E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

102-vjetori i lindjes, Vengu: Dhora Leka, kompozitorja që krijoi vepra të trashëgimisë kulturore

TIRANË, 3 mars /ATSH/ Në 102-vjetorin e lindjes të kompozitores Dhora Leka, Ministria e Mbrojtjes kujtoi në mjediset e Muzeut të Forcave të Armatosura, kontributin e saj si një  nga figurat e shquara të kulturës dhe artit shqiptar.

Për të kujtuar veprën e saj, akademiku Vasil Tole, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, publikuan librin me titull: “Dhora Leka, kompozitorja e parë”.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, tha se, “Dhora Leka është një nga ata emra që nuk mund të harrohen, sepse kontributi i saj i shquar ka kaluar përtej kufijve të Shqipërisë dhe ka ndikuar në formimin e identitetit tonë kombëtar”.

Këtë e vë në dukje edhe Vasil Tole, tha ministri, teksa citoi rreshta nga libri që thekson se “Dhora Leka është një kompozitore që bëri histori dhe ky studim i detajuar na tregon se çdo hap i saj ka qenë një sfidë ndaj vështirësive të kohës, duke arritur të krijojë vepra që sot janë pjesë e trashëgimisë sonë të pasur kulturore”.

Në aktivitetin e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm familjarë, akademikë dhe njerëz që e kanë studiuar figurën e saj, si prof. doc. Zana Shuteriqi, që e risolli atë më të gjallë se kurrë.

Dhora Leka, e cila në vitet 1935-40 të shekullit të kaluar kishte studiuar muzikë dhe luante bukur në piano, u lidh në qytetin e Korçës me grupet antifashiste dhe u angazhua familjarisht në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në vitet 1942-44, Dhora Leka kompozoi këngët partizane (asaj i përkasin gati 50% e këtyre këngëve), ndërsa në vitet e regjimit komunist ajo u arrestua dhe më pas u burgos dhe u internua. Mbas viteve 1990, Dhora Leka megjithëse e moshuar ndjeu respektin për veprën e saj në vitet e Luftës.

“Një vjeshtë me stuhi” ishte pika e referimit artistik të kompozitores Dhora Leka, përfaqësuese e rezistencës kundër regjimit diktatorial në Shqipëri që nga vitet ’40 të shek. XX e deri në fund të tij. Kjo vepër e frymëzuar nga lufta për liri ishte fryt i një pune shumëvjeçare gjatë viteve të persekutimit të regjimit monist. Vepra përfaqëson të vetmin krijim muzikor të kompozuar në kushtet e mungesës së lirisë dhe dhunës në Shqipëri.

Të vlerësuara edhe në forume ndërkombëtare, “Këngët e rezistencës” të krijuara nga Dhora Leka kanë një cilësi të lartë krijuese dhe janë konsideruar si kompozime autentike dhe me vlera të mirëfillta artistike, që i kanë rezistuar kohës.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›