E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jose Arguelles

Ka qenë i pari i cili ka folur për 21 dhjetorin e vitit 2012, si data e fundit të botës, megjithatë ai mendon se kjo ditë nuk do të sjellë vërtet fundin, por një ndryshim shumë të madh të njerëzimit Profeti i majave

Vitin e kaluar bëra disa kërkime mbi origjinën e idesë se bota do të përfundojë në vitin 2012. Zbulova “Faktori Maja”, një libër të Jose Arguelles, i publikuar në vitin 1987, që flet për 21 dhjetorin e vitit 2012, si ditën kur njerëzimi do të përjetojë një ndryshim shumë të madh. Libri është përkthyer në shumë gjuhë dhe është lexuar në mbi 90 vende. Arguelles ka shtetësi të dyfishtë, amerikane dhe meksikane, është diplomuar për histori arti dhe jeton në Australi. Ka shkruar dhjetëra libra konfidencialë dhe është lideri i Lëvizjes për Sinkronizimin e 13 Hënave, e pranishme në 98 vende. Nuk pëlqen të japë intervista dhe nuk udhëton shpesh larg Australisë, por pak kohë më parë ishte në Los Anxhelos për të prezantuar “El libro de la trascendencia”, vëllimin e katërt të “Kronikë e historisë kozmike”, ku jep mendimin spiritual-artistik-shkencor. Arguelles, 71 vjeç, është i gjatë, e ka lëkurën të djegur nga dielli, fytyrën me rrudha dhe vetullat e trasha. Mban veshur një kostum me ngjyrë të çelët, me këmishë blu të errët dhe këpucë ngjyrë kafe. Duket njeri i qetë dhe flet anglisht me theks spanjoll. Kur e pyet për filmin katastrofik “2012” të Roland Emmerich, përgjigjet i bezdisur: “është shumë apolitik, negativ”. Arguelles e konsideron veten profet i mesazhit që majat galaktike të Plejadave lanë 5 mijë vjet më parë në kalendarët e tyre. Ky mesazh është i kundërt me atë të dhënë nga filmi: në vitin 2012 do të përfundojë një cikël i njerëzimit, por nuk do të ndodhë fundi i botës. Planeti do të rreshtohet në qendër të galaktikës dhe një frekuencë e re do të na transportojë në një dimension superior. E gjithë kjo do të ketë impakt mbi ndërgjegjen kolektive dhe do të fshijë materializmin dominues. Ndërkaq në vitin 2012, majat galaktike mund të kthehen në Tokë për të marrë 144 mijë tokësorët më të evoluar shpirtërisht dhe t’i çojnë në një dimension tjetër për të vazhduar rrugën së bashku. Edhe jeta e Arguelles ka diçka fantastiko-shkencore: është njëri prej dy djemve binjakë të një komunisti që punoi si asistent i Presidentit meksikan, Lazaro Cardenas (në pushtet, në vitet 1934-1940), e ka koeficientin e inteligjencës sa të një gjeniu dhe gjithë jetës ka marrë sinjale që e kanë orientuar drejt botës së majave. Ka qenë një hipi dhe adhurues i rrokut, por edhe i alkoolizuar dhe ka përdorur shumë lloj drogash. Ka deshifruar kodet e vjetra matematikore të fshehur në kalendarë mijëvjeçarë, ka parashikuar vrasjen e ish-kandidatit presidencial Luis Donaldo Colosio në vitin 1994, është përndjekur nga qeveria dhe ka themeluar një lëvizje botërore, të kritikuar nga studiuesit e majave. Në vitin 2002, Arguelles dhe ndjekësit e tij krijuan Fondacionin për Ligjin e Kohës, me seli në Oregon, që ka si qëllim shfuqizimin e kalendarit gregorian. Sipas Arguelles, frekuenca e tij “12:60”, 12 orë e 60 minuta, është artificiale dhe mekanike. Në vend të tij do të donte një kalendar të formuar nga 364 ditë plus 1, ditën jashtë kohës, të bazuar në almanakun e shenjtë Tzolkin me 13 muaj me 20 ditë që përdornin majat. Arguelles e quan kalendari i 12 Hënave dhe 28 ditëve ose “sinkronar”, sepse, sipas tij, çdo ditë ka frekuenca energjetike të ndryshme, me të cilat mund të sinkronizohemi.

Mbyllet një cikël

Kalendari i 13 Hënave është shumë i njohur mes indigjenëve, mistikëve, ambientalistëve dhe anarkikëve, sidomos në Amerikën Latine. Por figura Arguelles është shumë e kundërshtuar. Arkeologët dhe historianët nuk e besojnë. Për më të tepër ka një të kaluar si konsumator drogash dhe alkooli. Në lëvizjen e tij nuk praktikohet kulti i personalitetit siç ndodh në grupe të tjera, por disa nga pasuesit e tij e akuzojnë se është një egocentrik që ka shpenzuar paratë e dhuruara kauzës për drogën. “Ka tradhtuar parimet e lëvizjes”, tregon Maria Esther Hernandez, e cila ka qenë përfaqësuesja e tij në Meksikë për nëntë vjet. Por pasuesit e quajnë Valum Votan, sepse e konsiderojnë trashëgimtarin e mitikut Quetzalcoatl për aztekët, apo Kukuclan për majat. Arguelles është i bindur se është përzgjedhur që nga lindja për të përhapur mesazhin e majave galaktike, që nuk korrespondojnë me majat parakolumbiane. Ashtu si Quetzalcoatl dhe heronjtë maja Hunahpu Xbalanque, ka një vëlla binjak. Por ai ka lindur në një spital në Minesota, në vitin 1939. Mamaja e tij Ethel Meyer ishte me origjinë gjermane, ndërsa babi, Enrique Arguellas, jetonte në Guadalajara në Meksikë, ku ishte asistent i Cardenas. Familja e tij ka jetuar pesë vjet në kryeqytetin meksikan, pastaj emigroi në SHBA. Jose Arguelles u kthye në Meksikë në moshën 14-vjeçare, për të vizituar piramidën e Teotihuancan. është martuar tre herë dhe ka dy fëmijë. Në vitet ‘70 u bë pjesë e kundërkulturës, studioi Ching, Kuranin, mistikët tibetianë, budistët, hindutë dhe majat. Joga dhe meditimi e kanë ndihmuar të hidhte bazat e mendimit. Në atë kohë thotë se nisi të marrë mesazhe telepatike, të pasura me informacione enigmatike, sidomos me përmbajtje matematikore. Majat kishin hyrë në jetën e tij. Publikimi i librit të tij dhe organizimi i konvergjencës harmonike në vitin 1987 tërhoqën vëmendjen e mjeteve informative të së gjithë botës dhe historia e 2012 u përhap me shpejtësi në nivel ndërkombëtar. Por Arguellas nuk ishte i vetmi që e bëri popullore. Në vitin 1999, arkitekti kolumbian shpërndau disa video apokaliptike “Shtatë profecitë maja” që shfrytëzojnë tezat e Arguelles për galaktikën dhe 21 dhjetorin e vitit 2012 dhe patën një sukses të madh në treg. Pastaj interpretime të tjera e lidhin 2012 me profecitë e Nostradamusit dhe Apokalipsit. Këtyre u janë shtuar edhe interpretime shkencore mbi ndryshimet klimatike dhe shpërthimet solare, që mund të godasin fushën elektromagnetike të tokës. Katastrofa e lidhur me 2012 është bërë një fenomen i përhapur në masë dhe ka hedhur poshtë në njëfarë mënyre tezat e Arguelles. Sipas tij, kjo ka ndodhur sepse “shumë e kanë të pamundur ta mendojnë fundin e një epoke, pa e lidhur me një ngjarje fatale”.

Mbyllja e një cikli

Ai flet me pasion për atë çka do të ndodhë në vitin 2012 dhe për majat galaktike. Thotë se qeniet me të cilat është në kontakt nuk janë prezencë fizike, por vetëm mendore, që kanë si qëllim të promovojnë paqen në sistemet diellore ku është e pranishme inteligjenca. “Si tek seritë Star Treek”, thotë ai.

Sipas tij, kriza ekonomike botërore është shenjë e fundit të ciklit materialist. Po përgatit tashmë konvergjencën harmonike të 2012-s, me ngjarje që do të lidhin në mënyrë telepatike komunitete të ndryshme dhe i ka nominuar ndjekësit e tij si “ekuipazh i sinkronizimit galaktikë”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›