Ministrija Godo: Lufta kundër TBC-së një nga prioritete tona
"Qeveria shqiptare dhe Ministria e Shëndetësisë, pavarësisht përmirësimit të situatës epidemiologjike të turbekulozit, do të vazhdojë ta konsiderojë luftën kundër kësaj sëmundje si një nga përparësitë e saj", garantoi sot ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë promovimit të Strategjisë Kombëtare të Tuberkulozit 2009-2014 në Hotel "Tirana International. Në mënyrë konstante, ne do të mbështesim, si nga ana ligjore edhe financiare Programin Kombëtar të Kontrollit të Turbekulozit", u shpreh ministrja Godo, duke shtuar se lançimi i strategjisë së re për kontrollin e turbekulozit, është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për kontrollin e TB në Shqipëri, por edhe për sistemin shëndetësor në tërësi. Strategjia për vitet në vazhdim vjen si domosdoshmëri e reformave në fushën e mjekësisë dhe mundësohet jo vetëm nga gjendja e përmirësuar e situatës epidemiologjike, por edhe nga kontributi financiar i qeverisë shqiptare dhe Fondit Global", tha ministrja Godo. Sipas saj, "kjo strategji mundësohet në radhë të parë nga rezultatet e mira epidemiologjike, të cilat janë fryt i punës shumëvjeçare të një sërë brezash mjekësh dhe punonjësish të tjerë shëndetësorë në fushën e turbekulozit. Një nga sfidat më të rëndësishme të strategjisë së re, është integrimi i turbekulozit në shërbim publik. Kjo për më tepër diktohet edhe nga skema e re e sigurimeve shëndetësore, që së shpejti do të aplikohet, gjithashtu, edhe nga ndryshimi i misionit të Spitalit Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive 'Shefqet Ndroqi', në spital të përgjithshëm", tha ministrja Godo. ...