Oli Ren: Jeni mbrapa

Komisioneri i Zgjerimit, Oli Ren, tha se Shqipëria nuk ka bërë përparimet e duhura dhe se kusht mbeten zgjedhjet e ardhshme, përpara se të flitet për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE
Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Oli Ren, ia “preu krahët” Shqipërisë dje, kur deklaroi shkoqur se vendi që pret të anëtarësohet me të drejta të plota në NATO pranverën e ardhshme, nuk është i gatshëm, për shkak të mungesës së përparimit me reforma, për të marrë statusin e vendit “kandidat” për në Bashkimin Evropian. Oli Ren i bëri deklaratat, ndërsa paraqiste nga Brukseli “Progres-Raportin” e vitit 2008 të hartuar nga Komisioni Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Komisioneri Ren e mbështeti qëndrimin në raportimin që e paraqet Shqipërinë si vend që nuk ka bërë përparimet e duhura për të hedhur hapin e statusit “kandidat” drejt Bashkimit Evropian. Kusht për këtë, sipas komisionerit Ren, është zhvillimi i duhur i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe përforcimi i kapaciteteve administrative në vend në të gjitha fushat. “Korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të jenë probleme serioze, me gjithë përmirësimin e perceptimit të publikut që e cekim në raport. Paqartësia në lidhje me të drejtën e pronës, së bashku me infrastrukturën e varfër, me ndërprerjet e furnizimit me energji, janë pengesa për zhvillimin e ekonomisë dhe për një klimë biznesi më të favorshme. Por do të thosha se gota është të paktën gjysmë e mbushur dhe jo gjysmë e zbrazur”, tha Ren. Këto deklarata Ren i bëri gjatë prezantimit zyrtar të progres-raportin e Komisionit Evropian të vitit 2008 për vendet e Ballkanit. Për Shqipërinë raporti vëren problemet me korrupsionin e krimin e organizuar dhe një progres të kufizuar në trafikun e lëndëve narkotike. Raporti flet edhe për Gërdecin, duke konstatuar se tragjedia ndodhi për shkak të mungesës së masave të sigurisë. Nga ana tjetër, Shqipëria ka marrë vlerësime për proceset demokratike dhe për konsensusin politik të arritur për disa reforma kryesore.
-Duhen standarde për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009
-Duhen përpjekje për zbatimin e ligjit
-Pavarësisht perceptimit, korrupsioni ende mbetet problem veçanërisht serioz
-Problem serioz edhe krimi i organizuar, trafiku i drogës dhe pastrimi i parave
-Pavarësia institucioneve, kultura e dialogut politik duhet të konsolidohet më tepër, për të lejuar funksionimin normal të sistemit politik
-Ligji për Prokurorinë e Përgjithshme nuk është diskutuar në masën e duhur
-Pati probleme me ligjin për administratën e gjyqësorit
-Për reformën në drejtësi nevojitet një kujdes i veçantë, ashtu sikurse për implementimin e ligjeve
-Hetimi për tragjedinë e Gërdecit duhet të vazhdojë
-Duhen ndërmarrë reforma të mëtejshme në ekonomi e vendit të konkurrojë me forcat e tregut për një periudhë të gjatë
-Në fushën e energjisë, transporteve, prokurimeve publike, veterinarisë, shëndetësisë e të drejtat e autorit të intelektualëve, progresi mbetet i kufizuar
-Viktimat e trafikut janë fëmijë nën 16 vjeç
-U plotësuan pjesërisht kriteret e kërkuara nga BE
Punë e pamjaftueshme
Komisioni Evropian renditi një mal me kritika për ecurinë e zhvillimeve politike në Shqipëri, duke u mbështetur më shumë se në parim, në prirjen e vërejtur të qeverisë për të ndërhyrë në pavarësinë e institucioneve. Pavarësisht se Komisioni Evropian në “Progres-Raportin” vjetor vëren se ka disa përparime, rëndësi merr fakti që problemet vlerësohen “serioze”. Ato lidhen kryesisht me luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve, reformës në drejtësi me hartimin e ligjeve apo edhe në fushat e tjera. Kritikat janë vërejtur gjithashtu në marrëdhëniet e Kuvendit me Presidencën, ku veçohet rasti i rrëzimit të dekreteve të kryetarit të shtetit për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Raportin ia dorëzoi presidentit, kryetares së Kuvendit dhe kryeministrit, shefi i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadori Helmut Lohan. Ambasadori Lohan bëri një përmbledhje të rezultateve që ka arritur Shqipëria gjatë këtij viti, duke theksuar edhe pikat se ku duhej të bënte më shumë. Lohan dha përgjigje për çështjen e reformës në drejtësi, ku edhe në raport kërkohet që të tregohet kujdes për të. Lohan, ndërsa komentoi reformën zgjedhore, kërkoi që të ketë transparencë dhe gjithëpërfshirje. “Përgatitja dhe organizimi i kodeve lokale duhet të zhvillohet në parlament dhe jo jashtë parlamentit. Politikanët në Shqipëri janë në dijeni për rreziqet që i presin. Nëse do të kishte kontestime, atëherë do të ishte mirë të bëhen ndryshime të Kushtetutës. Duhet që kjo të debatohet dhe të përgatitet në mënyrë të veçantë dhe të merren parasysh pikëpamjet politike dhe ekspertizat”, këshilloi Lohan, duke theksuar rëndësinë që kanë zgjedhjet e ardhshme parlamentare për vendin tonë, i cili kërkon të vijojë në proceset integruese. Po ashtu, Lohan kërkoi që të merren parasysh edhe rekomandimet e ekspertëve të misionit “Euralius”, të cilët pak kohë më parë kanë shprehur shqetësimin se nuk janë konsultuar për disa ligje të rëndësishme. Ai iu referua më së shumti çështjes së tragjedisë së Gërdecit, e cila në raport paraqitet si me dyshime për afera trafiku armësh. Megjithatë, Lohan tha se nuk ka informacion sesi po shkojnë hetimet për çështjen e Gërdecit, por kërkoi që të mos ketë ndikime politike në këtë hetim. “Hetimi për Gërdecin duhet të shkojë përpara dhe hetuesit duhet të bëjnë punën e tyre. Të tjerët të mos ndërhyjnë në këtë punë”, tha Lohan, duke lënë të kuptohe