E Diel, 1 Nëntor 2026

11 Shtatori Basha leter kryebashkiakut te Nju Jorkut Keni me shume miq se me pare

Me rastin e 10-vjetorit të sulmit terrorist të 11 Shtatorit mbi Kullat Binjake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i ka dërguar një letër kryebashkiakut të Nju Jorkut, Michael Bloomberg, ku i shpreh solidarizimin e qytetarëve të Tiranës për familjarët e viktimave të sulmit terrorist.

Në letrën e dërguar Bloombergut, Basha shkruan:

“10 vjet më parë, e gjithë bota u trondit nga sulmi terrorist në qytetin tuaj. Qytetarët e Tiranës u solidarizuan dhe u bashkuan me dhimbjen e kombit tuaj, si dhe të familjarëve të 3 mijë viktimave.

Ne e dimë se ai ishte një sulm ndaj gjithçka që Nju Jork përfaqëson, si simbol i sipërmarrjes, kulturës dhe suksesit të lirisë amerikane.

Jemi gjithashtu dëshmitarë se pavarësisht dëmit të shkaktuar, sulmi i 11 shtatorit nuk i gjunjëzoi aspak vlerat që ju prezantoni, vlera të cilat janë një model frymëzimi për qytetarët dhe Bashkinë e Tiranës.

Sot, 10 vjet pas 11 shtatorit, jam i bindur se Ju, qytetarët e Neë York dhe populli amerikan jeni më të fortë dhe keni më shumë miq se më parë.

Në emër të qytetarëve të Tiranës, bashkohem me ju në përkujtimin dhe nderimin e viktimave të 11 shtatorit dhe në shprehjen e solidaritetit me familjarët e tyre.

Njëkohësisht shpreh bindjen se ky 10-vjetor e gjen qytetin tuaj të mrekullueshëm dhe qytetarët e Nju Jork, më të vendosur se kurrë në afirmimin e vlerave që qëndrojnë në themelet e qyteti tuaj, vlera që përbëjnë një frymëzim të kahershëm dhe konstant për Tiranën dhe qytetarët e saj”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›