11 prill 2008 - Topalli flet për ndryshimet kushtetuese, marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, çështjen e Maqedonisë dhe reformat e mëdha që e presin vendin
Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit dhe çështja e Maqedonisë, reformat që e presin Shqipërinë, ndryshimet e pritshme kushtetuese dhe debati për to ishin temat kryesore të intervistës që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dha për emisionin Dita fillon në ALSAT.
Zonja Topalli, si u ndietë kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Sheffer tha se Shqipëria ftohej të ishte anëtare e NATO-s? Edhe ju ishit në një seancë të hapur apo jo? Vërtet ishim në seancë plenare. Me të gjithë deputetët po prisnim konfirmimin e lajmit që të gjithë shqiptarët e shpresonin. Në fakt, që një natë më parë, në orët e vona jam lidhur me kolegët e mi në Bukuresht dhe pas darkës informale, më thanë që është vendosur pozitivisht për Shqipërinë. Megjithëse ma kishin thënë, ma kishin konfirmuar dhe rikonfirmuar, përsëri mbetej gjithnjë një frikë e vogël nëse vërtet do të bëhej e mundur e do të formalizohej ky vendim. Të nesërmen i takonte që të ishte seancë plenare e veçantë, ku të gjithë deputetët do të ndiqnin Samitin direkt. Më pas, në konferencën e shtypit, u dha një nga lajmet më të bukura për Shqipërinë, një ndër ngjarjet më të rëndësishme, një ndër sukseset më të mëdha për çdo shqiptar, për çdo të ri e pensionist, pasi ndoshta për herë të parë pas vitesh e shekujsh shqiptarët gjetën shtëpinë e tyre dhe kjo ishte gjëja më e jashtëzakonshme në atë moment që ne po ndiqnim direkt atë që ju gazetarët e kishit fizikisht krejt afër.
Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë? Së pari do të thotë që ke hyrë në shtëpinë së cilës i përket, në familjen e së cilës je ndierë gjithmonë por që ndoshta të tjerët nuk e kanë kuptuar ose i është dashur të shohin shumë sprova për të të pranuar në ambjentin e tyre. Do të thotë që pas 17 vitesh po ta mendojmë ku ishte Shqipëria në periudhën e transformimeve të mëdha në fillim të viteve 90, e gjeti tashmë veten pranë vendeve më të fuqishme të globit. Ta gjesh veten pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe vendeve europiane të zhvilluara dhe vetëm dy vite pas zgjerimit të pestë të NATO-s, kur hynë Estonia, Letonia, Lituania, Sllovakia, Bullgaria, Rumania ishte vërtet diçka e jashtëzakonshme. Disa analistë e quajtën Samiti i Shqipërisë, ndoshta ishte Samiti i shqiptarëve. Kjo duhet parë vërtet me shumë seriozitet; i shqiptarëve në kuptimin që iu qëndrua fort mbështetjes që do ti jepet Kosovës, kryesisht nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bush, por edhe nga zyrtarët e tjerë të lartë të NATO-s dhe për shkakun se ju dha ftesa Shqipërisë për anëtarësim. Për Kroacinë dihej, për Shqipërinë dhe Maqedoninë natyrisht prej muajsh ishte thënë se këto vende kanë realizuar reformat, kanë performuar shumë mirë, por gjithsesesi vendimarrja e 26 vendeve mjaftonte që njëri të shpikte një arsye çfarëdo dhe të pengohej procesi. Besoj se vjen si rezultat i një transformimi të jashtëzakonshëm që vendi ynë ka pasur gjatë kësaj periudhe 17 vjeçare, si një rezultat i rritjes së përgjegjshmërisë të politikës në vitet e fundit, si rezultat i reformave jashtëzakonisht të guximshme që janë ndërmarrë, patjetër shtuar kësaj edhe një avokati që i është bërë këtij procesi gjatë kësaj periudhe.
Besoj se për dy-tri muaj do të mbyllet procesi i negociimit që do të jetë me dy raunde: një teknik dhe një politiko-teknik dhe, pas një nënshkrimi formal që do të bëhet, do të fillojë procesi i ratifikimit. Procesi i ratifikimit do të bëhet sipas një procedure që ndryshon nga njëri vend në tjetrin. Do të realizohet në të 26 vendet anëtare, duke filluar nga Kongresi Amerikan e me radhë. A kanë nisur kontaktet për këtë, por dhe për të pasur një lobing në mënyrë që procesi të ketë një shtytje? Në të gjithë këtë proces, parlamenti ka pasur rolin qendror kryesor, themelor dhe vendimtar.
Do tju kujtoj disa momente.
Sikur në Parlamentin shqiptar, në korrik të vitit të kaluar, mos të dilte me sukses bërja e vendit me President, sot realisht vendi nuk do të kishte marrë ftesën për NATO.
Ishte një sukses i parlamentarizmit shqiptar i pjekurisë së forcave politike dhe të gjithë deputetëve, të cilët bënë të mundur që vendi të bëhej me President, pra që hyri në rrugën e tij kushtetuese dhe të gjithë e kujtojmë se sa ka vuajtur ky parlament për faktin se kandidatë pretendues për president nuk pranonin të regjistroheshin, duke e lënë gjithë procesin jashtë shinave kushtetuese.
Mendoj se ka qenë një vuajtje e jashtëzakonshme dhe ndonjëherë mendoj dhe një lloj jopërgjegjësie në nivelin e duhur pasi njeriu më përpara duhet të mendojë për vendin dhe më pas për partinë dhe në fund, më e parëndësishmja, për emrin apo për individin.
Çfarë ka qenë tjetër vendimtare në Parlament? Ka qenë reforma për drejtësi, e cila filloi në ditët e para të janarit dhe erdhi si rezultat i negociatave të përditshme, të forta mes Partisë Demokratike dhe Socialiste dhe një konsensusi që u gjet dhe fillimit të procedurës së kalimit në Komisionin e Ligjeve. Sikur Presidenti të mos ishte zgjedhur në korrikun e kaluar dhe kjo reformë mos kishte filluar në janar, Shqipëria nuk do të kishte marrë ftesën në NATO.
Shtuar kësaj dhe faktin që Shqipëria 2 vjet përpara ishte pothuaj jashtë axhendës së europianëve në përfitimin e ftesës në Samitin e NATO-s, shtuar dhe faktin se shanset tona para 7 muajsh, ishin 50 për qind me 50 përqind.
Ndaj dhe them që është dicka e jashtëzakonshme dhe që kërkon pas mbylljes së negociatave, fillimin e punës së jashtëzakonshme për ratifikimin në parlamentet e vendeve anëtare.
A ka filluar puna thatë ju ?
Sigurisht kjo ka qenë një punë në vazhdim prej gati tre viteve që ne bëjmë në ratifkimin e MSA-së. Dhe ne kemi krijuar lidhjet tona, të cilat po na shërbejnë për shpejtimin e procesit të ratifikimit. Me cilat vende për shembull kemi një strukturë të ngritur? Me të gjitha vendet europiane ne kemi marrëdhënie, deputetët, përfaqësuesit e delegacioneve të ndryshme, kanë marrëdhënie shumë pozitive.
Çështja do të varet dhe nga situatat e brendshme të vendeve të veçanta, pasi parlamentet kanë prioritetet e tyre dhe pastaj vijnë çështje jashtë kufijve të tyre nacionale, por unë mendoj se do punojmë mirë.
Gjithsesi unë e di që vendet e tjera, procesin e ratifikimit e kanë bërë për një periudhë dy ose tre vjeçare. Dhe ky përfundim, brenda kësaj periudhe, do të ishte diçka shumë e mirë. Ndërkohë zëdhënësja e NATO-s, Paturai tha se këto vende mund të jenë anëtare që në vitin e ardhshëm, i cili përkon me 60 vjetorin e krijimit të Aleancës së Atlantikut. Samiti i ardhshëm do të mbahet në pranverën e ardhshme në Strasburg me një domethënie të veçantë. E kush nuk do të donte të bëhej vend anëtar i NATO-s në 60 vjetorin e saj , por ne, me shqiptarët, duhet të jemi realistë dhe të ndershëm e tu themi çfarë bëhet dhe çfarë nuk mund të bëhet dhe në çfarë periudhe mund të bëhet. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që Parlamenti i Shqipërisë do të vazhdojë të jetë institucioni qendror, ashtu sikur ka qenë gjatë gjithë kësaj periudhe në reformat që do të vazhdojnë në fusha të ndryshme dhe në procesin e lobingut për mbështetjen në procesin e anëtarësimit. Mendoni se Shqipëria do të përdorë ndonjëherë veton ndaj vendeve të tjera për anëtarësim në NATO, sikurse ndodhi me rastin e Greqisë ndaj Maqedonisë? Shqipëria nuk është Greqia. Shqipëria ka qenë përherë miqësore në gjithë historinë e saj. Ne kemi pësuar nga të tjerët , por kurrë nuk i kemi bërë dëm ndonjë vendi tjetër.
Kështu që, unë besoj se Shqipëria do të jetë vetëm mbështetëse në proceset e zgjerimit dhe integrimit të vendeve të tjera. Kush më mirë i përjeton këto procese emocionialisht, se sa vetë shqiptarët? Si e përcollët kthimin duarbosh të Maqedonise, pa ftesë nga Samiti i Bukureshtit? Nuk është se nuk ndihej që më parë se po vështirësoheshin problemet për Maqedoninë, sa ndonjëherë kjo çështje po ndërlikonte Samitin në pikën e zgjerimit.