12 mars 2008- Sekretarja e Shtetit të Norvegjisë: Presim të shohim sa më shpejt vendin tuaj ne NATO.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli takoi sot Sekretaren e Shtetit të Norvegjisë Elizabet Ualaas.
Kryetarja e Kuvendit Topalli falënderoi zyrtaren e lartë norvegjeze për vizitën e saj të parë në Shqipëri, dhe për mbështetjen që Norvegjia ka dhënë në konsolidimin e proceseve demokratike në vend.
Kryetarja Topalli tha se aktualisht Shqipëria, por dhe i gjithë rajoni po përjeton një moment historik, atë të pritjes së ftesës nga Samiti i Bukureshtit për anëtarësim në NATO të vendeve të Adriatik 3.
Me ritmin me të cilin po ecën ratifikimi i MSA-së Shqipëri-BE nga vendet anëtare, besojmë se brenda pak muajve ky proces do të mbyllet me sukses, vijoi zonja Topalli.
Qeveria dhe Parlamenti po punojnë fort për realizmin e reformave për integrim, pasi proceset integruese në vend mbështeten plotësisht nga të gjitha forcat politike dhe shoqëria shqiptare, -tha kryetarja Topalli.
Zonja Topalli shprehu kënaqësinë e saj si kryetare e Kuvendit për mirëkpuptimin që kanë arritur palët politike ne hartimin e dy reformave kryesore të lidhura me procesin e integrimit euro-atlantik te vendit, që është reforma në sistemin zgjedhor dhe ajo në drejtësi.
Njëherësh, Kryetarja Topalli tha se po punohet me seriozitet për pajisjen e zgjedhësve me kartë identiteti, pasaporta biometrike si dhe hartimi i një regjistri kombëtar elektronik zgjedhësish.
Nga ana e saj Sekretarja e Shtetit te Norvegjizë, Elizabet Ualaas falenderoi Kryetaren e Kuvendit për mikëpritjen dhe e inkurajoi atë më tëj në rolin e drejtueses së Parlamentit.
Norvegjia do të mbështesë me të gjithë kapacitetet Shqipërinë në procesin e integrimit dhe ne presim të shohim sa më shpejt vendin tuaj në NATO. Ne vlerësojmë reformat e kryera dhe mendojmë se jeni në rrugë të mbarë, tha ajo.
Kryetarja e Kuvendit dhe Sekretarja e Shtetit të Norvegjizë, ndanë të njëjtat ide për rritjen e shkëmbimeve të përvojave në pushtetin legjislativ, por dhe në sektorët ekonomikë dhe zhvillimit të industrisë.
Zonja Topalli u shpreh se do të ishte kënaqësi të priste një delegacion parlamentar nga Norvegjia, duke theksuar se diplomacia parlamentare është një dimension shumë i rëndësishëm në bashkëpunimin reciprok.