim. Ndër këshillimet e tjera është edhe ai, që organi i prokurorisë të ndjekë një politikë të zbatimit të masave të sigurimit në përputhje me rrezikshmërinë e veprës dhe të personit dhe të zbatohet masa e arrestit si një masë e domosdoshme për vepra/ persona me rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Hetimet paraprake të shpejta, të plota, zbatimi i gjykimeve të drejtëpërdrejta dhe të shkurtuara, zbatimi i uljes së dënimeve dhe lirimi para kohe me kusht, kur ekzistojnë kushtet e përcaktuara në ligj, janë një mjet tjetër efektiv për uljen e mbipopullimit, për rritjen e shpejtësisë së procedimit dhe humanizmit të tij, konsideron KSHH....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›