101 vitet e Montalcinit
Ka lindur më 22 prill të vitit 1909 dhe sipas llogarive, i bie që është 101 vjeçe. Një moshë e mrekullueshme, që e ëndërrojnë të gjithë, por vërtet mbresëlënëse, sidomos për ata që e njohin nga afër Rita Levi Montalcini. Profesioni i saj është shkencëtare. është nga Torino, bijë e një inxhinieri elektrik dhe një piktoreje. Dje, Rita ka mbushur 101 vjeç. Mesa duket senatorja e përjetshme e ka marrë veten nga një gjendje e keqe që e përfshiu dy muaj më parë dhe është e lumtur që do të festojë edhe një vit më shumë të datëlindjes së saj. Mes nismave të shumta është edhe ajo “Rita 101”, homazhi që do t’i bëhet në internet. Fansat dhe dashamirësit i kanë bërë edhe një urim “online”, i ideuar dhe koordinuar nga “Altratv.tv”. Gjithçka është transmetuar dje në orën 9:00 të mbrëmjes në të gjitha faqet italiane të internetit. Gjithashtu në sajtin info@rita101.tv mund të lexoni historinë e shkencëtares dhe të shkruani opinionet tuaja rreth saj.
Duhet të jetë datëlindje shumë e qetë: kështu ka preferuar ta kalojë këtë ditë nobelistja Rita Levi Montalcini. Pas festimeve të mëdha dhe takimeve të shumta në nder të saj vitin e kaluar, kur mbushi 100 vjeç, këtë vit është e vendosur që të shmangë çdo festim publik. Edhe vitin e kaluar kishte dashur të bënte të njëjtën gjë, por gjërat shkuan ndryshe. Nga ana tjetër, serioziteti është karakteristikë e mënyrës së saj të jetesës, madje një virtyt aq i fortë sa në vitin 1986, kur i komunikuan se kishte fituar çmimin “Nobel” për mjekësinë, festoi me një pjatë supë me lëng mishi dhe oriz kinez, pastaj shkoi të flinte. “Shpresojmë të rikthehet shpejt në laborator: kemi shumë nevojë për të, sidomos në fushën shkencore humane”, thotë një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë, duke iu referuar Institutit Europian për Kërkimet e Trurit, të cilin Rita Levi Montalcini e ka dashur me çdo kusht dhe ku është presidente. Që prej shkurtit të vitit të kaluar Rita nuk shkon më në laborator, sepse një ditë, ndërsa ndodhej vetëm në shtëpi u rrëzua dhe theu qafën e femurit, gjë që më pas e detyroi t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale.
“Profesoresha është me pushime, ecën nga pak dhe po e merr veten. Gjendja e saj është e mirë”, thonë njerëzit që po kujdesen për të.
Ka shumë optimizëm në shërimin e nobelistes që gjatë viteve ‘80, kur ishte më e re dhe jepte mësim në universitet, dikush e quajti “gruaja e hekurt e shkencës italiane”. “Duke e njohur, e dimë që do t’ia dalë mbanë të marrë veten”, thotë bashkëpunëtori i saj. “E kam parë të durojë dhembje më të mëdha, si për shembull humbja e motrës së saj binjake Paola, para dhjetë vjetësh”. Kohët e fundit ka ndodhur një ngjarje më e hidhur në jetën e Rita Levi Montalcini, problemet e shumta me qendrën e saj të kërkimeve. Gjatë polemikave që kanë shoqëruar ngjarjen, në mbrojtje të saj janë ngritur shumë zëra autoritarë të botës së shkencës, si për shembull revista “Nature”. “Pavarësisht problemeve, profesoresha është sjellë shumë mirë, me të gjithë ata që kohët e fundit i kanë sjellë shqetësime me institutin”, thotë ai. “Shpresojmë që të kthehet sa më shpejt në institutin që ajo vetë e ka themeluar dhe të punojë përkrah nesh”. Instituti “Ebri” është themeluar dhe frymëzuar shkencërisht nga Rita Levi Montalcini. është një qendër kërkimi ndërkombëtare, kushtuar studimit të neuroshkencave. Rita Levi Montalcini është një ikonë e kohëve tona, një prej njerëzve më të dashur e më të respektuar nga italianët. është një model për të gjithë të rinjtë që i afrohen shkencës dhe kërkimeve. “Zgjuarsia ime është mediokre, ndërsa angazhimi im është pak më shumë se mediokër. Mendoj se kam vetëm dy cilësi: intuitën dhe aftësinë për ta parë një problem në mënyrë komplekse. Kur isha e re mendoja se misioni im ishte ai për të ndihmuar të tjerët, dëshiroja të shkoja në Afrikë dhe të kuroja njerëzit e sëmurë. Doja të mos interesohesha absolutisht mbi veten time, nuk kërkoja mirënjohje. Truri im funksionon më mirë tani se sa kur isha 20 vjeçe. Kam vendosur ta përdor më shumë tashmë që jam në fund të jetës. Këtë gjë e mendoj vazhdimisht dhe më kryesorja, më ndihmon pasioni për punën”, shprehet ajo. Rita thotë se vazhdon të ëndërrojë. Shpreson që kur të mos jetë më, të tjerët t’i vazhdojnë studimet e saj mbi molekulën proteinike, e cila i dha çmimin “Nobel”, sepse aplikimet e saj klinike në kurimin e sëmundjeve shkatërruese të trurit mund të jenë të mrekullueshme. “Ajo që dëshiroj më shumë është paqja në Lindjen e Mesme. Shpesh e pyes veten mbi konfliktin mes arabëve dhe izraelitëve. Nuk mund të pajtohem me mendimin se dikush kërkon të pushtojë shtetin e Izraelit, e në të njëjtën mënyrë nuk e pranoj që palestinezët kanë pak mundësi të shprehin lirshëm zgjuarsinë e tyre. Mendoj se është ende e mundur që të arrihet një qëllim i përbashkët për bashkëjetesë paqësore mes dy popujve”.
Shkencëtare dhe fituese e çmimit “Nobel” për mjekësinë në vitin 1986, Rita Levi Montalcini ka lindur në Torino në vitin 1909 dhe i është përkushtuar studimeve të sistemit nervor që gjatë viteve të para të universitetit. Gjatë luftës, Montalcini emigroi në mënyrë klandestine në Firence. Pas studimeve në Shtetet e Bashkuara në vitin 1951, shkoi në Brazil për të vazhduar eksperimentet në kulturën “in vitro” në Institutin e Biofizikës në Universitetin e Rio de Zhanieros, ku në dhjetor të të njëjtit vit identifikoi faktorin e rritjes së qelizave nervoze, gjë që i dha edhe çmimin “Nobel” për mjekësinë në vitin 1986. Montalcini, e nominuar senatore e përjetshme që prej 1 gushtit të vitit 2001, vazhdon të jetë e angazhuar në aktivitetet shkencore dhe fushën sociale përmes një fondacioni që mban emrin e saj.
#