E Diel, 1 Nëntor 2026

11 mars 2008- Kryetarja e Kuvendit takon Presidentin e Letonisë, Zatlers. Topalli kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Institucionet Ndërkombëtare, si Këshilli i Europës e të tjerë.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së saj në Letoni u prit në një takim të veçantë edhe nga Presidenti i vendit, Valdis Zatlers.

Takimi u fokusua në zhvillimet e fundit në Shqipëri, në sfidat e saj në rrugën drejt antarësimit në BE dhe NATO, por edhe mbi objektivat rajonale në këtë periudhë shumë të rëndësishme për Ballkanin.

Duke u fokusuar në ecurinë e Kosovës  pas shpalljes së Pavarësisë, Kryetarja Topalli tha se, me këtë ngjarje historike Ballkani hap një kapitull të ri.
Objektivat që paraqet ky vit para gjithë vendeve të rajonit dhe dinamika e realizimit të tyre i jep kësaj periudhe kohore një rëndësi parësore, kur historia e vendeve të Ballkanit Perëndimor merr një rrugë të re. Zgjidhja e statusit të Kosovës, përshpejtimi i proceve integruese të vendeve të rajonit janë hapat që e bëjnë rajonin tonë të jetojë  në paqe e stabilitet, u shpreh ajo.

Kryetarja e Kuvendit falënderoi Presidentin Zatlers për ratifikimin e MSA-së nga Letonia, duke u bërë  i pari vend i BE-së që e ratifikoi atë, si dhe për njohjen e shtetit të Kosovës, ndër të parët në Europë e të parët nga vendet balltike.

Ne, thekosi zonja Topalli, shpresojmë në dinamizimin e ritmit të njohjes së Kosovës nga vendet e tjera ndërsa kërkojmë edhe bashkëpunimin tuaj që, ashtu siç theksoi Ministri i Jashtëm slloven Rupel, Kosova të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare, siç është Këshilli i Europës.
Konferenca e donatorëve dhe investimet që priten të bëhen në Kosovë besojmë se do të jenë një shtysë për zhvillimin ekonomik, i cili deri më tani ishte në një farë mënyre peng i mospërcaktimit të statusit.

Kryetarja Topalli theksoi se Shqipëria ka mbështetur gjithmonë paketën Ahtisari, si garanci për zhvillimet demokratike dhe respektimin e të drejtave të minoriteteve. Ajo shprehu bindjen se, edhe qendrimi i Serbisë do të moderohet për ti hapur kështu rrugën përshpejtimit të proceseve integruese dhe për të garantuar stabilitet në rajon.

Kryetarja Topalli vlerësoi mbështetjen e Letonisë dhe të gjithë vendeve të BE-së për misionin EULEX në Kosovë.

Nga ana e tij, Presidenti Zatlers theksoi domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit dy dhe shumë palësh mes vendeve tona, si vende të vogla, por me potenciale të mëdha.
Ai garantoi vijimin e mbështetjes së plotë të vendit të tij për anëtarësim në BE dhe NATO si dhe u shpreh se është optimist për zhvillime pozitive në Kosovë e në përgjithësi në të gjithë Ballkanin.

Kryetarja Topalli tha se do të ishte kënaqësi që Presidenti i Letonisë të vijë për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë që u mirëprit nga zoti Zatlers.
Zonja Topalli tha se do tja përcillte këtë Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Gjatë vizitës në Letoni, Zonja Topalli dhe delegacioni parlamentar shqiptar zhvilluan një takim edhe me Ministrin e Mbrojtjes, Vinets Veldre.

Në këtë takim, Kryetarja Topalli e njohu Ministrin e Mbrojtjes së Letonisë me ecurinë e reformave, jo vetëm në fushën ushtarake, por edhe në fusha të tjera, reforma që shkojnë paralel me forcimin e ushtrisë, por edhe të vendit.

Ajo garantoi vendosmërinë e Shqipërisë për të vazhduar kontributin e saj përkrah forcave të NATO-s në luftën kundër terrorizmit, si dhe angazhimin për të realizuar të gjitha kriteret e kërkuara nga Aleanca për të merituar ftesën në Samitin e Bukureshtit.

Klima poltike dhe ekonomike në Shqipëri, rritja e buxhetit për ushtrinë, me dy për qind të GDP-së, realizimi i reformës në ushtri, por edhe stabiliteti ekonomik e rritja e sigurisë në vend, u vlerësuan si shumë pozitive nga Minisri Veldre.
Ai siguroi zonjën Topalli për mbështetje të plotë të Letonisë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Zoti Veldre vlerësoi kontributin e forcave shqiptare në misionet në Afganistan e Irak, si një kontribut shumë i çmuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
Bashkëbiseduesit vlerësuan  bashkëpunimin shumë të mirë mes vendeve të Kartës së Adriatikut dhe vendeve Balltike, duke theksuar domosdoshmërinë e forcimit të këtij bashkëpunimi në këtë periudhë shumë të rëndësishme të procesve integruese.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›