14 mars 2008 - Topalli: Tumori një emergjencë e shoqërisë.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli takoi sot përfaqesuesit e Lidhjes Shqipëri Itali Kundër Tumoreve.
Në fillim të takimit përfaqësuesi i Lidhjes, z. Pace Giuseppe vuri në dijeni Kryetaren e Kuvendit për idenë e krijimit të Lidhjes, si dhe nënshkrimin zyrtar të saj, në javët e ardhshme.
Z. Giuseppe tha se do të ishte në nderin e Lidhjes dhe misionit të saj human, që Kryetarja Topalli të pranonte postin e Presidentes së Nderit.
Kryetarja Topalli vlerësoi si shumë të rëndësishëm ngritjen e kësaj strukture, jo vetëm për fushën e mjekësisë, por për gjithë shoqërinë shqiptare.
Është një nder dhe një kënaqësi e veçantë që takoj sot grupin e mjekëve të Lidhjes Shqiptaro-Italiano kundër tumoreve, që ka krijuar një shans bashkëpunimi mes dy vendeve tona për luftën kundër tumorit. Mbështes me të gjithë forcat e mia, misionin në këtë luftë, si dhe fushatën që ju po ndërmerrni në ndërgjegjësimin e shoqërisë për parandalimin e tumoreve dhe veçanërisht gratë, kanë shumë për të mësuar për tumoret, të sensibilizohen për hapat që duhen marrë në parandalimin e kësaj sëmundje të rrezikshme jo vetëm për to, por dhe për fëmijët që kanë nevojë për kujdesin e nënës.
Si grua dhe si nënë, do të jem gjithmonë në krah të Lidhjes për të luftuar këtë sëmundje të vështirë, por që mund të shmanget në kohë, - tha Kryetarja Topalli.
Mjekët shqiptarë dhe italianë, të Lidhjes i shprehën Kryetares se Kuvendit
vlerësimet për mbështetjen që ajo po i jep fushatës së ndërgjegjësimit të luftës kundër kancerit në Shqipëri.
Mjekët shprehën shqetësimin për rritjen e numrit të tumoreve tek shqiptarët, veçanërisht në moshat e reja.
Tumoret shkaktojnë humbjet më të shumta në njerëz, në radhët e sëmundjeve thanë mjekët duke vënë theksin, se kontrollet e vazhdueshme mjekësore janë baza e një parandalimi efikas të tyre.
Pas takimit Kryetarja e Kuvendit Topalli dha këtë mesazh për mediat:
"Tumori është një emergjencë e shoqërisë. Por kjo sëmundje është e shërueshme, nëse ne e parandalojme atë me diagnostifikimet e duhura dhe në kohë. Sot për të gjithë ne "lufta kundër tumoreve", duhet të jetë temë e ditës. Le të punojmë së bashku, për të luftuar këtë rrezik për shoqërinë tonë dhe të ardhmen e saj.