E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitojmë ne!

Kreu i PSD-së thotë se diferenca mes koalicionit të majtë dhe atij të djathtë do të jetë 10 mandate

Skënder Gjinushi mendon se ndryshimet në kodin e ri zgjedhor nuk lënë më vend për asnjë kundërshtim nga ana e LSI-së. Në një intervistë për “Korrierin”, i mirënjohur si një ndër profesorët e përllogaritjes së rezultatit të zgjedhjeve, Gjinushi shprehet se në 2009-ën fituese del padyshim e majta. Sipas tij, diferenca mes koalicionit të majtë (PS-PSD e ndoshta edhe ndonjë parti tjetër), e atij të djathtë (PD dhe aleatët) do të jetë rreth 10 deputetë në favor të të majtëve. Gjinushi shton se edhe forca e tretë politike do të jetë e majtë, çka rrit diferencën, për sa kohë po sipas tij, forca e katërt mund të jetë e djathtë, por jo pro Berishës. Kreu i PSD-së shton se diferenca do të jetë edhe më e madhe, pasi pakënaqësitë ndaj të djathtëve në pushtet janë edhe më të mëdha se ndaj të majtës në vitin 2005.

-A mund të rrëzohet kjo mazhorancë me votat e popullit në zgjedhjet e ardhshme të 2009-ës?

Skënder Gjinushi: “Kjo është një mazhorancë totalisht e dështuar, ku seanca e së hënës tregoi qartë se sa keq është zhytur Berisha dhe mjafton të kujtojmë një fakt, që media dhe opinioni nuk e ka kapur, që ditën që bëhej vizita e parë dhe që quhet historike e presidentit të Kosovës, kryeministri dhe kryetarja e Kuvendit zgjedhin mbrojtjen e Fazliçit në vend të ceremonialit. Ky është një element tepër domethënës, sepse flet edhe për antishqiptarizmin e Berishës, ndryshe nga çfarë thotë ai. Në luftën ndaj korrupsionit, për shkak të divergjencave që ka me presidentin dhe institucionin, zgjedh bojkotin e ish-nënkryetarit të vet, tashmë president në favor të mbrojtjes së një trafikanti serbo-boshnjak të Ballkanit. Seanca tregoi degradimin e plotë të Kuvendit. Absolutisht s’janë shumë të këshillueshme etiketimet, jo etike nëpër media, por është tepër e vështirë për ta krahasuar atë sallë Kuvendi me një institucion. I vetmi institucion me të cilin mund të krahasohet janë shtëpitë publike apo motelet e natës, siç e ka kthyer edhe në terma ky kryetar qeverie me atë kryetare Kuvendi, sepse madje edhe në to nuk ndodh që paguan për një natë dhe fle katër, siç bën Sali Berisha në sallën e Kuvendit. Pra, ai ka të drejtën të flasë si deputet. Ishte një debat i programuar dhe kryeministri nuk ka asnjë të drejtë mbi të tjerët. Asnjëherë në Kuvend nuk e thotë fjalën e fundit qeveria, e thonë deputetët. Ju patë një seancë ku kryeministri flet mbi dy orë në Kuvend, çka nuk ndodh në demokraci, por as në diktaturë. Sepse edhe në periudhën e diktaturës nuk mbahet mend të jetë abuzuar kështu me sallën e Kuvendit. Kuptohet që ky degradim në sallën e parlamentit, kjo shkelje e rëndë e protokollit në raport edhe me Presidentin e Republikës u shoqërua dhe me një dalje totale nga tema, ku Berisha ishte thirrur për të thënë çfarë ka vjedhur, jo çfarë ka bërë me qeverisjen e tij. Çfarë ka bërë me qeverisjen e tij e prekin vetë gjithë shqiptarët. Mjafton t’i thuash që ka dështuar në të gjithë premtimet e mëdha”.

-Përpara janë edhe disa muaj dhe vijnë zgjedhjet e 2009-ës. Sa do të ndikojnë përplasjet brenda së majtës (kemi një LSI që ka filluar protestat)? A mund të përsëritet viti 2005?

“E vërteta është që në 2005-ës me gjithë përçarjet, zgjedhjet u humbën edhe për “mend të kokës”. Pra, jo vetëm për veprimet e gabuara, të bëra në mënyrë të qëllimshme, duke filluar që nga LSI-ja, por edhe për gabime të vogla taktike, si hyrja me një kandidat të vetëm. Megjithatë, edhe në këto kushte e majta mori më shumë vota se e djathta. Këto katër vjet kanë qenë katër vjet shkatërruese për Sali Ramë Berishën. Patjetër që pakënaqësia është shumë e madhe dhe për atë çka Berisha e quante si të vetmin ndryshim në raport me Nanon, që konsiderohej si një çikë më i pastër, por e ka humbur. Të gjitha këto bëjnë që pakënaqësia të mos jetë vetëm tek të majtët, por të ketë kapur gjithë atë pjesë të lëkundur, që mund të kishin ndonjë shpresë për ndryshim, e tani janë bindur se Berisha nuk mund të sjellë asgjë të mirë, e as është përpjekur të ndryshojë. Përkundrazi, i vetmi ndryshim është që rithekson tiparet e tij antishtet, antireformë e antiinstitucion. Në zgjedhjet e 2009-ës nuk shtrohet problemi se a do të fitojë e majta, por si do të optimizohet? Atëherë pakënaqësia ishte për ne, kurse tani është për ata, madje më e madhe dhe, së dyti, sepse ligji nuk është më i 2005-ës. Me ligj të padeformuar, Berisha nuk kishte dalë fitues as në 2005-ën. Duke pasur këtë ligj tani, që të penalizon më pak në rast hyrjes jo të bashkuar, bën që në 2009-ën të mos të diskutohet fitorja”.

-Edhe ju po ju fus tek termi parti e vogël, po ashtu edhe LSI-në, që thotë se kjo formulë aktuale dëmton partitë e vogla. Nëse është e dëmshme për LSI-në, do të ishte edhe për ju. Nëse do të ishte e dëmshme hyrja në koalicion me PS-në, do të ishte edhe për ju. Cila është arsyeja që LSI-ja vazhdon të kundërshtojë?

“PSD-ja një pjesë të mirë të sistemeve nuk i ka parë në funksion të saj. Ne e kemi parë në funksion edhe të demokracisë, edhe të së majtës. Edhe kur u hodh në tavolinë sistemi spanjoll, ne kemi thënë qëndrimin tonë. Nga çfarë nënkuptohej, ishte një sistem pothuajse i papranueshëm. Një sistem puro spanjoll, që bënte që pragu të ishte tek 8 përqindëshi. Proporcional me prag 8 për qind nuk është sistem demokratik”.

-Aktualisht sa shkon?

“Kemi shtuar dhe kjo ka qenë arsyeja që dikush mund të thotë pse PSD-ja nuk kundërshtoi me tërsëllimë si LSI-ja?. Sepse pikërisht nuk ishte kapitulli i mbyllur sistemi spanjoll. Sistemi spanjoll është si “thes me miell”. Quhet spanjoll, por ky sistem aplikohet në mbi 100 vende. Për sa kohë nuk ishte bërë përkthimi në kod, që po bëhet sot, nuk mund ta paragjykonim. Ne kemi qenë në negociata të vazhdueshme me PS-në, që jemi për një spanjoll të zbutur. Spanjolli i zbutur do të thotë ndryshe, atë që vetë LSI-ja e ka mbrojtur vazhdimisht: proporcional me prag tek 4 përqindëshi. Dhe ajo që kaloi në komision e bën këtë spanjollin shqiptar. Pra, e bën një sistem proporcional rajonal me prag 4-5 për qind, madje edhe 3. Pra, edhe një parti që rreh tek 3 përqindëshi merr hakun e vet, por jo duke hyrë vetëm. Ka vetëm një, por po të hyjë vetëm, nuk e merr hakun e vet, ndërsa po të jetë në koalicion e merr. Nuk e kuptoj pakënaqësinë e LSI-së, sepse tashmë që spanjolli bëhet njerëzor dhe demokratik, pra që nëpërmjet koalicioneve të natyrshme, ku secili merr hakun, ku parti virtuale 1 deri në 2 për qind s’kapin gjë, partitë që rrahin nga 3 e lartë marrin pjesën që i takon. Ky sistem tani është bërë i ndershëm, dhe parimisht kërkohej nga të gjithë”.

-Sipas LSI-së, kjo i intereson mazhorancës.

“LSI-ja ka qenë e para që thoshte të ikë nga Kushtetuta dhe kërkonte proporcional me prag 5 për qind. Këtu jemi tani, por me prag pak më poshtë. Atëherë çfarë kundërshtojnë?!”

-Ju thatë që falë kësaj formule merr hakun duke qenë në koalicion. A ka shanse që kjo të shfrytëzohet edhe nga LSI-ja, duke marrë parti të tjera?

“Patjetër, por a kanë interes partitë e tjera të shkojnë pas një partie që lufton për mbijetesën e vet. Këtu është problemi dhe kjo është kriza e LSI-së. Spanjolli i keq favorizonte koalicione nga halli. Në spanjollin e keq edhe PSD-ja tha se do të dilte e vetme. Por rrugës absolutisht nuk përjashtohej mundësia e lidhjes edhe me parti që ndoshta nuk të lidh ndonjë gjë e madhe, vetëm për të lehtësuar që vota të mos shkojë dëm. Pra, duke bashkuar votat të mund të kalosh pragun. Kurse modelimi bën që zgjedhja të jetë e natyrshme. Por kuptohet, për të qenë të hapur, janë më të preferuara bashkëpunimet me parti të mëdha. Jo sepse merr prej tyre, por me ta ndahet drejt kontributi reciprok. Këtu do të jemi, çdo parti që do të hyjë në koalicion me PS-në apo me PD-në, do të ketë numrin e vendeve që i ka dhënë vota e marrë me siglën e vet, plus minus 1 deri në 2 vende”.

-LSI-ja nuk përjashtonte bashkëpunimin edhe me ju, por ju e dhatë përgjigjen pak më parë, që ishte: “Po deshët hajdeni ju”?

“Absolutisht. Në shkurt, kur ishte debati i parë e kishte rëndësi nëse do të vihej i kushtëzuar, patjetër që ne kemi ngritur zërin, jo rrugëve, por në tavolinë. I kemi thënë PS-së: “Duhet spanjoll i zbutur”. Në çdo rast LSI-ja mund të bashkëpunonte me këdo nga e majta, nëse do ta kishte këtë vullnet. Por në rastet e spanjollit “të egër” do të ishte pak a shumë e detyruar, tek “e zbutura”, dhe zgjedhja është pak më fakultative. Mund të zgjedhësh rrugën të hysh vetëm, ose të hysh me aleatë. Hyrja ose jo së bashku ka të bëjë me vullnetin, jo me sistemin. Sistemi po përdoret si alibi, veçanërisht tani që është bërë demokratik”.

-Fama juaj, si ndër profesorët më të mëdhenj të bërjes së llogarive, njihet tashmë. Unë di që muaj më parë disa parti kanë bërë llogari. Kam përshtypjen që edhe ju i keni bërë dhe me formulën aktuale. Si mendoni se do të dalë rezultati?

“Ne kemi përgatitur një material si parti, se cilat janë të mirat dhe të këqijat e këtij sistemi dhe kush duhet të jetë specifika taktike në raport me këtë sistem dhe kush është edhe pritshmëria. Me këtë sistem për të fituar zgjedhjet duhet të dalësh parti e parë. Pra, partia e parë është më e favorizuara për të fituar zgjedhjet. Rrjedhimisht, duhet PS-ja me PSD-në të jenë një grupim që të rruajë vendin e parë në rang kombëtar. Së dyti, ky sistem ka specifikë që të parin me të dytin ndonjëherë i afron. Nuk jep diferencën që japin votat. Nuk përputhen një me një diferenca në përqindje me diferencën e mandateve. Kështu që për këtë arsye, në tërësi nuk jep mazhoranca të forta. Rrjedhimisht, forcës së parë në çdo rast do t’i duhet edhe një forcë tjetër bashkëqeverisëse. Kështu që pritshmëria kjo është: që ne të jemi forcë e parë, PD-ja me aleatët forcë e dytë, pastaj do të vijë një forcë e tretë dhe një e katërt. Më shumë se katër nuk e besoj të ketë të kualifikuar. Këto do të jenë pak a shumë katër forcat që do të paraqiten. Meqenëse e para dhe e treta janë të majta, e majta ka fituar gjerësisht në zgjedhje. Meqenëse e dyta dhe e katërta janë të djathta, e djathta i ka humbur zgjedhjet, por edhe ky grupimi i katërt, ndonëse mund të jetë i djathtë, nuk është “pro” Saliut. Pra, qeveri me Sali Berishën nuk ka më me çdolloj aritmetike në 2009-ën”.

-Sa mund të jetë diferenca?

“Është e thjeshtë. Janë 12 qarqe. Dihet ku dominon e majta dhe ku dominon e djathta. Si rregull, në qarqe merr nga një ose dy vende plus, rrallë tre. Duke ditur që në tetë qarqe ia kalon, në katër ta kalon, bëj diferencën dhe del numri i vendeve. Nuk kalon më shumë se 10 mandate”.

-Bashkë me partinë e tretë që dilte nga e majta?

“Jo, jo. E treta është më vete. Flasim si ndahet e para me të dytën. Megjithatë çdo gjë është e hapur, por duke futur edhe faktin specifik që ka një ndarje më të madhe në të majtë. Humbja do të jetë e thellë e Berishës, sepse edhe dështimet janë të prekshme”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›