E Shtunë, 31 Tetor 2026

11 deputetë në grevë urie

Krerët dhe anëtarët e partive të vogla të majta e të djathta kërcënojnë se do të futen në grevë urie për shkak të përjashtimit të tyre nga procesi i administrimit të zgjedhjeve. Kjo ishte paralajmëruar një ditë më parë në gazetën “Korrieri” nga kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i cili tha se, në rast se forca e tij politike do të përjashtohej nga administrimi i procesit zgjedhor, atëherë do të nisnin protesta të përshkallëzuara deri në grevë urie. Ndërkohë, pasditen e djeshme, krerët e PDK-së, LSI-së, LZHK-së, PDS-së, PS 91-it dhe partisë së ardhshme, PLD-së, kanë firmosur një letër drejtuar presidenti Bamir Topi, në të cilën i kërkojnë që të ndërhyjë për të garantuar gjithëpërfshirje në procesin e administrimit të zgjedhjeve. “Neni 12 dhe 14 i projektit që flet për KQZ-në e bën këtë strukturë të kontrollueshme vetëm nga PS-PD. Neni 28 që flet për përbërjen e komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor e bën këtë strukturë të kontrollueshme vetëm nga PS-PD. Neni 35 që flet për komisionet e qendrave të votimit i bën këto përsëri plotësisht të dominueshme dhe kontrollueshme vetëm nga aleanca PS-PD. Edhe neni për caktimin e anëtarëve të grupeve të numërimit monopolizohet përsëri vetëm nga PS-PD. Të gjitha dispozitat e përmendura të Kodit Zgjedhor janë shkelje e nenit 18 të Kushtetutës, që sanksionon barazinë e shtetasve ndaj ligjit, dhe shkelje e frymës së kushtetutshmërisë moderne për barazinë e shanseve: Ne, deputetë dhe kryetarë të disa partive politike, kemi vendosur që, në mbrojtje të Kushtetutës dhe të votës së lirë, të shpallim në vijim një grevë urie, për të sensibilizuar opinionin publik shqiptar për grushtin e shtetit që po përgatitet, për të shpëtuar demokracinë e rrezikuar në Shqipëri”, thuhet në letrën drejtuar presidentit Bamir Topi. Në fund të letrës drejtuar presidentit, spikatin emra si Ilir Meta, Nard Ndoka, Spartak Ngjela, Paskal Milo etj., të cilët duken të gatshëm që të qëndrojnë pa ngrënë, derisa t’u jepet e drejta që ata pretendojnë.

Lista e grevistëve

ILIR META-LSI

NARD NDOKA-PDK

SPARTAK NGJELA-i Pavarur

PETRO KOÇI- PS 91

DRITAN PRIFTI-LSI

LUAN MEMUSHI-PS 91

NDRE LEGISI-LSI

PELLUMB XHUFI-LSI

SPARTAK BRAHO-LSI

DASHAMIR SHEHI-LZHK

PASKAL MILO-PDS

EMILJANO ALEKSI-LSI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›